Artistja nga Kosova, Diana Toska, ka shënuar një sukses të madh si pop vokaliste në në arenën ndërkombëtare, shkruan Mediafokus.info.
Në Festivalin veror të Artit dhe Kulturës, në platformën online, në Poloni, Toska ka zënë vendin e dytë në mesin e konkurrentëve të 27 shteteve pjesëmarrëse.
“Një privilegj për mua si përfaqësuese e shtetit të Kosovës, të jem Laureate në këtë renditje prej të gjitha shteteve pjesëmarrëse. Një përvojë ndryshe nga aktivitetet dhe Festivalet pjesëmarrëse të cilat i kam pas deri tani, duke filluar qysh prej fëmijë me pjesëmarrje dhe paraqitje të shumta në gara si në instrumentin e Pianos paralelisht dhe me këngën”, ka thënë Toska për Mediafokus.info.
Për artisten, kjo është hera e dytë që merr pjesë në festivale botërore në këtë periudhë pandemie.
Në muajin maj ka përfaqësuar vendin, po ashtu, në World Vision 2020 – Wapa World international song contest festival, në Armeni, ku ka arritur ta prek gjysmëfinalen në konkursin që ka mbledhur artistë nga 50 vende të botës.
Diana Toska merret me muzikë qysh si fëmijë dhe u bë e njohur me këngën “Punë e madhe”. Si fëmijë, ajo ka realizuar dy albume me nga 15 këngë dhe 3 video-klipe.
Gjatë periudhës së pandemisë ka realizuar dhe Koncertin nga Karantina në Teatrin e Qytetit të Gjilan, bashke me producentin dhe vokalistin Valdrin Halimi, i cili është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku.
“Pas koncertit nga karantina, planifikoj ta realizojë edhe një turne me koncerte në qytete të ndryshme të Shqipërisë”, thotë Diana Toska, e cila gjatë kohës së pandemisë ka realizuar shumë këngë/covera e bashkëpunime online, duke i publikuar ato ne rrjetet sociale dhe youtube.
Aktualisht, ajo është profesoreshë e pianos, në shkollën e mesme te muzikës në Gjilan.
Teksa ka uruar për një fillimvit të mbarë shkollor, ajo ka një mesazh për nxënësit.
“Duajeni librin, muzikën, natyrën dhe ndiqni ëndrrat tuaja deri në fund, me pasion, dashuri e shumë përkushtim”.
Përndryshe, artistja kosovare e zuri vendin e dytë në këtë Festival, ku morën pjesë shtetet si: Sllovenia, Bjellorusia, Rusia, Kazakistan, Ukraina, Izraeli, Letonia, Lituania, Shqipëria, Rumania, Malta, Mbretëria e Bashkuar, Hungaria, Moldavia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Egjipti e Polonia.