Balerini i suksesshëm shqiptar në Itali, Kledi Kadiu është emëruar anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit të Akademisë Kombëtare të Baletit në Romë.
Ky vlerësim është bërë nga Ministri Italian i Kulturës Alberto Bonisoli me motivin e suksesit profesional të balerinit shqiptar në Itali.
Dhe pse në moshë të re, aktualisht 45 vjeç, Kledi Kadiu ka një eksperiencë të gjerë artistike.
Suksesi televiziv në Itali erdhi pas pjesëmarrjes së tij në programet “Amici” , “C’e posta per te”, “Buona Domenica”, “Proggeti Danza” e “Pequenos Gigantes”.
Në Romë ka themeluar shkollën e tij të baletit “Kledi Dance”.
Gjithashtu balerini shqiptar ka recituar në disa prodhime kinematografike si “Passo a due”, “La cura del gorilla”, “La nave dolce”; “Chi lo avrebbe mai detto” etj.
Më vitin 2009 Kledi Kadiu publikon në Itali librin e tij të parë autobiografik për të cilin vlerësohet me çmimin “Elsa Morante”, për shkrimtarët e rinj.
Po më 2009 Kledi Kadiu emërohet ambasador i UNICEF e bashkëpunon në disa projekte për mbrojtjen e fëmijëve nga diskriminimi e shfrytëzimi i punës në Bangladesh.
Më vitin 2013 Kledi Kadiu vlerësohet me çmimin Ndërkombëtar të Kulturës “Re Manfred”.
Lajmin për këtë vlerësim e ka dhënë dhe vetë balerini shqiptar në rrjetet sociale, shkruan oranews.
“Stina e Verës, shkruan ai shpesh lulëzon nga lajmet e bukura. Këto ditë u zyrtarizua emërimi im si anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit të Akademisë Kombëtare të Baletit në Romë, ky besim që m’u bë nga Ministri i Kulturës më mbush me gëzim e krenari. Do të përpiqem të bëj një punë të mirë e do t’i kushtohem këtij impenjimi të ri me gjithë pasionin e dedikimin që kam bërë gjithmonë në punën time”, shkruan Kledi Kadiu.