
Sapo ka dalë nga shtypi, libri “Klithma ” i autores Alketa Gashi Fazliu, një vëllim me tregime që trajton me guxim dhe ndjeshmëri plagët më të rënda të luftës së Kosovës: dhunën, masakrat dhe traumat e përjetuara nga fëmijët shqiptarë.
Libri sjell rrëfime të drejtpërdrejta, të dhimbshme dhe thellësisht njerëzore, duke e kthyer letërsinë në dëshmi morale dhe historike. Përmes një gjuhe të fortë emocionale, “Klithma” dokumenton pasojat fizike dhe psikologjike të luftës, duke e vendosur fëmijën në qendër të narrativës si viktimën më të pafajshme të dhunës barbare.
Vepra është vlerësuar nga figura të njohura të botës akademike dhe kulturore. Akademik Pëllumb Xhufi e cilëson librin si një dëshmi historike dhe morale, ndërsa Dr. Flora Brovina thekson se këto rrëfime duhej të ishin botuar shumë më herët, si dëshmi e krimeve të kryera ndaj fëmijëve. Edhe Prof. Dr. Bajram Kosumi e vlerëson librin si një pasqyrim të errët, por të domosdoshëm të makinerisë së dhunës gjatë luftës, ndërsa Ilva Tare nënvizon forcën shëruese të rrëfimit dhe qëndresën njerëzore që buron prej tij.
“Klithma” nuk është vetëm një libër letrar, por një akt kujtese dhe ndërgjegjësimi, një thirrje që dhimbja e fëmijëve të mos harrohet dhe e vërteta të mos heshtet.
ObserverKult






