Mjer’ ai që s’ka thënë fjalë që thuhen vetëm një herë në jetë…

Nga: Koçi Petriti

Ai ia prek flokët dhe ia ngatërron për gishta,
ajo një kopsë të këmishës ia shtyp me thua,
vesa pikëzon mbi lirishta,
shelgjet rrinë varur mbi përrua.

E marr me mend ç’i thotë ai tani
dhe ç’i përgjigjet ajo në këtë orë të vonë,
Sa të tjerë i kanë thënë këto fjalë,
e sa të tjerë do t’i thonë e do t’i thonë!

Asgjë s’do të përsëritet për këta: vajzë e djalë
në vitet e ardhshëm, të trazuar apo të qetë.
Mjer ai që s’i ka thënë dikujt të tilla fjalë,
fjalë që thuhen vetëm një herë në jetë.

ObserverKult


Lexo edhe:

KOÇI PETRITI, KALORËSI I FUNDIT I BALADAVE TË DASHURISË

“Poetët e vërtetë kanë vdekje konvencionale, pa dyshim. Ekuacioni i lashtë –gati proverbial se ‘poeti vdes, por jo poezia’- nuk është ngushëllues për njeriun konkret, por i vetëmjaftueshëm dhe fisnikërues për poezinë”.

Në një kohë kur realizimi socialist i kishte vënë të gjithë shqiptarët brenda kallëpeve, kur letërsia ishte e detyruar t’u përshtatej kornizave.

Kur shkrimtari e poeti ishin të detyruar të bënin pakt me djallin në kurriz të krijimtarisë, për të mbijetuar, kur gjithçka ishte e denatyruar, Koçi Petriti e gjeti rrugën e tij, së cilës i ndenji besnik deri në fund. Ai zgjodhi lirikën, zgjodhi t’i këndonte dashurisë, të bukurës, vashës, puthjes… Gjërat e “mëdha”, politika, heroizmi, nuk bënin për të.

Dhe kjo zgjedhje e shpëtoi atë jo vetëm si njeri, por edhe si poet. Me këtë zgjedhje, nuk iu desh të bënte pakte. Pakti i tij i vetëm ishte me lexuesin, i cili e deshi dhe e lexoi Koçi Petritin si një pasues të denjë të Lasgush Poradecit. Vargjet e Petritit janë vlerësuar gjithnjë për thjeshtësinë dhe bukurinë e vargut. Freskinë, butësinë dhe një shpirt pranvere, që nuk i ndahet krijimtarisë së tij…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU