Shpuarje e mishit me tel të djegur, futje e kripës në mish- torturat që i pësuan të burgosurit

toger deputetit nuk u ndalen

Fati i tyre ishte i vendosur. Rruga drejt vdekjes ishte e projektuar tashmë për të gjithë ata, qindra e qindra klerikë, intelektualë, dhe gjithkush tjetër që u cilësua “Armik i pushtetit popullor”. Por, deri në momentin që dhanë shpirt, shumë prej tyre provuan torturat më të tmerrshme.

Viti 2009. Muaji nëntor. Në veri të kryeqytetit, në rrëzë të malit të Dajtit ishte zbuluar një varr masiv, ku “preheshin” eshtrat e 19 personave të panjohur. Dyshohej se ishin 19 viktima të diktaturës. Historitë e tyre ende nuk dihen me detaje. Ç’vuajtje hoqën? A i kishin torturuar? Cilat ishin fjalët e fundit që thanë? Kush ishte ekzekutori? Kush e urdhëroi këtë ekzekutim…? Dhe kjo ishte vetëm një ngjarje, një prej shumë e shumë të tjerave, ngjethëse, të paperceptueshme.

Përtej kësaj ngjarje, që shërben si një shtysë, në librin e  dr. Pjetër Pepës, (ndarë nga jeta me 23 mars 2014), “Dosja e diktaturës”, zbulojmë shumë dëshmi e dokumente arkivore të panjohura.

“Një libër-dëshmi aq shumë llahtarisës, përvojë e zezë, absurde, tragjike, që të bën të ulërish: “O Zot, ku jetuam ashtu! Në ç’sistem? Si duruam?…” shkruan Visar Zhiti, ndërsa thekson se Pjetër Pepa “s’bën asgjë më tepër, veçse nxjerr nga thellësitë e ferrit një pjesë fare të vogël të viktimave të diktaturës komuniste shqiptare, nxjerr skelete e kafka të grumbulluara në një ajsberg makabër mbi oqeanin e gjakut dhe të lotëve.

Ishin shumë, ishin tmerrësisht shumë të vrarët, edhe më shumë ishin ata që interesoheshin të zhuritur për ta. Kërkonin vendet e pushkatimit, kërkonin eshtrat baltërave, hendeqeve, humnerave të harrimit, kërkonin klithmat, amanetet, kërkonin nderin e shpuar me plumb…”

Në një pjesëz rrëfimi në vetën e parë, Pjetër Pepa shkruan: “Tani jam futur në atë godinën mu në qendër të Tiranës, pozante në të parë, por e sikletshme kur hyn brenda… Është ajo… Ministria e Punëve të Brendshme, ministria e zbulimit të krimit, por që mjerisht, për një gjysmë shekulli u kthye në ministri të sajimit të tij… Aty u projektuan tmerret e vrasjet, aty filloi çdo gjë që shpiku e zbatoi diktatura e zezë…

E jam në atë zyrë … para meje qëndron një njeri si gjithë të tjerët, që puna i kërkonte qetësi e gjakftohtësi e ai përpiqej ta gjente sido që jeta i kishte ngarkuar dhe halle të tjera… e ndërsa flisja me të, ose më saktë ai fliste me mua, mendja më kishte fluturuar në ato 50 vitet e kalvarit të popullit tim, në ato sa e sa jetë të këputura në mes… e të gjitha këto nga kjo shtëpi e bukur, nga kjo zyrë, nga kjo Ministri!

E destinuar për 50 vjet të luftojë krimin, ajo s’bëri tjetër veçse e sajoi atë… Gllabëroi qindra, mijëra njerëz të pafajshëm dhe hëngri edhe kokën e vet, aq sa nuk mund të gjendet ndërtesë apo institucion tjetër në botë që gjatë 50 viteve të ketë ngrënë në këtë mënyrë kokat e titullarëve të vet… Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Mehmet Shehu… të gjithë të pushkatuar, të vrarë, ose të vetëvrarë për po ato faje që ata kishin sajuar për të tjerët…

Pikërisht në atë godinë ka marrë rrugën për të zbardhur shumë të vërteta të dhimbshme, ka mbërritur tek shumë dosje, brenda të cilave fshiheshin ngjarje të tmerrshme.

Ky libër zbulon shumë histori të fshehura, makabre, thuajse në çdo faqe të tij. Por, në këtë prezantim vlen të veçojmë disa faqe ku zbardhen dokumente arkivore rreth gjyqit të Koçi Xoxes, ku dëshmitarët, ish-shërbyes të zellshëm të tij, në momentin kur Xoxe është në bankën e të akuzuarve, nuk hezitojnë të rrëfejnë edhe detajet më të imëta e thellësisht tronditëse nga torturat që aplikonin me të burgosurit e të gjithë ata që i vranë pa gjyq.

Ata dëshmojnë, duke synuar t’i çjerrin maskën mizorit Xoxe, me një ndjenjë neveritëse sinqeriteti, për torturat më çnjerëzore, që kanë aplikuar ndaj të burgosurve dhe të gjithë atyre klerikëve dhe intelektualëve, fatin e të cilëve e kishin vendosur ata vetë, pa gjyq”.

(Pjesë nga libri Dosja e diktaturës)

DEKLARATA MBI SHKELJEN E LIGJEVE NË FLAGRANCË: NGA ZOI THEMELI

1. “Mbas ngjarjeve të 9 shtatorit në Shkodër, 4-5 ditë, s’më kujtohet mirë, më thirrën nga DSSH në Tiranë. Këtu, mbasi u takova me Nestin K. (Kerenxhin) arthi edhe Koçi Xoxe. Ky mbasi më pyeti për ngjarjen që ndodhi dhe pse ndodhi, më tha se duhej patjetër të bënim çarmatimin rrënjësor në popull.

Në këtë rast unë i thashë se nuk ishte e lehtë dhe se populli nuk i dorëzonte armët kollaj, ai është i lidhur ngushtë me armën dhe ishte e zorshme që të bëhej çarmatimi. Por Koçi me nervozitet më thotë se duhej bërë patjetër çarmatimi, situata s’ishte e qartë dhe s’duhet të kishte armë në popull.

Pastaj shtoi se duhej kapur patjetër Jup Kazazi dhe duhej bërë çarmatimi, të pushkatonim njerëz me influencë dhe patjetër duhej t’ia arrinim atij qëllimi. Me kaq edhe u largue.

Më vonë, pas 3-4 ditësh, kur vajta në Shkodër, mësova se këtë urdhër ua u kishin dhënë edhe organeve të tjera si policisë, këtë e mora vesh pasi në këtë kohë organet e policisë filluan nga veprimi pa asnjë marrëveshje me organet e sigurimit. Kjo shkaktoi që ne ta shtrojmë në komitet dhe t’i koordinojmë veprimet sido që u vranë pa gjyq më se 6-7 vetë. Këtu vlen për t’u shënuar se në këtë kohë nuk u bë vetëm në Shkodër çarmatimi por në gjithë Shqipërinë.

Dhe i njëjti urdhër i është dhënë të gjithëve, ku janë përdorur torturat në masë dhe janë pushkatuar njerëz pa gjyqe, duke shkelur në flagrancë ligjet e shtetit. Me sa kam dëgjuar, në këtë kohë ky veprim është bërë pa dallim, si në krahinat që kishin luftuar kundër okupatorit, edhe në njerëz që kishin marrë pjesë në rreshtat partizane, ku edhe shumë nga këta janë torturuar poshtërsisht.

Për të gjitha këto veprime dhe për shkeljen e ligjeve në flagrance, siç u theksua edhe më sipër, ka urdhëruar personalisht vetë Koçi dhe ky është përgjegjës në radhë të pare”.

2- “Në fillim të vitit 1945, pas lëvizjes së Llesh Marashit, Preng Calit e të tjerëve, në qarkun e Shkodrës, Koçi Xoxe i dërgon një letër Vaskë Kolecit, të cilin e kishte dërguar në Shkodër në atë kohë, ku e udhëzonte që të bëheshin vrasje të fshehta në njerëz të dyshimtë dhe tek paria e vendit, vrasje të cilat të justifikoheshin në popull se gjoja ikën etj.

Për këtë gjë Vaskë Koleci më urdhëron mua në emër të Koçit duke thënë se për këtë veprim kishte vënë në dijeni edhe gjeneral Mehmetin, që kishte ardhur në atë kohë për të drejtuar operacionin. Letrën unë vetë s’e këndova, mbasi Vaska nuk ma dha por e pashë kur e mori dhe, mbasi e këndoi, më tha se si duhej të vepronim, sipas urdhrit të Koçit, i cili fliste se këto veprime ishin në interes të Partisë.

Për këtë çështje dhe sipas udhëzimeve, unë shkova në shtabet e brigadave dhe bisedova që të bëhen vrasje të fshehta, se ashtu urdhëronte Koçi. Ky urdhër është dhënë dhe në operacionin e Kelmendit ku u bënë vrasje të tilla.

Në kohën e operacionit (fillim i 1945-ës) në Shkodër u bënë arrestime në masë dhe për këto veprime Koçi Xoxe kishte dërguar Vaskë Kolecin. Arrestimet u bënë duke përpiluar lista me emrat e atyre që dyshoheshin por që në realitet për pjesën më të madhe s’kishte fakte për t’ia paraqitur gjyqit. Për këtë të fundit i kemi thënë shpeshherë Vaskë Kolecit, por ky thoshte se “tani do t’i arrestojmë dhe mbasi t’i procedojmë, atë që s’ka faj e lirojmë”.

Mirëpo kjo ishte demagogji dhe mbasi u arrestuan u shqyrtuan edhe ata që s’kishin faj, të cilët jo vetëm nuk u liruan sipas udhëzimeve të para dhe propozimeve tona, por na kërkohej edhe llogari që pse ishin arrestuar, duke na thënë se tani duhej të procedonim etj. Nga kjo mënyrë veprimi s’kishte se si të mos ndodhte që të mos bëheshin sugjerime për të proceduar atë që s’kishin fakte fajësie”.

3. “Po kështu ka ndodhur edhe mbas lëvizjes së 9 shtatorit 1945, kur u dërgua në Shkodër Nesti Kerenxhi, i cili dha udhëzime për arrestimet e të dyshuarve edhe sikur këta të mos kishin fakte fajësie, mjafton që të ishin të dyshimtë. Për ata që s’kanë faj u tha që “do t’i lirojmë më vonë”, por edhe këtë radhë ndodhi si në veprimet e para. Kështu që s’është e vështirë të kuptohet veprimtaria e udhëheqjes së sigurimit e cila ishte krejt trockiste dhe bashibozuke; këta vetë urdhëronin dhe pastaj kërkonin gjoja edhe llogari se si ishin bërë arrestimet”.

4. “Për sa i përket legalizimit të atyne që burgoseshin, në qarkun e Shkodrës ka patur një numër nga këta që nuk legalizoheshin brenda kohës që caktonte ligji, ka ndodhur që disa të rrinin me muaj të tëra gjersa t’i paraqiteshin gjyqit për t’i gjykuar, kjo ka ndodhur më 1945-1946 dhe jo vetëm që nuk legalizoheshin, por as që kishin të drejtë prokurorët të kontrollonin të burgosurit se udhëzimet nga lart ishin që derisa organet e sigurimit t’i paraqisnin proceset gjyqit, asnjëri s’kishte punë me të burgosurit”.

5. “Nga mesi i viteve 1947, me urdhrin e Koçi Xoxes është varur toger Hodo Habibi, unë nuk di që të ketë një ligj ku të përmbajë dënimin me litar për ushtarakët. Megjithëse kjo gjë iu kujtua nga mua Koçit, (nëpërmjet Nesti Kerenxhit), ai (Koçi) pa marrë parasysh asgjë urdhëroi ekzekutimin”.

DEKLARATA NGA NAUM BEZHANI

1. …Prej kohësh qysh në çlirim ka qenë në burgun e armiqve të popullit trockisti Aristidh Qendro. Ky më 1946 është hequr nga divizioni i mbrojtjes së popullit gjoja për t’u përcjellë në burgun e Burrelit dhe është ekzekutuar nga kapiten Kapo Kapaj.
2. … Eshtë ekzekutuar pa gjyq nga kapiten Kapo Kapaj (i divizionit të mbrojtjes) Jak Kodheli që I mbaronte dënimi si armik i popullit. Kjo ka ndodhur në mars-prill 1947. Ky ishte mbuluar pak dhe i kishin dalë këmbët jashtë.

DEKLARATA NGA KAPITENI I LEFTER LAKRORI

…Në këtë kohë është zhvilluar gjyqi i deputetëve dhe si u dha vendimi për të gjithë ata që u dënuan me vdekje jemi ngarkuar t’i torturojmë për të nxjerrë ç’ka kishin, Naum Bezhani, Siri Çarçani dhe unë. Shoku Nesti shkoi me Komandantin në Jug. Në vend të tij ishte Zihni Muçua. Gjithë materialin që nxuarëm nga ata e mbajta unë derisa ardhi Nesti dhe si ardhi Nesti për gjithë elementin që implikohej janë zhvilluar hetime, aty ka pasur dhe AP që implikoheshin ku dhe dhe janë survejuar. Më kujtohet Mark Ndoja, Shefqet Musaraj etj.

METODA PËR FSHEHJE GJURMESH TË KRIMEVE DEKLARATA NGA KOPI NIKO

“Unë i nënshkruari major Kopi Niko, i biri i Sotirit dhe i Ksanthipit, lindur në Pogradec dhe tash banues në Gjirokastër deklaroj sa më poshtë: Gjatë kohës që kam punuar në organet e Sigurimit të Shtetit me urdhër ose me dijeninë e eprorëve (emrat e të cilëve do t’i theksoj në rastet konkrete) kam kryer këto vepra të poshtra trockiste, antipopullore dhe antimarksiste: Kur kam qenë në seksionin e Korçës druri dhe tortura kanë qenë mjete pune për ne.

Unë këtu do të përmend vetëm një rast, i cili karakterizon me të vërtetë metodën e punës dhe deri ku mbërriti poshtërsia e saj. Aty nga fillimi i vitit 1946, nga torturat tona të vazhdueshme ka vdekur në seksionin e Korçës një person nga katundet e Ersekës (emri i të cilit nuk më kujtohet) por më vonë mund ta gjej, di se kishte qenë xhandar).

Për ta maskuar vdekjen e tij para opinionit, kemi vepruar në këtë mënyrë: Kemi therur një qengj dhe gjakun e tij e kemi futur në një shishe, mbas kësaj e kemi marrë kufomën dhe e kemi vënë në një makinë xhips dhe jemi larguar nja 15-20 km larg Korçës në drejtim të Ersekës, ku kemi qëndruar në afërsi të një katundi (shtoj se ka qenë natë).
Mbasi ndaluam, e zbritëm kufomën nga maqina, e vumë poshtë xhadesë në një arë dhe e qëlluam dy herë me revole në kokë dhe mbas kësaj i derdhëm në vrimat ku kishte përshkuar revolveri gjakun e qengjit që kishim marrë me vete për t’u treguar se ishte vrarë gjoja në ikje e sipër…


DEKLARATA MBI METODAT DHE LLOJET E TORTURAVE:

Metodat e torturave.
1- Rrahje me dru deri sa të bëhen plagë dhe të bjerë mishi.
2- Kruarje e plagëve të qelbëzuara me dru.
3- Çpuarje e mishit me tel të djegur.
4. Elektrik në veshë.
5. Futje e kripës në mish të djegur.
6. Lagia me ujë të ftohtë
7. Lënia pa bukë deri në vdekje.
8. Lënia pa bukë për disa kohë.
9. Lënia zhveshur në të ftohtë.
10. Jeleku
11. Dinamiti nën vehte
12. Shtrëngim i gishtërinjve me
pinca
13. Të pëgërët (fekale) në gojë
14. Varje me kokë poshtë
15. Lidhje për liri (për peme)
16. Lënie në diell
17. Maçoku në tumane
18. Përgatitje varri, pushkë në gojë
19. Tentativë për çnderim të vajzës.

Llojet e torturave

DEKLARATË

Unë i nënshkruari Naum Bezhani, deklaroj sa më poshtë: Po rrjeshtoj më poshtë tortura të ndryshme që u janë bërë të burgosurve sidomos gjatë viteve 1947-1948. Për të gjitha këto Koçi Xoxe, Vaskë Koleci dhe të tjerët kanë pasur dijeni dhe s’kanë marrë asnjëherë ndonjë masë kundra atyre që i bënin, bile këto vetë na ispironin dhe na mësonin kështu megjithëse në dukje tregoheshin disa herë kundra (nja dy telegrame që kishin bërë se ndalohesh druri) Janë përdorur këto forma torturash:

1. Jeleku (tortura më e tmerrshme)
2. Kamxhiku dhe druri.
3. Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe më këmbë me ditë të tëra.
4. Korenti elektrik sa i binte tjetrit të fikët.
5. Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.
6. Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru, varur gjersa t’i preknin majat e gishtërinjve.

7. Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor sidomos pas dënimit me vdekje të Shefqet Bejës dhe kundër tyre).
8. Kripë në gojë
9. Shpiheshin gjoja sikur do të ekzekutoheshin, ose do të vareshin dhe shtihej në ajër ose shpiheshin afër litarit.

10. Tortura morale në lidhje me familjen: “Do të ta burgosim, do të t’i vrasim”, bile në Shkodër, për të thyer rezistencën e Dulo Kalit shpunë në një dhomë ngjitur me të dy të burgosura vajza dhe dy të burgosur burra, ata bënë gjoja sikur ato ishin vajzat e tij dhe i kishin prurë aty t’i çnderonin.
11. Futja kokëposhtë në vozën plot me ujë.
12. Një herë Myftar Tarja i futi një prej Toptanasve nevojë në gojë dhe çorape të palara.
13. Djegie e mishit me cigare…

DEKLARATË

– Janë vënë në korent dhe telefoni qëndronte gjithnjë në dhomën ku pyeteshin të burgosurit.
– Janë rrahur me kamxhik, dru, shpulla e grushte sa u është bërë kurrizi plagë.
– Në sigurimin e ushtrisë janë djegur në pulpën e këmbës me thupër pushke të nxehtë.

– Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve e të këmbës varesh në frona, gjë që i bënin njerëzit si breshkë dhe u shkaktonte dhimbje të mëdha. Kjo u përdor në fillim nga seksioni i sigurimit të ushtrisë.
– U janë djegur organet seksuale me benzinë si Alfred Ashikut nga Gole Beshiri.
– Vërtiteshin njerëzit në një metër vend me kokë nga drita elektrike në tavan me orë të tëra deri sa binin përtokë.
– Në dimrin e ftohtë u hidhej ujë, kur të burgosurit ishin lakuriq e pa rroba dhe liheshin ashtu për shumë kohë.

– Disa të burgosur detyroheshin natën të këndonin si Hoxhë, gjë që e bënte qesharake punën e hetuesisë. Kjo përdorej nga Stavri Xhara.
– Futnin nëpër biruca të errëta një njeri dhe në mesin e natës një tjetër, i cili ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër. Përdorur nga Tomas Beqari.
– Janë lyer me marmalatë në sy, në veshë e hundë dhe kanë marrë një tjetër për t’i lëpirë. Edhe kjo është përdorur nga Tomas Beqari.

– Janë marrë në mesin e natës, janë qitur përjashta dhe janë kërcënuar për pushkatim.
– Natën në dhomat e burgut u thuhej disave se do të pushkatoheshin prandaj t’i shkruanin familjeve fjalët e fundit.
– U premtohej se do t’i lironin në rast se kallëzonin dhe për këtë me vulën e intendencës, gjoja të drejtorisë, përgatisnin deklaratën për ta liruar. Metodë e përdorur nga Raqi Zaralani.

– U viheshin në hundë çorape të qelbura që t’i mbanin erë (përdorur nga Avram Koja).
– Janë rrahur me vizore duarve, sa këto u bëheshin plagë.
– Detyroheshin njerëzit të këndonin si këndezë dhe të kakarisnin si pula (kështu ia ka bërë Islam Radovickës, sigurimi i ushtrisë).

– Janë lejuar ushtarët roje të burgut që t’u hipnin të burgosurve në kurriz dhe të shëtisnin nëpër korridor njëlloj sikur të ishin kuaj.
Vaskë Koleci nuk thoshte përdorni dru por bëni presion dhe botëkuptimi i presionit ishte: me i lënë njerëzit pa bukë për ditë të tëra, me i varur për muri me zinxhirë që vinin 100 kg, me i hedhë ujë të ftohtë në dimrin e akullt, me i lënë të vërtiteshin rreth një pike të caktuar për orë të tëra derisa t’u binte të fikët.

Burimi: Gazeta Shqiptare, Admirina Peçi


Lexo edhe:

ATENTATI I PAZBULUAR NDAJ AKTORIT AGIM SHUKES, KUSH E VRAU?

ObserverKult