Koleksioni i hartave i digjitalizuar, nga tani në Bibliotekën Kombëtare

Koleksioni i hartave është pjesë e rëndësishme e fondit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Një koleksion që tashmë vjen i digjitalizuar dhe sipas ministres së Kulturës Elva Margariti është dhe një mundësi më shumë këtë kohë për studiuesit.

“Koleksioni i hartave është një nga më të rëndësishmit në fondin e Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, i cili tashmë vjen i digjitalizuar, si një mundësi më shumë për studiuesit”, shprehet ministrja e Kulturës në profilin e saj në Facebook, e cila ka publikuar dhe linkun për këtë koleksion në Bibliotekën Kombëtare.

Ditët e fundit ministrja Elva Margariti shprehej në profilin e saj se ky ishte një vit i pazakontë, ku jemi distancuar dhe futur të gjithë në komunikim virtual, megjithatë kjo sipas saj nuk e ka ndalur punën për të përcjelle kulturën brez pas brezi. Ministrja vijon se Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë “hapet” në rrugë digjitale për publikun përmes platformës online https://www.bksh.al. Përmes një faqeje të re online, BKSH ofron mbi 265 mijë faqe të digjituara. Pak ditë më parë ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me drejtorin e BKSH Piro Misha prezantuan para mediave faqen e re online dhe materialet e digjituara, transmeton ‘koha.jone’.

Në njoftimin zyrtar thuhej se e mbështetur nga qeveria shqiptare, falë bashkëpunimit me AKSHI-n, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vjen në vitin jubilar të kremtimit të 100-vjetorit të krijimit të saj me një sistem të ri të integruar bibliotekar, realizuar për herë të parë në Shqipëri nga një kompani shqiptare. Përmes sistemit të ri online mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh vijnë për lexuesit/përdoruesit, studiuesit shqiptarë e të huaj, studentët e pedagogët, si materiale të digjituara të shfletueshme e me mundësinë e kërkimit në tekst, dhe jo vetëm, duke përbërë një vlerë të shtuar edhe për punën kërkimore – shkencore. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (BKSH), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun e vitit 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore.