Koleksioni i veprave që gjendeshin në Grand Hotel do të ekspozohen në Galerinë Kombëtare

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës sot, me fillim në ora 19:30, do të hapet ekspozita në të cilën do të shpaloset koleksioni i Grand Hotelit dhe veprat e çmuara që janë ruajtur për shumë vite.

Artisti dhe organizatori i kësaj ekspozite, Zeni Ballazhi, në një intervistë për emisionin Ora 7 në Klan Kosova tha se këto vepra i kanë takuar një kohe të artë eminente nga artistë të shumtë.

Tematikë e këtyre veprave është gastronomia dhe gratë e Dukagjinit.

Për Ballazhin kjo ekspozitë është shumë e veçantë pasi edhe vetë artistët që janë akoma gjallë do të jenë të pranishëm.

“Ne kemi edhe një pjesë të artistëve që janë ende gjallë dhe do të jenë aty të tregojnë rrugëtimin e tyre prej momentit kur i kanë dorëzuar në Hotel Grand deri sa kanë ardhur tek Galeria Kombëtare. Është një rrugëtim interesant, sepse ka të bëjë para luftës dhe pas luftës në Kosovë dhe kjo është pjesë interesante edhe për vetë artistin kur e sheh veprën pas disa viteve”.

Një nga veprat të cilat do të ekspozohet në Galerinë Kombëtare është edhe një mozaik nga Muslim Mulliqi për të cilën Zeni ka një shpjegim mjaft interesant.

“Është një mozaik tepër interesant dhe karakteristik për veprën e Muslim Mulliqit të cilën ne jemi mësuar gjithmonë ta shohim nëpër piktura dhe vizatime dhe në këtë dimension të këtij mozaiku nuk e kemi parë”.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 28 gusht dhe gjatë kësaj kohe pritet të vizitohet edhe nga mërgimtarë të shumtë.

LEXO EDHE: Galeria Kombëtare e Kosovës sjell ekspozitën “GRANDART 1970-2000”