Nga: Carlo Ruiz Zafon
“Me kujtohet ende ai mëngjes kur im atë më shpuri te Varreza e Librave të Harruar. Ishin ditët e para të verës së vitit 1945 dhe ecnim rrugëve të një Barcelone të burgosur nën një qiell të përhimët e nën një diell të bakëremtë që mbulonte me një zagushi të nxehtë shëtitoren e Shën Monikës.
Daniel, atë që do të shohësh sot nuk ke për t’ia treguar askujt,- më tha im atë,- as mikut tënd Tomas. Askujt.
– As nënës?- pyeta me zë të ulët. Im atë psherëtiu duke më buzëqeshur me dhimbje, me një buzëqeshje që e ndiqte pas si hije.
-Patjetër- u përgjigj i brengosur.
– Për të nuk kemi asnjë sekret.
Kolera e kish marrë nënën time menjëherë mbas luftës civile. E patëm varrosur në Montjuic, nën një shi që binte me litarë, atë ditë kur mbusha katër vjeç. Më kujtohet se si e pata pyetur babanë, nëse po qante qielli ashtu, e se si atij i ishte mekur zëri. Edhe pas gjashtë vjetësh, mungesa e sime mëje ngjante me një britmë memece, një zbrazëti që nuk mund ta mbushte asnje fjalë. Banonim bashkë me babanë në një apartament të vogël në rrugicën e Shën Anës, afër sheshit të kishës, mbi librarinë e specializuar në botime për koleksionistë e në libra të përdorur, e cila kish pas qenë e gjyshit, një pazar i magjishëm që një ditë, siç thoshte babai, do të më përkiste mua. Jam rritur mes librash, në shoqëri miqsh imagjinarë që mbushullonin faqe të ngrëna, me një aromë krejt të veçantë. Qysh kur isha i vogël, para se të më zinte gjumi, i tregoja sime mëje sesi e kisha kaluar ditën dhe për ato që kisha mësuar në shkollë. Nuk mund t’ia dëgjoja zërin e as t’i gëzoja përkëdheljet e dorës së saj, por drita dhe ëmbëlsia e kujtimit të saj ngrohnin çdo cep të shtëpisë, ndërsa unë, me pafajësinë e të voglit që ende i numëron vitet me gishtat e duarve…”
Përktheu: Adrian Klosi
*Titulli i origjinalit:”Hija e erës”
————————-
ObserverKult
Lexo edhe: