Komentari kritik i Ag Apollonit

Doli nga shtypi vëllimi i parë i serisë kritike “Commentum” të Ag Apollonit, i cili në këtë libër me natyrë kontinuele ka komentuar postmodernizmin si poetikë dhe periudhë, duke treguar shkaqet e lindjes, zhvillimin e jetës dhe arsyet e vdekjes së këtij formacioni, që konsiderohet më kontradiktori në histori të zhvillimit të letërsisë botërore.

Sipas autorit, ky vëllim do të pasohet edhe nga vëllime të tjera, ku trajtohet herë letërsia shqipe, herë letërsia botërore, dhe promovohet një mënyre e veçantë e interpretimit, një komentim nga brenda. Qëllimi i këtij libri, ashtu si edhe qëllimi i projektit në përgjithësi, nuk është të finalizohet me “histori”, apo “poetikë”, pasi që të dyja, sipas autorit, janë të tejkaluara, por që të jepet një koment profesional për fenomene, vlera, tekste dhe autorë. “Meqenëse secili brez, secili kritik, secili lexues mund ta ketë komentin e vet, arbitrariteti është i përjashtuar nga ky diskutim kontinuel. Në momentin kur bëhemi arbitrarë, bëhemi ideologjikë dhe anasjelltas. Ideologjia kërkon të imponohet, komenti më së largu mund të shkojë te sugjerimi. Leximi im është një nga leximet e mundshme,” thotë Ag Apolloni në parathënie.  

Ky vëllim, që nis projektin më të madh studimor të këtij autori, do të ketë mbi dhjetë vëllime, të cilat do të botohen në vazhdimësi, nga Shtëpia Botuese Bard Books.