Kompozimet me tinguj të folklorit shqip në repertorin e ansamblit nga Anglia

Katër instrumentistë që jetojnë në Londër janë bërë bashkë në një ansambël gjatë kohës së pandemisë së virusit COVID-19. E kanë titulluar ansamblin “Willingdon House Music”. Qëllimi i tyre është që përmes muzikës të lehtësojnë sadopak këtë situatë nëpërmjet artit.

Gjatë muajve të fundit kanë luajtur vepra të kompozitorëve me nam, por së fundi ia kanë vënë vetes një tjetër sfidë. Kanë bërë thirrje për vepra të kompozuara enkas për ansamblin e tyre. Në pamundësi për të realizuar një garë të denjë me çmime e shpërblime, në thirrjen e tyre kanë thënë se presin vepra për t’u bashkuar përmes muzikës, në këtë kohë të vështirë, me muzikantë nga e gjithë bota.

Thirrja u pa interesante edhe nga kompozitorë shqiptarë që hasën në të dhe aplikuan. Veprat e Memli Kelmendit e Kreshnik Aliçkajt u përzgjodhën dhe do të luhen nga ansambli në ditët në vazhdim. Janë gjithsej 24 vepra nga kompozitorë në të katër anët e botës që do të interpretohen në dy koncerte.

Anëtarët e ansamblit “Willingdon House Music” do të interpretojnë online veprën “Optio” të Kelmendit, të premten (sot) në ora 19:30, dhe veprën “Trio frymor” të Aliçkajt më 5 qershor, në orën 16:30. Veprat bashkëkohore e me elemente të muzikës folklorike do të luhen nga katërshja e ansamblit, flautistja gjermane Flavia Hirte, violinistja angleze Ellen Bundy, klarinisti belg Max Mausen dhe oboisti italian Nicola Barbagli.

Memli Kelmendi ka thënë për ‘Kohën ‘se pasi që e kishte parë konkursin kishte vendosur që të aplikonte, duke u bazuar të fakti se ansambli njihet me interpretimin e veprave të periudhave të ndryshme, veçanërisht në interpretimin e instrumenteve të barokut. “’Optio’ është kompozuar për flaut, violinë, bri anglez dhe bas-klarinetë.

Mbështetet në stilin kompozicional neo. Këtë vepër e kam kompozuar në një periudhë vërtet të shkurtër, realisht është shkruar për më pak se dhjetë ditë dhe i dedikohet pikërisht ansamblit”, ka thënë ai. Vepra, sipas Kelmendit, ani pse bazohet në elemente të muzikës folklorike, është e trajtuar tërësisht në formën moderne, transmeton ‘koha.net’.

Në programin e koncertit të së premtes, përveç veprës së Kelmendit e të Aliçkajt, janë edhe veprat e 11 kompozitorëve të tjerë, përfshirë kompozitorin Wesley Stormer nga Australia, kompozimet e të cilit janë inspirim nga muzika franceze e shekullit XX, dhe kompozitori amerikan Stanley Grill, që inspirohet nga mesjeta dhe renesanca. Kelmendi është i lindur në Pejë, ndërsa studimet universitare për dirigjim (vokale dhe instrumentale) i ka përfunduara në Universitetin e Prishtinës në klasën e dirigjentit të mirënjohur Bajar Berisha, ndërsa për kompozim në klasën e Darko Marinovskit.