Kompozitorët më të njohur shqiptarë do të distancohen publikisht nga Festivali i RTSH-së

Kompozitorët më me emër shqiptarë do të distancohen publikisht nga Festivali i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, që këtë vit vjen në edicionin e tij të 58-të.

Lajmi është konfirmuar nga burime të besueshme pranë “Albautor” (Organizatë Mbledhëse e të Drejtave të Autorëve, Kompozitorëve dhe Botuesve të Veprave Artistike, Letrare, Muzikore e Audiovizuale).

Shkak për këtë distancim është bërë pjesëmarrja në këtë edicion të festivalit të kompozitorëve të huaj, me më shumë se një krijim dhe po ashtu, mospërcaktimi i qartë i rregullores së festivalit që në thirrjet e para për pjesëmarrje.

Në “Albautor” është mbajtur një mbledhje këtë të hënë ndërsa deklaratat publike që sugjeron një kritikë të hapur për festivalin e RTSH-së pritet të dalë këtë javë, transmeton FazetaShqiptare. Anëtarë të “Albautor” janë kompozitorë nga Alfred Kaçinari, Elton Deda, Limos Dizdari, Hajg Zacharian, Pëllumb Vorpsi, Edmond Zhulali e deri te Eriona Rushiti, autorja e këngës fituese të edicionit të kaluar. Mbledhja e ditës së hënë ka shqyrtuar disa pika, sipas burimeve, që nisin me faktin e ankesën se televizionet nuk paguajnë të drejtën e autorit që rrjedh nga detyrimet ligjore.

“RTSH nuk paguan prej dy vitesh detyrimet që na ka nga e drejta e autorit. Ne do të dërgojmë një letër, ku i ndalojmë transmetimin e punëve tona dhe arkivën e muzikës shqiptare”, tha njëri prej pjesëmarrësve në mbledhjen e “Albautor”.


KRITIKA PËR FESTIVALIN

Një pjesë e madhe e mbledhjes së “Albautor” i është kushtuar diskutimit për festivalin e sivjetshëm të këngës, çka përbën edhe prodhimin më të rëndësishëm vjetor të RTSH-së.

“Jemi tërësisht kundër futjes në festival të autorëve të huaj, kompozitorëve të huaj. Që nga festivali i parë i këngës, e deri në edicionin e 57-të, në rregullore është përcaktuar qartë që pjesëmarrës në të duhet të jenë nënshtetas dhe autorë me kombësi shqiptare, çka nënkupton shqiptarët e diasporës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Revolta jonë më e madhe është hyrja e kompozitorëve të huaj. Kompozimi hyn te kolonat kryesore të festivalit dhe muzikës shqiptare. Gjithë festivali i RTSH-së financohet nga taksapaguesit shqiptarë. Në Sanremo nuk merr dot pjesë një kompozitor shqiptar, sepse duhet të jetë nënshtetas italian”, thotë një nga kompozitorët e “Albautor”.

Në festivalin e sivjetshëm të RTSH-së janë disa kompozitorë të huaj, ndërsa vendësit thonë se komponenti më i rëndësishëm i një kënge është kompozimi, “ai i jep shpirtin një kënge. Ndaj shumica e shteteve e kanë me fanatizëm në këtë pjesë, veç Zvicrës”.

Në mbledhjen e ditës së hënë është kundërshtuar edhe procedura e ndjekur këtë vit nga Festivali i RTSH-së, që nga laçnimi i ftesës për të marrë pjesë.

“Nuk janë bërë të ditura në asnjë moment, rregullat e pranimit në festival. Tani janë pranuar kompozitorë me dy këngë, e kompozitorë nga jashtë. Gjëra që nuk diheshin. Ne që jemi në Shqipëri, nuk e dinim se me sa këngë mund të merrnim pjesë, ndërsa Darko Dimitrov nga Maqedonia e dinte si fillim që mund të merrte pjesë, edhe pse nuk është shqiptar dhe së dyti, e dinte që mund të merrte pjesë edhe me dy këngë”, tha një nga kompozitorët që nuk do të dalë publikisht.

Vitet e fundit nga autorët e këngës është hequr edhe emri i orkestruesit, që është një nga autorët me rëndësi të produktit, çka sipas autorëve shqiptarë, bën që këngët të kompozohen e orkestrohen jashtë vendit.

Në mbledhjen e “Albautor” morën pjesë:

1. Agim Doçi
2. Xhevahir Spahiu
3. Jorgo Papingji
4. Limos Dizdari
5. Hajg Zacharian
6. Pëllumb Vorpsi
7. Endri Sina
8. Elton Deda
9. Etrita Ibrahimi
10. Edmond Zhulali
11. Alfred Kaçinari
12. Gjergj Kaçinari
13. Voltan Prodani
14. Luan Zhegu
15. Osman Mula
16. Enis Mullai
17. Erjona Rushiti
18. Petrit Terkuci
19. Pirro Duka
20. Esat Ruka
21. Miron Kotani
22. Çlirim Denaj
23. Edmond Mancaku
24. Agim Rreza
25. Arjan Toci
26. Arjan Gici
27. Dritan Lumshi
28. Fatmir Lela
29. Erjon Sheme
30. Mimoza Tola
31. Alban Kujtim Laro
32. Kozma Dushi
33. Petrit Terkuci