Nizar Qabbani: Po bien gra dëbore…

Nizar Qabbani

Po bien gra dëbore,
kështu që hoqa xhaketën,
mbylla çadrën
dhe i lashë të rrokulliseshin kristalet e tyre trupit tim,
një nga një,
krejt si frutat pjekur
në zjarr,
si zogjtë bërë me ar.
Po bien gra dëbore,
ndaj zbërtheva gjithë
kopsat e këmishës,
e kristalet le t’rrjedhin
lëkurës sime,
të trazohen me ujin tim,
të vallëzojnë pyllit tim,
të përgjumen natës
si harabelat mbi pemët e mia.

Renda jashtë në kopshtin me borë si fëmijë,
mbajta dëborën mbi ballë
si margaritar,
ndiej çdonjërin kristal
tek shtrihet perlë pas perle,
grua pas gruaje,
i mbaj me përkujdesje
mes duarve të mia,
teksa jam kaq i shqetësuar
mos treten nga nxehtësia
e afshit tim.

Po bien gra dëbore,
ndaj çdokush doli jashtë,
barbarë dhe të qytetëruar,
të vobektë dhe të pasur.
Disa kanë marrë armë gjahu,
të tjerë grepat,
shishen e madhe të verës…
…shakuj dhe shtretër.

Po bien gra dëbore
e qeveria shpalli
gjendjen e jashtëzakonshme
për dashurinë e bardhë.
Ndërsa disa burra janë të gatshëm të martohen me gra dëbore,
të tjerë bëjnë plan t’ i sulmojnë,
disa planifikojnë t’i
nënshtrojnë,
kurse pleqtë
bëjnë gati çekun e bankës në xhepin e vet
që të blejnë ndonjë flokëz të bardhë gjiri prej qiellit
për stolisjen e dhomës së gjumit.

Kur gratë e dëborës dëgjuan
kërkëllimën
e zinxhirave të burrave,
kur panë shkëlqimin e kamave,
dhëmbët e uritur
duart e egërsuara,
u ndien në ankth për virgjërinë e tyre,
kështu që morën valixhet
dhe vendosën të bien
në të tjera troje.



Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

OZDEMIR ASAF: GRUAJA, NËSE IA DO SHPIRTI…