Mëdyshja dyvjeçare për lokacionin e sallës koncertale tani duket të jetë e tejkaluar. Komuna e Prishtinës ka ndarë mendjen që ish-objekti i shtëpisë së mallrave “Gërmia” të adaptohet për kërkesën e kahershme të komunitetit artistik, por duke ruajtur identitetin e ndërtesës ekzistuese.
Të hënën, nëpërmjet një njoftimi, Komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ka bërë me dije se gjatë këtij muaji do të shpallen konkurset ndërkombëtare arkitektonike për tri projekte të mëdha e të rëndësishme për Prishtinën.
“Salla Koncertale e Kryeqytetit – adaptim duke ruajtur identitetin e ndërtesës ekzistuese Gërmia; Salla e re e Sporteve me kapacitet 3000 – 5000 ulëse; Shkolla e Muzikës – adaptimi dhe renovimi i pjesës kulturore të Pallatit të Rinisë ku do të jetë e vendosur Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, Komuna u ka bërë thirrje arkitektëve dhe studiove projektuese që të jenë pjesë e Prishtinës “ashtu që t’i sjellim Prishtinës projekte me të cilat do të krenohemi të gjithë”.
E një ditë pas njoftimit, sipas zyrtarëve komunalë, kanë shfaqur interesim disa kompani evropiane, përderisa është vendosur që shpërblimet do të jenë më të mëdha se zakonisht për të motivuar arkitektë të njohur.
Komunës i është sosur durimi për projektin e bërë tash e sa kohë “mollë sherri”, kur në prill të këtij viti vendosi që sivjet të paktën të shpallte konkursin për projektin ideor, nëse nuk mund të bënte asgjë tjetër për investimin më të madh kulturor në kryeqytet dhe vend, transmeton ‘koha.net’.
Por përcaktimi për ish-objektin e “Gërmisë” sërish ka ngritur pikëpyetje në mesin e arkitektëve. Kështu, arkitekti Sali Spahiu nëpërmjet një reagimi ka tërhequr vërejtjen se adaptimi i objektit aktual të Shtëpisë së Mallrave do të ishte vetëm improvizim për sallën koncertale.