Restaurohet edhe filmi i njohur “Vitet e pritjes”, trajton emigrimin e hershëm

Arkivi Qendror i Filmit ka bërë me dije, se është drejt përfundimit procesi i restaurimit të filmit “Vitet e pritjes” (Shqipëria e Re, 1989).

Sipas njoftimit zyrtar, restaurimi është realizuar nga regjisori Steven Kastrissios (i njohur për publikun shqiptar, për realizimin e filmit të parë horror në shqip “Bloodlands”).

“Vitin e kaluar, Festivali i Filmit në Venecie dhe ai i Telluride, shfaqën premierë dokumentarin artistik TO THE MOON, nga Tadhg O’Sullivan, ku përfshihet edhe një segment i shkurtër nga VITET E PRITJES (1989) të Esat Musliut. Elementet origjinale u skanuan në laboratorin e arkivistit zviceran Reto Kromer, i cili, ka mbështetur përpjekjet tona nëpërmjet ACP – Projektit të Kinemasë Shqiptare që nga 2012” – thuhet në njoftim.

I shfaqur premierë në vitin 1990, në një kohë kur drama e emigracionit në Shqipëri po niste sërish, akoma me e fuqishme se ajo e viteve 1930, ky është bashkëpunimi i parë i regjisorit Esat Musliu me shkrimtarin Teodor Laço, bazuar mbi romanin e tij “Lëndina e lotëve”.

Një roman kushtuar emigracionit me ngjarje të ndodhura në vitet ’30-të. Temë kjo që është parë si plagë e shoqërisë dhe që Laços i pëlqente ta quante “operacion që bëhet mbi plagën e varfërisë”.

Skenaristi nuk kishte bashkëpunuar kurrë me regjisorin Esat Musliu, i cili aso kohe i kërkoi të bashkëpunonte dhe ai rekomandon pikërisht këtë roman, që përgjatë filmit iu shtuan shumë linja të reja, prej të cilave vlen të përmendet Magda e interpretuar nga Rajmonda Bulku.

Është mesi i viteve ’20. Gjon Kodri kthehet nga Amerika, por e ka të pamundur të integrohet përsëri në jetë. Me një shtëpi të braktisur, nënë të vdekur dhe motër të martuar shumë larg, ai nuk nga t’ia fillojë. Të gjithë e pyesin për emigrantë të tjerë që nuk kanë më lidhje me familjet, por ai rri i heshtur dhe nuk është në gjendje të komunikojë me ata që e rrethojnë.

Është ky sinopsi i filmit “Vitet e pritjes”, ku interpretojnë aktorët më të njohur të kinemasë shqiptare, si: Xhevdet Ferri, Sheri Mita, Margarita Xhepa, Stavri Shkurti, Birçe Hasko, Marjeta Ljarja, Vasjan Lami, Birçe Hasko, Rozeta Ferri etj. Teodor Laço nuk ngurroi asnjëherë t’i rrëfente atyre të vërtetën e autobiografisë që shkroi. Ai e kishte vuajtur plagën e kurbetit qysh në fëmijërinë e hershme. Ishte një djalë emigranti që nuk mundi ta njihte të atin, i cili e la vetëm gjashtë muajsh duke ikur dhe u kthyer pas 22 vjetësh në Shqipërinë që jetoi vetëm katër muaj, për të ikur sërish.

“Jam nga Dardha e Korçës, ky fshat tipik kurbetllinjsh që ka pasur lidhje të ngushtë me Amerikën dhe ku gratë rrisnin vetë fëmijët. Jam nga fshati i tragjedisë” , thoshte ai shpesh.

Është kjo arsyeja, pse ndihet kaq e theksuar në këtë film, ky element, me të cilin, Teodor Laço luan përmes metaforës me anë të këmbanës.

Të gjitha lajmet vijnë nëpërmjet tingullit të saj, që në film quhet edhe “këmbana e gjëmës”.

Një fakt ky, që na tregon dhe realitetin e asaj kohe sepse në fshat kur vinin lajme nga kurbeti, ajo binte në mënyrë të veçantë. Binte ngadalë dhe të gjithë familjet që kishin të afërmit e tyre në emigrim rrinin me zemër të ngrirë karshi të vërtetës së kobshme që do të dëgjonin. Gjëmën e përcillnin zakonisht burrat e moshuar të fshatit, sikundër në film ishin gjithnjë tre. Një traditë kjo, që e përcillte pleqësia në mënyrë që të lehtësohej mundësia për të dhënë lajmin e keq./konica.al