“Komunikimi satelitor #3”, poezi nga Jack Micheline

I dashur Charles:
Mora dje çeqet e tu
Nuk kërkoj gjykimin tënd për hebrenjtë apo Jetët e pandershme
Do ta vlerësoja nëse do t’i mbaje për vete mendimet e tua të forta
ama duke të njohur ty, është e pamundur.
Dua që ta dish se unë jam njeriu i vetvetes
pavarësisht se çfarë mendon
mund të përpiqesh të më blesh, ama ti nuk mund të jesh unë.
Nuk jemi aq të fortë dhe të shkëlqyer sa mund të jesh ti
Dobësia, turpi, dyshimet, kundërshtitë e mia janë
ndryshime të shpejta
mjedisore, unë jam luftëtar jo bythëlëpirës.
Shenjtor dhe Mëkatar, të gjitha në një.
Këto janë kohë të vështira tash
Nuk jam më djalë i ri dhe nuk mund të jetoj një jetë emocionuese
njashtu siç jam mësuar,
Ajo që admiroj tek njeriu është fisnikëria e tij, krenaria e tij. Më mungon
inteligjenca bazë
Jam kokëfortë, mizor sall me veten time,
Kështu që të kërkoj të jesh i duruar,
Gjithmonë kam qenë i ndarë midis dashurisë dhe urrejtjes,
Gëzimit dhe trishtimit.
Jeta dhe Vdekja, jeta nuk është lojë.
Me ose pa ty unë do të mbijetoj

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

KENNETH KOCH: NJË RECENSION