Komunistët e varrosën të gjallë, vetëm kokën ia lanë jashtë…

Foto ilustrim

Ata filluan të hidhnin karrot e dheut mbi trupin e drobitur të Sulës. Dëgjoheshin rënkimet e tij të mbytura. Kjo punë vazhdoi deri në mbrëmje, vetëm kokën ia lanë jashtë.

Në kampin e Shtyllasit, aty nga mesi i viteve ’50, të dënuarit hapnin një kanal buzë Vjosës, që ndodhej 5 kilometra larg kampit. Normës i shtoheshin çdo ditë edhe 10 kilometra rrugë që duhet ta përshkonin në këmbë.

Një lodhje aq e madhe sa, siç shkruan Reshat Kripa, kur ktheheshin në kamp, megjithëse uria ishte torturuese, nuk kishin fuqi as për të ngrënë. Megjithatë Sulejman Dizdari duhet ta përballonte këtë mundim edhe në kushtet e sëmundjes për shkak të mizorisë së toger Ademit, i cili, kur të sëmurin nuk e mbajtën më këmbët dhe u rrëzua, urdhëroi ta mbulonin me dhe.

Nëse ishe i dënuar i atij kampi dhe kundërshtoje, do gdhije në izolim me duart lidhur me hekura siç i ndodhi Allaman Hysës. 

Nga Reshat Kripa

Atë mëngjes Sulejman Dizdari u gdhi me temperaturë. U vizitua te doktor Isufi. Temperaturën e kishte tridhjetetetë gradë Celsius. Ai dha urdhër ta shtronin në infermieri. Aty pranë ndodhej toger Ademi, që një ditë më parë kishte bërë fjalë me Sulën. Kur mori vesh përse bëhej fjalë, ndërhyri:

-Tashti nuk mund ta shtroni. Është në forcën e atyre që duhet të shkojnë në punë.

Doktori këmbënguli, por ai nuk pranonte. Sula i shkretë u detyrua të nisej në punë. Ecte duke iu marrë këmbët. Kur mbërritëm te kanali, nuk kishte më fuqi. Si duket temperatura duhej t’i ishte ngritur shumë.

Im vëlla, Besniku, propozoi që ta linim të pushonte buzë kanalit deri në mbrëmje. Do të punonim më shumë ne të tjerët që të realizonin dhe normën e tij. Këtë ia thamë edhe rojes që na shoqëronte. Ai pranoi.

Afroi dreka. Ishte verë. Dielli të digjte. Mbërriti toger Ademi. Pa që Sula po rrinte shtrirë dhe urdhëroi që të ngrihej. Ai u ngrit, mori karron e dorës dhe e shtyu me mundim. Kur mbërriti te vendi ku shkarkoheshin, fuqitë iu prenë dhe ra në pirgun me dhe. Karrot e tjera që vinin nga prapa, ndaluan.

– Çfarë prisni, shkarkojini! – urdhëroi togeri.

Asnjë nuk lëvizi. Allaman Hysa, miku i Sulës, doli para dhe tha:

– Ai ashtë vëllau ynë. Ne nuk mbulojmë vëllanë tonë.

Togeri u xhindos. Dha urdhër të lidhin Allamanin. Pastaj u foli të tjerëve:

– Vazhdoni!

Asnjë nuk lëvizi. Si e pa që çdo urdhër ishte i kotë, shkoi dhe mori një skuadër me të dënuar ordinerë.

– Mbulojeni me dhe! – u dha urdhër.

Ata filluan të hidhnin karrot e dheut mbi trupin e drobitur të Sulës. Dëgjoheshin rënkimet e tij të mbytura. Kjo punë vazhdoi deri në mbrëmje. Zbuluar i mbeti vetëm koka. Para se të ktheheshim për në kamp, shokët nxorrën trupin e tij nga dheu dhe e çuan në krah. Ishte mrekullia e doktor Isufit dhe fati i tij, që e solli përsëri në jetë. Doktori, i revoltuar, i tha togerit:

– As na zistat nuk kanë bërë tortura të tilla.

Togeri desh ta ndëshkonte, por e shpëtoi ndërhyrja e komandantit të kampit. Allamani u gdhi disa net në qeli, i lidhur me hekura në duar. Ai i kushtoi poezinë e mëposhtme mikut të tij:

MIKUT TIM

Ty të mbuluan dje,
Diku në Myzeqe,
Të gjallë në një fushë,
Me dhe, o vlla me dhe!
Veç kryet përmbi tokë,
E kishe të pa flokë,
Duke soditur në flu,
Të gjithë  të mjerët shokë!
Dhe ti qëndroje aty
Duke na parë  në sy,
Nën dhe edhe mbi dhe,
Të gjthëve dy nga dy.
Mbi trupin e mbuluar,
Kalonin të ngarkuar,
Mjaft karro plot me dhe,
Me urdhër të mallkuar.
Ti bardhë si dëborë,
E ndieje dhimbjen prorë,
Të futej në trup në shpirt,
Dhe heshtje si i gjorë.
Në mbrëmje të nxorrëm ne,
Nga gropa plot me dhe,
Në krah të çuam në krah,
Martir i kohës së re!

*Shënim: marrë nga libri “Rini e Copëtuar-Kujtime” e Reshat Kripës /kujto.al

ObserverKult

———–

Lexo edhe:

AKADEMIA E SHKENCAVE: ISMAIL KADARE ËSHTË KANDIDATURA E VETME E SHQIPËRISË PËR ÇMIMIN NOBEL