Komunistët ia shkruanin Fan Nolit emrin gabimisht

Nga: Kastriot Dervishi

Prej vitit 1957, shokët e partisë dhe të pushtetit, e konsideronin Fan Nolin “politikan të vjetër dhe dallaveraxhi”.

Pavarësisht se kishin kaluar kaq e kaq vite të pushtetit “popullor”, përjashto shtypin e kohës, shokët e partisë e pushtetit as mësoheshin dot nëpër dokumente t’ia shkruanin emrin si duhej, Fan Nolit (1882-1965). Emrin ia shkruanin keq në këto forma: “Fanol”, “Fan’Oli”, “Fan-Noli”.

Sado pushteti “popullor” çeli kurse kundër analfabetizmit, kuadrot e tij rezultonin gjithnjë me probleme të pashërueshme në formimin kulturor të tyre.

Megjithatë, është fakt që Fan Noli vdiq si “armik” i pushtetit “popullor”. Emrin ia keqpërdorën për vitet e dështimeve politike të tij, sepse u duhej. Ama, nëse Fan Noli do të bënte gabimin të vinte në Shqipëri në vitin 1945, ai me siguri do të ishte shembull në gjyqet tipike si ai i deputetëve dhe do të dënohej me vdekje. Do të cilësohej “armik i popullit”, “sabotator i pushtetit” etj. Sot do ishim duke kërkuar eshtrat e tij. Shokët e ICMP-së (Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur) dhe ata të qendrës dokumenteve komunale që jetojnë në ciklonet e ideve, do të ishin shumë të motivuar për ndonjë fokusim apo narrativë noliste.

LEXO EDHE: TESTAMENTI I FAN NOLIT