Kur hapet dera e sallës, si në hije duken artistja në piano dhe një karrige përballë saj. Personi i cili do ta dëgjojë koncertin duhet të ecë midis rendeve të karrigeve të kinemasë së brendshme të “Lumbardhit”. Është qetë. Ai që e dëgjon koncertin është pjesëtari i vetëm në publik. E posa ulet përballë artistes nis të dëgjojë fjalët: “Mirëserdhe! Unë jam Agona dhe do të jap një koncert për ju”.
Kësisoj, Agona Shporta pasditen e së dielës ka mbajtur dhjetë koncerte me nga një njeri në publik. Dikush është koncentruar te instrumenti e disa të tjerë të çehrja e artistes derisa ka nisur të këndojë. Ata që kanë pasur fatin të jenë në publik, kanë përjetuar një eksperiencë të jashtëzakonshme. Përballë artistes që luante vetëm për një njeri. Ndjesia e tillë u është krijuar atyre që janë bërë pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Është titulluar “Edicioni tektonik”. Edicioni i 15-të dihet se kur do të hapet, por jo edhe kur do të mbyllet. Koncertet intime janë xhiruar krejtësisht. Do të jenë pjesë e një dokumentari që sipas planeve do të jepet pas një muaji. Paraprakisht secili person ka nënshkruar një deklaratë, nëpërmjet së cilës lejon që incizimi të përdoret për dokumentar. Ky proces veç ua ka shtuar intimitetin koncerteve, transmeton ‘koha.net’.
“Një muzikant, një dëgjues” është titulli i punës që organizatorët e festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” i kanë vënë projektit. Përderisa për organizatorët, projekti unik është një eksperiencë më vete, të njëjtën gjë e kanë përjetuar edhe dëgjuesit dhe artistja Agona Shporta. Ka alamet dallimi midis një koncerti me sallën plot dhe interpretimi përballë një personi.
Rita Bekqeli, e cila ka përfunduar studimet për gjuhë angleze e synon t’i vazhdojë ato jashtë vendit, ishte midis dëgjuesve të koncertit. Si person me nevoja të veçanta plot me disponim ajo ka drejtuar karrigen lëvizëse drejtë sallës. E disponimin e kishte edhe më të madh kur ka dalë pas 15 minutave. Nuk i ka marrë shumë kohë që të shkruajë një përshtypje të cilën mund ta përdorin organizatorët e edicionit të 15-të të festivalit “DAM”.
Bekqeli është një dashamirëse e koncerteve të muzikës klasike e asaj të lehtë. Agona Shportën i ka rënë ta dëgjojë edhe më herët kur ishte pjesë e publikut prej qindra vetash. Por përjetimi i së dielës, sipas saj, ishte më i veçanti. Mund të lexohej edhe në fytyrën e saj.
“Për dallim prej atij koncerti ku kishte më shumë njerëz, kjo ishte më personale dhe më intime”, ka thënë ajo. Madje edhe këngët i dukeshin më ndryshe. “Këngët e njëjta sot më dukeshin më të thella e më personale. Në një koncert gjithmonë ndihesh si me qenë i vetëm, por këtu isha tamam e vetme. Më ka pëlqyer shumë”, ka thënë Bekqeli. Në koncerte me numër të madh në publik, gjatë koncentrimit secilit mund t’i duket se interpretuesit po luajnë vetëm për ta. Këtë e përmend edhe Bekqeli. Por të dielën këtë ndjenjë e ka pasur të plotë.