Gazetarja Kozeta Kurti tashmë ka bërë traditë linjën e koncerteve “Albanian Pop Rock” me këngë të fonotekës së artë të muzikës së lehtë shqiptare. Çdo vit, “Albanian Pop Rock” prezantohet me një orientim të ndryshëm.
Pas muzikës së grupeve të viteve ‘90-të, u prezantua repertori i vajzave dhe grave; një vit më vonë disa prej dueteve më të bukur dhe këtë vit, formati ka përzgjedhur disa prej këngëve më të bukura të dashurisë, kryesisht të shkëputura nga repertori i Festivalit të Këngës në RTSH.
Mbrëmjen e 15 korrikut, në orën 20.30, në Amfiteatrin e Tiranës, 21 këngëtarë, 18 instrumentistë e këngëtare mbështetëse, do të sfidojnë nevojën e drejtë të tyre për të pasur përballë një publik të gjerë e të dedikuar, pasi do t’u duhet të këndojnë në një skenë të madhe, me nje numër të kufizuar spektatorësh, në mbështetje rigoroze të çdo mase të nevojshme për të ruajtur shëndetin e qytetarëve, transmeton ‘koha jone’.
Për këtë arsye, ky koncert nuk do të jetë i hapur për publikun e gjerë, por do të transmetohet në RTSH në një moment të dytë.