Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta, do të mbajë më 17 shtator një koncert në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Ky do jetë koncerti i parë që organizohet në stadiumin e ri në kryeqytet.
Një koncert i organizuar nga Ambasada Italiane, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Bashkia Tiranë. Artisti rrëfen emocionet e para koncertit.
– Më vjen mirë që shihemi edhe pse online, por së shpejti ballë për ballë, më 17 shtator, në koncertin që ju e keni lajmëruar në stadiumin Air Albania. Si ndiheni?
– Ndihem shumë mirë. Jam shumë i emocionuar dhe mezi po pres. Është gjithmonë një emocion i veçantë kur bëj koncerte në Shqipëri.
– Ç’mund të kemi detaje nga koncerti?
– Të gjitha këngët që publiku i do, do të jenë të gjitha. Do jenë dy orë koncert që përfshin 25 këngë. Para koncertit do të jetë një hapje e shfaqjes me Elhaida Danin. Po përgatis edhe një surprizë të vogël, por është më mirë mos ta them që tani.
– Jemi në 30-vjetorin e eksodit, që në të shumtën e herës është pasuar me histori suksesi, një ndër to patjetër jeni dhe ju..
– Shqipëria për fat të keq ka pasur vuajtje jashtëzakonisht të mëdha por para 30 vitesh shqiptarët ngritën kokën dhe thanë mjaft. Fillimi ynë para 30 vitesh ka qenë shumë i vështirë, por besoj se shqiptarët ja dolën mbanë. Besoj se jemi ende larg nga realizimi i plotë si shtet, por kemi bërë shumë rrugë në këto 30 vjet dhe unë e ndiej veten shumë krenar.
– Koncerti do të jetë falas për publikun, le ta ftojmë atë së bashku duke i treguar mënyrën se si mund të marrë pjesë?
– Koncerti është falas, mjafton vetëm të regjistrohesh në website për të prenotuar vendin, është gjë shumë e thjeshtë, kështu që për pak minuta mund të prenotoni vendin tuaj./Top Channel
LEXO EDHE: Ermal Meta zbulon detajet e koncertit që do ta mbajë në Tiranë