Koncertin ma paska anuluar Erdogani, Dren Abazi rrëfen “sekretin”

dren abazi

Dren Abazi është nga 41 personazhët e librit “41 Sekrete” të autorit Ben Blushi. Artisti ka rrëfyer për Blushin një episod të ndodhur në Tiranë pak kohë më parë.

Ai shkruan se e ka takuar këngëtarin në sheshin Skënderbej në Tiranë ku do të mbante një koncert i cili më pas është shtyrë për shkak të faljes së Bajramit nga ana e besimtarëve myslimanë.

ben blushi lako dren
Ben Blushi

Shkrimi i Ben Blushit:

Qëllova në një lokal në mesnatë. Në Tiranë.
Ku je, Ben Blushi, tha Dren Abazi.
Dren, ti po këndoje këtu?
Unë po këndoja, tha Dreni.
Këndo edhe pak për mua dhe miqtë e mi.
Shumë vonë, tha Dreni, e mbyllëm.
Nuk është shumë vonë, tani fillon nata, thashë unë.

Është ora 1 e natës, tha Dreni.
E po, unë po pi dhe një gotë, i thashë.
Mbase takohemi nesër, tha Dreni.
Nëse zgjohem herët, të bëj një zile dhe një foto, i thashë.
Dakord, tha Dreni.

U takuam.
A pive shumë dje, pyeti Dreni.
Deri në 3, thashë unë.
Dukeshe, tha Dreni.
Po ti, e pyeta.
Unë nuk pi shumë, tha Dreni.
Kur ke ardhur në Tiranë?
Kisha një koncert.
Ou! Nuk e dija.

Ishim te sheshi “Skënderbej”, ishte full, tha Dreni.
Do kisha ardhur, i thashë.
Pati një ngatërresë, koncerti u shty një javë.
Po pse u shty?
Ne kishim njoftuar për datën 28 prill dhe u bë në 5 maj.
Ça ndodhi?
Last minute na njoftuan që koncerti shtyhet me urdhër të Kryeministrisë.
Po ç’punë kishin me koncertin tënd?
Ngaqë sheshi duhej të ishte gati për faljen e Bajramit.
Po Bajrami ishte në datën 2 maj, i thashë.
Po skena jonë ishte shumë e madhe dhe nuk do zhvendosej dot në kohë për të zbrazur sheshin.

Paske pasur konkurrencë, i thashë.
Nuk e di pse s’na njoftuan më herët, tha Dreni.
Ta them unë, i thashë.
Ma thuaj, tha Dreni.
Këtë vit, Bajrami do falej në Xhaminë e Madhe, ngjitur me Parlamentin.
Atëherë, pse u falën në shesh, pyeti Dreni.
Sepse Xhamia e Madhe do inaugurohej nga Erdogani.
Po Erdogani nuk erdhi?

Pikërisht, thashë unë, meqë Erdogani nuk erdhi, Xhamia nuk u inaugurua dhe myslimanët u falën në sheshin “Skënderbej”.
Tani e kuptoj që koncertin ma paska anuluar Erdogani, tha Dren Abazi.
Këtë e the ti, i thashë.
E po, kështu i bie, tha Dreni.
Herë tjetër më fto mua në koncert, që të mos anulohet, thashë unë.
Po as ti s’më ke ftuar në festat e tua në Dardhë, tha Dreni.
Nga e di ti që kam bërë festa në Dardhë, e pyeta.

Ma ka thënë Ledio me Jonidën, tha Dreni, i kam miq.
Ou, Jonida na ka shpëtuar një herë në Dardhë, i thashë.
Pse, çfarë ndodhi, pyeti Dreni.
Ne kishim marrë një dj shumë të njohur, NU.
Nooo… NU është legendary, tha Dreni.
Po, por pas 5 këngëve, ai nuk mundi të luajë më.
Po habitem, tha Dreni.
Na shpëtoi Jonida, ajo luajti për ne dhe ishte fantastike, shumë më mirë se NU, thashë unë.

Jonida është një dj shumë e mirë, tha Dreni.
Unë e dua shumë, thashë.
Po mua, a do më ftosh kur të bësh festë tjetër në Dardhë?
Pa dyshim, thashë unë.
Promise, pyeti Dreni
Promise, thashë unë.
Edhe diçka, tha Dreni.
Çfarë?
Mos m’i nxirr sytë në foto, se i kam të skuqur nga mbrëmë.

Nuk t’i nxjerr, i thashë.
Promise, pyeti Dreni.
Promise, thashë unë.
E fundit, tha Dreni.
Çfarë ka akoma, pyeta unë.
Mos e trego atë punën e katunarëve, tha Dreni.
Nuk e tregoj, thashë unë.
Promise, pyeti Dreni.
Promise, thashë unë.

ObserverKult


Lexo edhe:

BEN BLUSHI: FANTAZMA E ENVER HOXHËS RIVJEN PËRMES NJË HISTORIE ME ANDI BUSHATIN