Në vazhdën e konferencave të zhvilluara në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi, arkivistët prej të gjitha trevave do të mblidhen në Boletin, Kosovë, në datat 10 dhe 11 qershor 2022.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) e Shqipërisë në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) njoftoi se do të organizojë Konferencën e gjashtë Mbarëkombëtare të Arkivistikës.
Drejtoresha e Evidencës Qendrore dhe Komunikimit të Shqipërisë në DPA, Elsa Saka tha sot në një deklaratë për mediet se “qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme”.
DPA-ja fton studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë të interesuarit e kësaj fushe të marrin pjesë në konferencë me studime, ide dhe propozimet e tyre.
“Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u drejtohet të gjitha profileve të tjera të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive”, tha Saka.
Abstraktet duhet të jenë jo më shumë se 300 fjalë. Ato do të pranohen deri më datë 1 prill 2022. Duhet të jenë në gjuhën shqipe ose anglisht në faqet zyrtare të dy institucioneve.
Temat e propozuara janë: Crowdsourcing: konteksti dhe metadatat e dokumenteve të krijuara prej përdoruesit; Automatizimi i arkivave dhe etika; Siguria kibernetike dhe administrimi i të dhënave; Risitë digjitale dhe shfrytëzimi i dokumentacionit; Zhvillimi i njëtrajtshëm përmes bashkëpunimit me komunitetin; Trashëgimia arkivore e përbashkët, përtej kufijve politik; Arkivat, përgjegjësia, aksesi në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale; Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore; Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare; Etika dhe arkivat; Ndryshimet klimaterike dhe arkivat; Trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional dhe Turizmi dhe promovimi i arkivave. /ATSH
ObserverKult
___________________
Lexo edhe:
HAPET KONKURSI, SË SHPEJTI VJEN ABETARJA E PËRBASHKËT KOSOVË-SHQIPËRI