Akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, priti në një takim akademik Mehmet Krajën, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Akademiku Kraja ishte i ftuar në Tiranë bashkë me grupin e punës së ASHAK për përgatitjen e konferencës së studimeve albanologjike, veprimtari e parashikuar në protokollin e bashkëpunimit midis dy institucioneve.
Kjo veprimtari duhej të ishte zhvilluar vitin e kaluar, por, për shkak të përhapjes së pandemisë u vendos të mbahej këtë vit.
Këshilli ndërakademik për përgatitjen e kësaj konference bashkëdrejtohet nga kryetarët e dy akademive dhe në përbërje të tij bëjnë pjesë drejtues të institucioneve shkencore kryesore të dy vendeve.
Në grupin përgatitor të caktuar nga Kryesia e ASHAK bëjnë pjesë: akad. Eqrem Basha, akad. Kujtim Shala, prof. dr. Lindita Rugova (dekane e Fakultetit Filologjik të UP) dhe prof. dr. Hysen Matoshi (drejtor i Institutit Albanologjik).
Në grupin përgatitor të caktuar nga Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëjnë pjesë akad. Pëllumb Xhufi, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, prof. dr. Artan Hoxha, rektor i UT; prof. dr. Suzana Golemi, rektore e USH; prof. dr. Skënder Topi, rektor i UE dhe akad. Marenglen Verli, rektor i ASA.
Në këtë takim të parë, që njëherësh konstitucionalizoi bashkimin e dy grupeve përfaqësuese në këshillin organizues të veprimtarisë, u vendos që konferenca e studimeve albanologjike të mbahet në fund të muajit nëntor këtë vit.
U vendos gjithashtu që në një të ardhme të afërme të krijohet këshilli shkencor i veprimtarisë me përbërje nga dy Akademitë dhe institucionet bashkëpunuese. Në këshillin shkencor do të përfaqësohen edhe institucione të tjera akademike dhe universitare.
Këshilli miratoi thirrjen për pjesëmarrje, e cila do t’u dërgohet qendrave kryesore të albanologjisë në botë dhe studiuesve albanologë individualisht.
Thirrja do të bëhet publike në rrjetet e dy akademive në shqip e anglisht. Në konferencë do të trajtohen çështje nga të gjitha fushat e studimeve shqiptare: arkeologji, letërsi, gjuhësi, antropologji kulturore, trashëgimi shpirtërore e materiale, identitet etj.
Gjatë takimit u përcaktua kalendari i komunikimit me albanologët dhe së afërmi do të vendoset për kriteret e pjesëmarrjes./ATSH
LEXO EDHE: Kujtimet e gjuhëtarit Bahri Beci: Si u shndërrua konferenca e drejtshkrimit në një kongres partie