Konferencë shkencore në 100-vjetorin e lindjes së Skënder Anamalit, themelues i arkeologjisë shqiptare

“Skënder Anamali e tërhoqi arkeologjinë atje ku për herë të parë u zbulua dhe u pranua botërisht ekzistenca e një shtrese kulturore të kapërcyellit prej ilirëve tek arbërit”.

Kështu u shpreh sot kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, në konferencë e organizuar në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Skënder Anamali, themelues i arkeologjisë shqiptare. “Jemi sot këtu së bashku të kujtojmë e të nderojmë, në 100-vjetorin e lindjes së tij, një prej figurave qendrore të arkeologjisë shqiptare, jo vetëm në pikëpamje të kronologjisë, të kohës kur nisi veprimtarinë e tij si kërkues pasionant, por mbi të gjitha për rolin që ka luajtur dhe kontributet që ka dhënë për këtë shkencë relativisht të re të albanologjisë shqiptare si paraprijës i saj. Profesorët Skënder Anamali, Hasan Ceka, Frano Prendi dhe Selim Islami me plot të drejtë njihen si dekanët e arkeologjisë shqiptare, ose katër manjifikët, siç i ka quajtur në programin e kësaj konference miku ynë Neritan Ceka”, – tha Gjinushi.

Gjinushi u shpreh se “sot Skënder Anamali do të ishte 100 vjeç. Ai u nda nga jeta një çerek shekulli më parë. Por koha që ka kaluar kontributet e tij vetëm i ka lartësuar, ashtu si tërë brezninë e dijetarëve me të cilët e bashkoi rrjedha e jetës dhe rruga e suksesit”.
Para së gjithash, vijoi Gjinushi, Skënder Anamalit dhe katër bashkëthemeluesve të arkeologjisë shqiptare u dedikojmë meritën që e kthyen këtë shkencë dhe shërbim nga ekskluzivitet të dijetarëve të huaj, si Luigi Ugolini e Leon Rey, në dituri e kërkim të vendësve: e kthyen arkeologjinë shqiptare në atdheun e vet, e bënë shkencë edhe të shqiptarëve.“Skënder Anamali dhe brenzia e tij ka meritën e jashtëzakonshme, që e shndërruan arkeologjinë nga një shkencë në kërkim të qytetërimeve të lashtësisë, para së gjithash të pranisë së kulturave antike greke dhe romake në hapësirën historike shqiptare, në dije të mirëfilltë albanologjike, pjesë të albanologjisë si shkencë e burimit dhe identitetit shqiptar”, shtoi ai.

Më tej Gjinushi u shpreh se “shumë herë përmendet si meritë e rëndësishme e Skënder Anamalit dhe e breznisë së tij identifikimi i pranisë së romanitetit kulturor në trashëgiminë e hershme parashqiptare. Por meritë edhe më e madhe e tij është shpërngulja e kërkimeve arkeologjike nga vija bregdetare në hinterland, në prapatokë, atje ku burimet arkeologjike mund të çonin në një shtresë më të pandikuar prej qytetërimeve të mëdha të kohës. Ashtu si Hasan Ceka e çoi arkeologjinë në Selcë, ashtu Skënder Anamali e tërhoqi atë në Mat e Stelush, në Lin e deri në Kosovë, por para së gjithash në Koman, atje ku për herë të parë u zbulua dhe u pranua botërisht ekzistenca e një shtrese kulturore të kapërcyellit prej ilirëve tek arbërit, shtresë që provonte edhe vazhdimësinë tipologjike të tyre”.

“Skënder Anamali jo vetëm zbuloi site arkeologjike që pasuruan hartën e qytetërimit të lashtë shqiptar, por dhe i promovoi ato në konferenca shkencore ndërkombëtare në gjithë Europën dhe mbi të gjitha e sistemoi, certifikoi dhe e paraqiti për qytetarin e thjeshtë në muzeumet më të hershme të themeluar në Shqipëri, që nga muzeu arkeologjik deri tek Muzeu Historik Kombëtar. Në pjesën më të madhe të saj vepra e Skënder Anamalit është botuar e paraqitur para një lexuesi të huaj, të interesuar për pozicionin e iliricitetit në kulturën material krahasuar me shtresat greke, romake, hebreje e të mëvonshme, shtresa që lidhen me kryqëzatat dhe dyndjet e popujve”, – tha Gjinushi.

Gjinushi u shprehu mirënjohje për veprën dhe jetën e Skënder Anamalit, për bashkudhëtarët e tij në rrugën e themelimit të arkeologjisë shqiptare, të kthimit të saj nga dije pasioni në shkencë të disiplinuar, të hapjes së udhëve të mëdha për studiuesit e sotëm të kësaj fushe të vështirë./ATSH

LEXO EDHE: Letra që Mid’hat Frashëri i drejtoi drejtuesit të Konferencës së Paqes në Paris