Konfuci, ‘perandori’ i virtytit

Konfuci lindi në vitin 551 p.e.s. në Shtetin e Lusë (sot pjesë e provincës së Shangdong), në Kinë. Ishte bir i një pjesëtari të familjes Kong, komandant i lartë i ushtrisë së Lusë, dhe i një vajze të re për të cilën dihet vetëm që vinte nga familja Yan. Emri i vërtetë i Konfucit ishte Kong Qiu: pasi u pranua si mësues, ai mori emrin Kong Fuzi, mësuesi Kong. Emri Konfuc është thjeshtë latinizimi i emrit të tij kinez nga ana e jezuitit Matteo Ricci, misionar në vendin e madh lindor, në vitet 1582 deri në 1610.

Ishte mësuesi themelues i Konfucianizmit, një fe e lindur si reagim ndaj një nevoje për rend, që ndihej shumë në një periudhë historike veçanërisht të trazuar për Kinën. Prej këtu u përhap më vonë edhe në Kore dhe Japoni.

Në kërkim të virtytit

Konfuci mbeti jetim që fëmijë; sipas atyre që kujtonte në maksimat e tij, ai pati një fëmijëri të vështirë dhe për të mbijetuar iu desh të merrej me punë të ndryshme dore. Në moshën 19 vjeçare u martua me një vajzë e cila i dha shumë shpejt dy djem; në atë periudhë hyri në administratën e shtetit Lu. Nuk ka shumë lajme në lidhje me karrierën e tij, por duket se, nga një pozicion llogaritari të thjeshtë, ai mori postin e mbikëqyrësit të hangarëve, të fushave dhe të tufave publike të bagëtive të klanit të Jihuanzisë, duke u bërë në fund një funksionar distrikti. Ngjitja e tij përfundimtare ndodhi kur u emërua Ministër i Punëve Publike dhe, pak më vonë, Ministër i Drejtësisë.

Kjo e fundit, ndryshe nga çfarë mund të duket, ishte një detyrë me rëndësi mesatare. Ndonëse Konfuci mund të merrte pjesë në disa dëgjesa të Princit të Lusë, në të vërtetë ai ishte një vartës i kryeministrit. Pavarësisht kësaj, ai ushqeu shpresën që, nga ky pozicion, do të mund të çonte deri në fund një projekt të madh reformash të shtetit dhe shoqërisë.

Kina përjetonte atëherë të ashtuquajturën periudha Chunqiu (Pranvera dhe Vjeshta) në vitet 722-481 p.e.s., një epokë paqëndrueshmërie e shenjuar nga rënia e dinastisë perandorake të Zhousë, e ngacmuar nga grupe tribalë të rajonit perëndimor. Kjo situatë i kish hapur rrugë lindjes së dukateve të vegjël, të angazhuar në luftëra të vazhdueshme, që përfshinë shumë familje të mëdha feudale, viktima të kryeministrave ambiciozë.

Dëshmitar i kolapsit të qytetërimit kinez, Konfuci u bë promotor, nga pozicioni i tij në qeverisje, i një politike që synonte rivendosjen e rendit dhe harmonisë së shoqërisë. Receta e tij ishte, në dukje, shumë e thjeshtë: bëhej fjalë për t’u rikthyer në vlerat e një epoke të lashtë, në fillesat e dinastisë Zhou, gjatë të cilës qeveria kishte demonstruar një respekt skrupuloz për ritualët e trashëguar nga dinastitë e mëparshme, si Shang. Koncepti i ritit, sipas Konfucit, përveç se kishte konotacion fetar, mund të interpretohet edhe si ruajtje e zakoneve të paraardhësve, që janë në themel të kulturës kineze. Respekti për ritualin ishte për të, një mënyrë për të ruajtur rendin kozmik. Qeveria duhej të bazohej mbi virtutin dhe mbi respektin e fortë për ritualin; vetëm në këtë mënyrë do të ishte e mundur të ruhej harmonia në shoqëri dhe në univers.

Për Mësuesin e Madh, nëse një mbret qeveriste nëpërmjet virtytit, atëherë ligjet do të ishin të panevojshëm, për arsye se të qeverisurit nga ai nuk do të guxonin të ishin të pandershëm. Në fakt, si ministër i Lusë, Konfuci u përpoq gjithmonë që të bënte të respektoheshin ritualët. Në një rast ai mori pjesë si ambasador në një takim me një princ të një shteti fqinjë, por kur mbërriti, kuptoi se ky ishte paraqitur i shoqëruar nga trupa të një populli jokinez, Lait, të cilët Konfuci i konsideronte barbarë.

Ministri kërkoi që princi të tërhiqte Laitë, duke i vënë në dukje se “barbarët do të provokojnë mjerim mes popujve kinezë”, si dhe e sinjalizoi që, “nëse vazhdonte kështu do të ishte i mallkuar nga pikëpamja e shpirtërave, si dhe i papërshtatshëm nga këndvështrimi i njerëzve”, një “shkelje morale”.

Sovrani pranoi që të tërheqë ushtarët dhe marrëveshja u firmos, por më vonë lindi një tjetër fërkim. Princi organizoi një pritje për të gjithë zyrtarët me detyra të larta, por sipas Konfucit, vendi i zgjedhur nuk ishte i përshtatshëm dhe sendet e porcelanit në dispozicion nuk ishin ata të duhurit, për të festuar banketin në përputhje me ritet e vendosur: “Një banket duhet të shërbejë për të iluminuar virtytin. Nëse kjo nuk është e mundur, më mirë të mos festohet”.

Mendimtari udhëtues

Këmbëngulja e Konfucit për respektimin e riteve, si dhe sjellja e tij e ngurtë morale, e bënë atë një figurë të parehatshme për qeveritarët e vetë shtetit të Lusë. Edhe propozimet e tij politikë nuk u ndoqën. Sipas Mencios, që ka jetuar në shekullin IV p.e.s dhe i konsideruar si vazhduesi i rrugës së Konfucit, sovrani i Lusë “nuk miratoi masat e propozuara nga Konfuci, dhe as nuk përfitoi nga talenti i tij”, dhe shton se ata që e njihnin ministrin, e kuptuan se “duhej që të largohej sepse qeveritarët e Lusë kishin vepruar në kundërshtim me ritet”.

Nga burimet rezultojnë dy rrethana të ndryshme, gjatë të cilave Konfuci braktisi pushtetin në vitin 497 p.e.s. Sipas “Dialogëve” (Lun Yu, një përmbledhje e thënieve të tij), largimi i tij ishte i lidhur me mosinteresimin që ai pa kundrejt qasjes morale të kryeministrit të Lusë, i cili pranoi këngëtare dhe valltare si dhuratë nga shteti fqinjë, dhe u argëtua me to për tre ditë me radhë, duke i lënë kështu pas dore detyrat e tij në pallat. Sipas Mencios, në fakt, gjatë festimit të një flijimi, Konfucit nuk iu ofrua asnjë copë mishi, një shenjë e dukshme e rënies së tij. “Dhe kështu u largua menjëherë, pa patur as kohën që të hiqte kapelën e ceremonisë”.

Konfuci vendosi për më tepër që të largohej nga Luja: ishte 54 vjeç. Në trembëdhjetë vitet që pasuan, udhëtoi në kërkim të një sovrani në gjendje të vlerësonte aftësitë e tij. E shoqëronin disa dishepuj, të cilët spikasnin për formimin e tyre të shkëlqyer në disiplina të tilla si diplomacia, ekonomia dhe administrimi; u mendua se objektivi i tij ishte ndoshta që të krijonte një zyrë administrative, që do ta ndihmonte të qeveriste një territor në respekt të virtytit. Megjithatë, Konfuci nuk pati shumë fat. Gjatë njërit prej këtyre udhëtimeve, një burrë i moshuar, një herë e pyeti: “Përse je kaq i shqetësuar? Del vërdallë për të vënë në provë dhuntitë e tua, për të bindur të tjerët?” Konfuci u përgjigj: “Thjeshtë më shqetëson fakti që bota angazhohet shumë për të qenë kaq injorante”. Në fund ai hoqi dorë nga shpresa për të ndikuar mbi politikën e kohës së tij: “Përse ju shqetëson fakti që unë nuk kam një post? Bota jeton prej shumë kohësh pa një sjellje morale”, u tha një herë dishepujve të tij, duke shtuar: “Qielli do të përdorë mësuesin tuaj, si një shkop të drunjtë në një këmbanë të bronxtë”. Me këtë imazh i referohej atij që i interesonte më shumë, misionit të tij filozofik dhe moral: qëllimi ishte që të zgjonte bashkëkohësit e tij, ndaj një jete autentike morale.

Një doktrinë barazitiste

Doktrina e Konfucit nuk kufizohej në respektin e riteve tradicionalë, por nxiste edhe një refleksion mbi jetën morale të qenies njerëzore, përtej hierarkisë sociale. Njeri i mirë nuk ishte ai që lindte në shtresat e sipërme të shoqërisë, por ai që demonstronte se kishte një sjellje morale të përsosur, të shoqëruar me arsimim.

Në këtë mënyrë, Konfuci favorizonte ngjitjen sociale sipas meritës; intelektualët do të merrnin kontrollin e qeverisë, duke e këmbyer fisnikërinë e gjakut me atë të virtytit. Kjo gjë shpjegonte tërheqjen që Konfuci ushtronte mbi nxënësit e tij, që kishin origjina shoqërore shumë të ndryshme: ishin aristokratë dhe bij kalorësish, por edhe tregtarë, muratorë, artizanë dhe ushtarë. Të gjithë e quanin mësuesi, “zi”, dhe vetveten e konsideronin si dishepuj, “tu”. Konfuci i konsideronte bashkëbisedimet e tij me ta, më të rëndësishëm se çfarëdolloj gjëje tjetër. Thoshte: “Të mos flasësh me një person në gjendje të përthithë atë që i themi, është njësoj si ta çosh dëm. Dhe të flasësh me dikë të paaftë që të asimilojë atë që i themi, është njësoj si të çojmë dëm fjalët tona”. Konfuci pati një marrëdhënie shumë të ngushtë me nxënësit e tij. Yan Hui ishte padyshim më i vlerësuari; vdekja e tij e parakohshme i shkaktoi një tronditje të thellë.

Konfuci u kthye në atdhe në vitin 484 p.e.s. dhe aty vazhdoi të japë mësim. Megjithatë nuk la asnjë vepër të shkruar: Dialogët u mblodhën nga breza dishepujsh pas vdekjes së tij. Aspiratat politike të Konfucit nuk u përkthyen asnjëherë në fakte, dhe pak nga pak ai u konsiderua vetëm një i Urtë Suprem. Në këtë mënyrë, perandorët kinezë arrinin që të neutralizonin pushtetin nënshtrues të mësimeve të tij politikë dhe të ndërtonin një Konfucianizëm të zbutur, si bazë për qeverisjen e tyre, që mbijetoi si “fe e shtetit” për më shumë se dy mijëvjeçarë deri kur, në vitin 1912, perandori i fundit i Kinës, Pu Yi, u detyrua që të heqë dorë nga froni. / Storica – Bota.al