Konica i shkruan Goluchovskit: Jeni të painformuar për çka po ndodh në Shqipëri

doto faik konica mjeshtri i penes
Faik Konica

Letër e Faik Konicës dërguar Baron Goluchovski, Ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë, në gjuhën frënge.

Për lexuesit e ObserverKult, ekskluzivisht e sjell në gjuhën shqipe, prof. Ismail Ismaili

ALBANIA

Zotëri Baron,

Duke rilexuar letrën tuaj të cilën patët nderin  të ma shkruani, kam përshtypjen që në Vjenë janë tërësisht të pa informuar për çfarë po ndodh në Shqipëri. Mund të themi pa lajka që personeli juaj konsullor nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër sa i përket kompetencave dhe zellit, por me gjithë situatën jo të favorshme, konsujt tuaj do t’ia dilnin të shmangnin disa disavantazhe.

Sikur të mësonin thjesht, tërë atë çfarë është e favorshme për ju, nuk është e pamundur që për t’i njoftuar me rrjedhat të mos kenë gjetur njerëz të sinqertë që do të informonin mbi triumfet e fituara nga kundërshtarët e ndikimit tuaj, triumfe pak të zhurmshme por solide. 

I jap veti lirinë që të paraqes për Shkëlqesinë Tuaj një pasqyrë mbi situatën politike aktuale në Shqipëri.

Faktorët e ri politikë këtu janë modifikuar tërësisht, edhe gjendja mendore, por edhe forcat përkatëse të të dy palëve. Atje i kam vërejtur këto ndryshime dhe do të mjaftohesha të them që qortimet që ishin thënë në letrën e Shkëlqesisë Suaj sa i përket Shqipërisë, shumë më mirë do të ishte t’u drejtoheshin faktorëve në fjalë. 

Fakti kapital që karakterizon fazën e re të çështjes shqiptare është interesi personal shumë i gjallë që këtu bart sovrani i një Fuqie fqinjësore : dua të them i një shqiptari i lidhur me shtëpinë papale të Venedikut e cila ka lidhje me Oborrin e Italisë dhe se mbreti Viktor Emanuel me një vëmendje të shtuar përcjell çështjet e Shqipërisë.

Ai lexon të gjitha ato çfarë shtypen dhe që seriozisht trajtojnë çështjen. Kur një kryetar shteti rezervon kujdes të jashtëzakonshëm për të studiuar një problem politik, është më se e sigurt që Qeveria nuk mund të qëndrojë indiferente. Dhe faktikisht, të gjithë në Shqipëri mund të dëshmojnë për peshën e veprimtarisë italiane.

Sot ne jemi larg nga droja pajtuese e ministrisë së Di Rudinit. Italia, në të njëjtën kohë me veprimet e veta merr, përballë ligësive sistematike të Qeverisë turke, edhe një qëndrim thjesht patriotik për të drejtat shqiptare, korrigjon gabimet e së kaluarës duke i siguruar një hapësirë të gjerë gjuhës kombëtare në shkollat e saj. 

Nga ana tjetër, Italia ka përparësitë e veta duke qenë një fuqi neutrale sa i përket religjionit dhe këtë avantazh me kujdes të madh e përdor për t’i pajtuar shqiptarët jokatolikë, të cilët janë tridhjetë herë më shumë se sa bashkëkombësit e tyre katolikë. Por, para se gjithash Italia ka ditur të përfitojë nga pakënaqësitë e mëdha të shkaktuara së fundi nga politika juaj, tek partizanët më të sinqertë të ndikimit tuaj.

Popullariteti Juaj në Shqipëri kryesisht është mbështetur në besimin tek ju dhe se një ditë, do ta shfrytëzonit rastin e parë që t’ju ofrohej për të kërkuar në favor të shqiptarëve një pjesë të të drejtave modeste të cilat kombet tjera nën Turqinë i gëzojnë që prej shume kohësh. Kemi besuar  që ky rast është prezantuar më shumë se një herë kohëve të fundit dhe jemi zhgënjyer kur vërejtëm që tërë progresi ynë u kurorëzua me mbylljen e shkollës së çunave në Korçë, shkolla jonë e vetme. Dhe ajo u mbyll për shkak se ishte në favor të ndikimit austriak.

Në vazhdën e kësaj partizanët e Italisë kanë përhapur insinuata në të gjitha anët që “Austria nuk ka bërë asgjë” (citoj fjalët e tyre) “kjo është vetëm një imitim i asaj çfarë bëri Italia” dhe ata marrin si shembull katedrën shqiptare në Shkollën e gjuhëve orientale të Napolit e cila është hapur pesë vjet para se të hapej e njëjta në Vjenë.

 E di që këtu ka më shumë ngjasime se sa të vërteta. Pasi që më kujtohet mjaft mirë kur Shkëlqesia Juaj më pati fol, që në vitin 1897, për një projekt të katedrës shqiptare dhe nëse nuk gabohem, i vetmi motiv i vonesës ishte vështirësia për të siguruar profesorë. Fatkeqësisht opinioni publik popullor nuk shkon me tej se ngjasimet. 

Ajo çfarë është më serioze tani, ka të bëjë me konstatimet që fatkeqësisht agjentët tanë konsullor i lënë anash faktet dhe shtiren të pafajshëm.  Na mbetet vetëm të shënojmë numrin e familjeve shqiptare të rrënuara nga një vizitë e një shtrëngim duarsh me konsujt tuaj.

Tek ne, jemi të indinjuar, gjithashtu të befasuar, kur shohim Qeverinë turke që asimilon konspiracionin e fakteve duke qenë e sjellshme me përfaqësuesit e Austrisë dhe nuk e kuptojmë përse ju lejoni këto fyerje indirekte. Njerëzit e arsyeshëm dhe të cilët janë në rrjedha të proceseve turke, e dinë që është e vështirë të kërkohet një përmirësim, thjesht nga motivi që turqit janë gjithnjë të gatshëm të mbështesin idenë që arrestimet janë bërë për shkaqe tjera; gjithashtu njerëzit e ndjeshëm ankohen vetëm për një çështje : ata pyesin vetveten përse konsujt tuaj nuk qëndrojnë në strofujt e tyre, kur e dinë që janë të dyshimtë dhe që sjellin gjithnjë fatkeqësi aty ku shkojnë? 

Këto fakte dhe shumë të tjera, që besoj se janë të panevojshme t’i numëroj, janë operuar nën dorë, me një kënaqësi të rrallë, nga kundërshtarët e ndikimit tuaj, të cilët, kujdesen të mos bëjnë gabimet e njëjta. Ata janë në rrjedhë që Qeveria juaj, më vjen keq që e them këtë, fillon të konsiderohet nga shqiptarët me shumë ndjenja të cilat janë shumë të dukshme, dhe thënë shkurt, sot situatat kanë ndryshuar dhe ju e tani merrni vendin e Italisë që ajo e kishte më parë, karshi jush disa vjet më parë.

Do të kthehem edhe njëherë tek letra Juaj dhe do të citoj një fjali e cila përmbledh të gjitha: “Shqipëria largohet gjithnjë e më shumë nga programi i kësaj reviste që është rekomanduar për simpatinë tonë”. Ky program konsistonte, nëse nuk gabohem, në dy pika : I. Zhvillimi, përmes gjuhës, i ndjenjave kombëtare të popullit shqiptar. II. Të përpiqemi që të lindin, tek shqiptarët, ndjenjat e miqësisë dhe të mirënjohjes karshi një Fuqie e cila dëshiron të na ndihmojë në përpjekjet tona kombëtare.

Pjesa e parë e programit është përmbushur dhe këtë guxoj ta them me disa suksese. Besoj që nuk do t’i mbesim në qafë “Albania-së” që ka publikuar tekste më pak popullore. Nuk duhet ta humbim nga sytë, që në gjendjen aktuale të gjërave, publiku shqiptar i cili lexon, përbëhet vetëm nga disa njerëz të cilët tashmë kanë disa instruksione dhe që njohin të gjithë apo disa të dy gjuhët e huaja: funksionarët, priftërinjtë, mësimdhënësit, studentët etj.

Prandaj, nëse kufizohemi për të publikuar fabula dhe tekste djaloshare nuk do t’i interesonin askujt. Megjithatë, kam kujdes që të mos botoj më shumë se dy artikuj në secilin fashikull. Është më se evidente që sikur gazeta të kishte të drejtë të hynte lirisht në Shqipëri, do të duhej pra t’i drejtohemi një publiku më të përgjithshëm, pra të zbresim në një nivel më popullor.

Për ta vënë në zbatim pjesën e dytë të programit, kam bërë të gjitha përpjekjet që një njeri do t’i bënte. Nuk më takon të them deri në çfarë pike ia kam dal. Por më mbetet të them sinqerisht, përse ka pasur një ndërprerje në vazhdimësinë e këtij qëllimi. Unë vazhdoj të besoj që është në interes të popullit shqiptar që ndikimi austriak të jetë i vazhdueshëm në Shqipëri.

Por është evidente që për ta mbrojtur një çështje, duhet që ajo të mos jetë e pambrojtshme në sytë e popullit. Jo vetëm në faktet në vazhdim për të cilët fola, Italia ia ka dal të luaj lojën, por ju vetë në disa pika furnizoni disa njerëz me mjete për të zhbërë atë që është bërë njëherë. Për shembull, ia dola që të pranoni se italo-shqiptarët, shtetas të Italisë, nuk kishin pse të intervenonin në çështjet e Shqipërisë. Njëri nga mbrojtësit tuaj të ri nuk humb asnjë rast për të ngritur prestigjin e këtyre italo-shqiptarëve. Nëse politika juaj konsiston në krijimin e armiqve në Shqipëri dhe të zhbëjë atë çfarë është bërë në interesin tuaj, me gjithë vullnetin më të mirë të botës nuk mbetet asgjë për të shkruar?

Sa i përket jo rregullsive të publikimit të “Albania-s”, pohoj se jam shumë i gabuar. Përpiqem të shtoj që XII fashikujt do të dalin në dritë së shpejti.

Lus Shkëlqesinë Tuaj, Zoti Baron, të pranoni përshëndetjet më të sinqerta, respektin dhe devotshmërinë e sinqertë.

Faik Konica

Londër, më 5 dhjetor 1903 

 (Nga gjuha frënge Ismail Ismaili)

ObserverKult