Konica: Shkolla e Jezuitëve në Shkodër, një ishull mësimi në mjedis të padijes

Në revistën “Albania”, pas një shkrimi kundër klerit të huaj katolik, Faik Konica, i cili kishte studiuar për disa vite në Kolegjin Saverian, ndër të tjera shkruan: Shkolla e madhe e Jezuitëve në Shkodër është porsi një ishull mësimit në mjedis të padijes që është rreth e rreth në Shqipëri. Kontributi i Kolegjit Saverian është i patjetërsueshëm në kulturën e në arsimin shqiptar, por në fillim le të paraqesim se si u krijua ai.

Në vitin 1878, përveç shkollave kishtare, Shkodra nuk kishte një shkollë që t’u mësonte djemve dije më të zgjeruara se ato që merreshin në shkollat fillore (edhe ato të pakta në numër). Prandaj, disa nga familjet e njohura të qytetit, i kërkuan Misionit Jezuit të bënte edhe në Shkodër atë që kishte bërë prej shekujsh në Evropë e Amerikë: Të arsimonte të rinjtë. Por, në vitet kur u shtrua kërkesa, kushtet që kjo të realizohej, nuk ishin krijuar akoma.

Një komision i krijuar nga 22 përfaqësues të familjeve më të njohura katolike, takohet me drejtorin e financave të Vilajetit të Shkodrës, zotin Çapaliti. Ndrekë Çoba, i cili ishte i vetmi që dinte frëngjisht ashtu si Çapaliti, fliste në emrin e 22 anëtarëve të komisionit. Çapaliti, mes të tjerash, pyeti se sa shkolla të mesme kishte në Shkodër. Asnjë, – iu përgjigjën njëzëri anëtarët e komisionit, pasi Ndrekë Çoba përktheu pyetjen e shtruar nga Çapaliti, i cili vazhdoi më tej duke pyetur se ku arsimoheshin të rinjtë shkodranë. Ndrekë Çoba u përgjigj se ato familje që duan t’i japin shkollë fëmijëve, duhet t’i çojnë jashtë. Çapaliti u tha që të interesoheshin pranë Jezuitëve, të cilët në atë kohë kishin hapur Seminarin Papnor të Shkodrës.

Rasti që ky favor t’i kërkohej Jezuitëve nuk vonoi. Atë Anton Zamboni kishte dëshirë që të rriste kishën e tij dhe i kërkoi ndihmë Kongregatës së Zojës Nunciatë, e cila mblodhi nëpër qytet një shumë të madhe të hollash më të cilat Atë Zamboni ia arriti qëllimit.
Atë Zamboni ia diti shumë për nder familjeve shkodrane dhe kështu kërkoi për ndonjë mënyrë si t’ua shpërblente. Kështu, mblodhi përfaqësuesit e familjeve më të njohura katolike të Shkodrës dhe i pyeti se çfarë mund të bënte ai për to. Ato i thanë fjalët e Çapalitit si një dëshirë dhe nevojë për Shkodrën. Atë Zamboni u dha mbështetjen e tij maksimale për nismën e vlefshme. Kështu, pas kërkesës së Atë Zambonit, një prift i ri, mësues pranë jezuitëve, Atë Luigj Mazza dha 1100 napoljona të cilët përbënë kapitalin themeltar për ndërtimin e një shkolle tregare, e cila përbën gjenezën e asaj, që më vonë do të bëhet Kolegji Saverian, transmeton ‘konica.al’.

Në 1877, në Kishën e Jezuitëve, u mblodhën familjet e 30 nxënësve të cilëve iu prezantua Kolegji nga ipeshkvi Pooten dhe A. Zef Lombardini me emrin e pajtorit jezuit Françesk Saveri. Logoja e Kolegjit ishte një shqiponjë me dy krerë mbi të cilën ishte shkruar “PËR ATME”, djathas “PËR PËRPARIM” ndërsa majtas “PËR ZOT”, ndërsa në brendi të saj ishin të vizatuara stema e Jezuitëve, figura e Françesk Saverit dhe poshtë tyre një kullë, e cila në atë kohë ishte stema e Shkodrës.

Kolegji u mirëprit nga populli aq shumë, sa në asnjë mënyrë nuk do të pranohej prej tyre që ai të pushonte së funksionuari për asnjë arsye, aq më tepër financiare. Kështu, për të siguruar burime të mjaftueshme financiare, u ngrit një komision i cili veproi për disa vjet. Komisioni përbëhej nga:

Sima i Zef Simonit
Cin Suma
Gjokë Muzhani
Simo Shiroka
Ndrekë Melgushi
Ndrekë Shiroka
Pashko Saraçi

Komisioni filloi të shkërmoqej pasi disa nga anëtarët e tij vdiqën. Kolegji filloi të kishte probleme ekonomike dhe familjet shkodrane shprehën sërish kërkesën që Kolegji të mos shuhej. Kështu në vitin 1888, Austria lidhi një shumë prej 4000 franga ari për Kolegjin. Kjo shumë thuajse u dyfishua në vitin 1900. Kjo gjë bëri që Kolegji të ishte pa pagesë, ndërkohë që më parë nxënësit paguanin për studimet e tyre. Nga viti 1919 Italia zëvendësoi Austrinë në dhënien e ndihmave për klerin katolik, përfshirë edhe Kolegjin Saverian.

Kolegji vazhdoi t’i shërbente Shkodres deri në 1946 kur u mbyll nga regjimi komunist për t’u hapur sërish në vitin 1992 me emrin e jezuitit të madh shqiptar Atë Pjetër Meshkalla.

Nga Andreas Dushi