Kontributi i Kostandin Kristoforidhit në gjuhësinë shqiptare

Nga Bledi Filipi

Kristoforidhi është një nga përfaqësuesit  më të rëndësishëm të  Lëvizjes Kombëtare të Shek.XIX. Ai luajti rolin më të rëndësishëm  gjatë asaj periudhe atë të lëvrimit të gjuhës shqipe. Bëri një punë të madhe  për mbledhjen e leksikut, për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojëshme dhe pasurimin me fjalë të reja  të bazuara në dialektet e shqipes. Me të drejtë prof .M.Çeliku  thekson: ”Ai është themeluesi i gjuhësisë shqiptare. Emri i K. Kristoforidhit zë vend të parë dhe vend nderi  gati në të gjitha fushat e gjuhësisë”   [1]

Vepra e Kristoforidhit mund të ndahet në tri kategori:  përkthime fetare, shkrime për shkollat, vepra shkencore. Përkthime : Kristoforidhi qe një shqipërues i  zoti, i cili  përktheu në të dy dialektet e shqipes “Dhiatën e re “ (1866-1879). Po kështu ai përktheu edhe “Psalterin” (1868-1872). Disa pjesë të “Dhiatës  së Vjetër”  i  përktheu vetëm në dialektin toskë. Këto përkthime përçojnë vlera gjuhësore.

 Shkrimet shkollore: “Abetarja” (1872)  u botua në të dy dialektet. Shërbeu për leximin e librave të tij por edhe për përhapjen e arsimit në masë.

“Gjahu i malësorëvet”[2], shkruar më 1884, i cili u botua pas vdekjes së tij, më shumë se një tregim këtu kemi të bëjmë me përshkrimin e gjahut. “Gjahu i malësorëve” shquhet për gjuhën e tij të thjeshtë, konkrete, të pasur dhe të pastër.  Ai mundohet të përdorë sa më shumë shprehje e lokucione që të mund të pasurojë leksikun e të vegjëlve. Ja një shembull: “Pa dëgjoni, o gjahtarë, qerthulloni atë pyllëqë keni përpara, qarkonte dendurë, mos na shpëtonjë  gjë e gjallë pa vrarë: zini pritatë (pusitë) gjithë se cili prej jush dhe qëndroni njëzet e  pesë çapa (hapa) këmbësh lark njëri prej tjetrit, mos shtini m’bije se vritni shoku shoqinë, po shtini drejtë: lëshoni qent’ e langonjtë ndë pyll të bien pas erësë e të çojn’ egërsiratë nga shtrofqetë edhe kur të dëgjoni zën’ e trumbetësë  madhe prej bririt kaut që do bie unë, atëherë zbrasni pushkëtë të gjithë për një herë e ndërseni qentë e klëthitni që të tremben’ egërsirat’  e pyllit e të dalnë jashtë, edhe mbë ç’anë  të ia mbajmë  epuni zë shoku shoqit, duke i rënë trumbetësë. Shkoni pra, i zini pritatë e mos luani vendit fare, qendroni si  burra të fortë, gjuhani si gjahtarë të mirë, armëtë mos i nxini.” [3]

Shkrime shkencore: Ndër këto shkrime vetëm dy u botuan, gramatika dhe fjalori.

Gramatika  e cila u botua në  vitin 1882, është një gramatikë me dialekt toskë, e shkruar në greqisht. Vepra dëshmon se Kristoforidhi kishte njohuri  të shëndosha për shqipen.

Fjalori është vepra më madhore e Kristoforidhit, dhe një ndër më të rëndësishmet të gjuhësisë shqiptare[4]. Punën për këtë vepër Kristoforidhi e nisi herët, që kur shëtiti shqipërinë me Hanin. Fjalori është dygjuhësh: greqisht-shqip dhe bazohet në të dy dialektet e shqipes. Fjalori ka rreth 12000 fjalë.

Kristoforidhi dhe gjuha

Gjuha e Kristoforidhit nuk ndryshon  nga ajo e rilindasve, ndaj dhe me të drejtë ai u cilësua si “babai” i gjuhës shqipe. Ai, si të gjithë rilindasit e tjerë, mendonte se gjuha ishte një mjet bashkimi për shqiptarët e çarë dhe të përçarë në atë kohë dhe se fakti se ekzistonin dy dialekte me të folmet e tyre si degëzime të një trungu, nuk përbënte ndonjë ndarje , por bashkim të shqipëtarëve. Kristoforidhi e vërtetoi këtë me përkthimet  dhe me veprat e tij origjinale.

Duke shkruar në dy dialekte, Kristoforidhi jo vetëm tregoi se këto janë variante shumë të afërta të një gjuhe unike, por edhe se nga këto dy variante mund të kalohet e duhet të kalohet në një normë unike.

 Përpjekjet e tij u përqendruan në këto drejtime:

  1. Të shkruajë një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët, duke u munduar t’i afrojë dialektet e shqipes.
  2. Ta pasurojë gjuhën shqipe nga fjalët e huaja, duke e pasuruar atë me fjalë të reja të burimit shqip.

Një  punë të madhe Kristoforidhi bëri për afrimin e dy dialekteve. Po të bëjmë një krahasim mes dy dialekteve  te “Gjahu i malësorëve” vërehen këto tipare:

  1. Në fonetikë: ashtu si në dialektin toskë, edhe në atë gegë ruhen diftongjet: ue, ie, ye. Kjo përbën një pikë takimi mes dy dialekteve  p.sh.: “Ay është i  vëjyerë.”[5] Toskërisht ,  dhe gegërisht : “ Ai asht’ vëjyem’’[6]
  2. Grupet e bashkëtingëlloreve mb, ng, nd, nuk asimilohen, pra ruhen të plota në të dy dialektet p.sh.: “e mbani vesh  o shërbëtorë … të ngritni nesër herëtë…biemë në ndonjë tufë të madhe…. (toskërisht[7]); edhe mbani vesh o shërbëtorë…lëshoni qentë e langonjtë biem mbi ndonji tufë të madhe… [8] (gegërisht)
  3. Në dialektin gegë, në përgithësi, në fund të fjalëve dhe para bashkëtingëlloreve t, m, faringalja l labializohet duke kaluar në f p.sh: shoh-shof, njoh-njof, ngroh-ngrof etj. “Ky ndërrim  nuk shtrihet në mbarë gegërishten se në të folmen e Nikaj-Mërturit  h dëgjiohet  në të gjitha pozitat e fjalës.“[9]  Në  veprën e Kristoforidhit alternimi i h-së në f nuk ndodh, ai parapëlqeu formën e përbashkët të dy dialekteve.

Në morfologji

Edhe në këtë fushë të gjuhësisë ai gjeti shfaqje të përbashkëta midis dy dialekteve.

  1. Përdor rasën e ashtuquajtur vendore, që është karakteristike për shumë të folme të dy  dialektetve p.sh.: mbi dhet nde malt, nde rrazet etj. [10]
  2. Në të dyja dialektet takohet përemri pronor tem, për vetën e parë numri njëjës, që siç dihet është karakteristikë për gegërishten.
  3. Një dallim mes dy dialekteve të shqipes është sajimi i paskajores me forma të veçanta midis dy dialekteve. Në gegërishte kemi: me punue, ndërsa në toskërishte kemi formën e paskajores të tipit për të punuar.

Në vepër, krahas paskajores gege haset dhe afrimi mes dy dialekteve që bën Kristoforidhi, forma: për të punue.

Në sintaksë

Vihet re se në të dyja dialektet  përdoren po ato parafjalë dhe me po ato funksione. Ndryshime vërehen  në ndërtimin e rrethanorit të vendit me parafjalën prej, në dialektin e gegërishtes dhe me parafjalën nga, në dialektin e toskërishtes. P.sh.:
Gegërisht
“Edhe ata e shkëputnë lepurin prej dhambësh qent.”
Toskërisht
“Edhe ata e shkëpusinë lepurinë nga dhëmbët  e qenet”[11]

Në leksik  dallohen këto fjalë mes dialekteve:

Gegërisht                       Toskërisht

të ngartëtë                      të mjerëtë
ka cofune                        ka ngordhunë
përnjiherë                        sa kaq herë
katund                             fshat
trembet                           friket
uturinte                          ulurinte

Fjalët e gegërishtes nuk janë për gjithë veriun, por për disa të folme.

Nga sa shihet, Kristoforidhi është një njohës i mirë i dialekteve të shqipes. Ai është munduar të përdorë në të gjitha variantet format më të përgjithshme. Duke pasqyruar me besnikëri gjendjen reale të gjuhës, për Kristoforidhin dialektet e shqipes janë shumë afër njëri-tjetrit.

Për sa vërehet, mund të themi se Kristoforidhi hapi një etapë të re në gjuhësinë shqiptare: kontribuoi në hedhjen e themeleve për një gjuhë standarde që të afronte dy dialektet.

                         


[1] Çeliku, Mehmet. “ Çështje të shqipes standarde”  Sh.B.L.SH, 2001 f.51.
[2] Karapinjalli, M. “ Kërkime dhe Studime…2001” f. 120 thekson: “ Kristoforidhi e shkroi veprën në tre variante: gegërisht, toskërisht dhe të folmen e Shqipërisë së Mesme”.
[3]  Kristoforidhi, K. “ Gjahu i malësorëve” Sh.Bot. “ Naim Frashëri” , 2002 f. 22
[4] Shuteriqi , Dh.“Histori e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1958 f.112.
[5] Kristoforidhi, K. “ Gjahu i malësorëve” Sh.Bot. “ Naim Frashëri” , 2002 f. 16
[6] Po aty f. 36.
[7] Po aty f.14-17
[8] Po aty f.37-38
[9] Gjinar.J, Shkurtaj Gjovalin, “ Dialektologjia” Sh.B.L.U 2001 f.197
[10] Kristoforidhi, K. “ Gjahu i malësorëve” Sh.Bot. “ Naim Frashëri” , 2002 f. 5/35.
[11] Po aty f.11/35

ObserverKult