Dhjetëra punime shkencore nga gjuha, letërsia, historia e arkitektura janë bërë bashkë në revistën shkencore të Institutit për Studime Orientale (ISO). Ditë më parë ky institucion joqeveritar ka sjellë numrin e pestë me radhë të revistës “Studime Orientale” e cila është akredituar edhe në gjuhët angleze, turke, perse dhe arabe. Sipas njoftimit të shpërndarë për media, në këtë numër “del në shesh dukshëm kontributi i orientalistëve të Kosovës”.
Nga Dega e Orientalistikës të UP-së janë përfshirë një studim i Abdulla Hamitit për vjershën “Beharije” të poetit prishtinas të shekullit të 16-të, Mesihi Prishtina; një tjetër i Zeqije Xhafçës me titull “Përdorimi i turqizmave në regjistra të nivelit të ulët të formalitetit”, si dhe punimi i Isa Sulçevcit në turqisht “Letërsia e luftës e krijuar në Kosovë pas 1999”.
Në këtë revistë në seksionin anglisht është botuar studimi i Brunilda Bashës dhe Zafer Sagdiqit “Vlerësimi i objekteve të kalasë së Elbasanit të ndërtuara gjatë periudhës osmane”. Në seksione të tjera janë përfshirë dy punime në arabisht, njëri nga Naser Ramdani (Shkup) me titullin “Kontributi i shkupianëve në kulturën arabe islame”, si dhe një tjetër nga historiania jordaneze Suhajla al-Shalabi “Ndikimi i luftrave Ballkanike 1912-1913 në zhvillimin e Lëvizjes kombëtare arabe gjatë 1913-1918”.
Në këtë numër, sipas njoftimit, janë botuar edhe disa recensione mbi botimet e reja, ku seksioni shqip ka sjellë numrin më të madh të tyre. Në mesin e tyre është libri i akademikut Esad Durakoviq, “Autobiografia shpirtërore” që mbulon vitet e qëndrimit të tij në Kosovë (1975-1990); biografia e profesor Ekmeludin Ihsanoglut për të atin Ihsan Efendi, i cili kishte lidhje me disa figura shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë gjatë studimeve të tij në Kajro, si dhe libri i fundit i historianit britanik, Noel Malkolm “Armiqë të dobijshëm-Islami dhe Perandoria Osmane në mendimin politik përendimor 1450-1750”.
Po ashtu, në seksionin arabisht është botuar edhe recensioni mbi librin e ri të historianit egjiptian Ajman Mahmud “Dokumente të zgjedhura nga Aleksandria gjatë periudhës osmane 1517-1801”. Në të ndriçohet prania shqiptare në Aleksandri gjatë kësaj periudhe.