Kori i Filarmonisë së Kosovës shkëlqen në Itali- mbajti tri koncerte

Kori i Filarmonisë së Kosovës ka përmbyllur mbrëmë prezantimin në Itali me koncertin e organizuar në sallën akademike “Santa Cecilia” në Romë.

Nën drejtimin e Rafet Rudit, koncerti është hapur me “Sancta Maria” nga Giorgio Lapazaya dhe “Psalt” nga Jan Kukuzeli, dy vepra që paraqesin një vlerë të jashtëzakonshme të thesarit historik të muzikës shqiptare.

Të pranishmëve mirëseardhje u uroi drejtori i Konservatorit ‘Santa Cecilia’ Franco Antonio Mirenzi dhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasimi.

Në këtë koncert u interpretuan veprat “Stars” e Eriks Esenvalds, “OEIA” nga Mendi Mengjiqi, “Biegga Luohte” nga Jan Sandström me solistë Etrit Nura (tenor) e Harris Bajraktari (bas) dhe “Janinës ç’i panë sytë'” me solistë Kaltrina Miftarin (soprano) e Luan Durmishin (tenor).

“Lamento della Ninfa (Amor)” i Claudio Monteverdit, u duartrokit gjatë nga publiku në interpretim të sopranos Kaltrina Miftari – soprano e shoqëruar nga Shaban Behramaj – bas, Arlind Gjyshinca – bariton dhe Rizah Jahaj – tenor me pjesëmarrjen e organistit italian Daniel Sanmartín-Nieto.

Ndërsa në bllokun e fundit u interpretuan “The Joy in Loving” nga Aulon Naçi, “Nyon, nyon” nga Jake Runestad dhe “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr” nga Baki Jashari me narrator Shaban Behramajn.

Koncerti arriti në kulmin e tij me “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor nga Rafet Rudi, në interpretim të Korit dhe violinistes virtuoze Sihana Badivuku.

Kori i Filarmonisë së Kosovës është prezantuar edhe me dy koncerte të tjera në programin “Intorno al Requiem”, nën drejtimin e mjeshtrit italian Sieva Borzak dhe me pjesëmarrjen e një kasti solistësh ndërkombëtar.

ObserverKult  


Lexo edhe:

KORI I FILARMONISË SË KOSOVËS ME TRI PARAQITJE NË ITALI

Kori i Filarmonisë së Kosovës, me datë 27 mars duke filluar nga ora 20:30 nën drejtimin e Rafet Rudit, do të prezantohet me koncert në Sallën Akademike të Conservatorio Santa Cecilia (Via dei Greci 18, 00187) në Romë.

Me pjesëmarrjen e veçantë të violinistes Sihana Badivuku, Kori do të interpretojë vepra nga Kukuzeli, Lapazaya, Monteverdi, Kaçinari, Rudi, Mengjiqi, Jashari dhe Naçi.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult