Kori para publikut me magjinë e muzikës dhe energjinë e akumuluar

Prizreni ishte nikoqir i koncertit të tyre pas pauzës së detyrueshme. Në skenën e improvizuar të kinemasë “Lumbardhi” janë bërë bashkë zërat e Korit të institucionit më të lartë të muzikës në Kosovë. Para publikut të kufizuar në numër, është prezantuar një program goxha i larmishëm që ka përshkuar një rrugëtim muzikor nëpër veprat moderne, që nga meloditë e Evropës Veriore për të kapërcyer te veprat e kompozitorëve shqiptarë. Një program të ngjashëm e kishin prezantuar edhe më 10 mars në kishën Shën Ndou në Prishtinë, që shënoi koncertin e fundit para vendosjes së masave parandaluese kundër pandemisë së COVID-19, që mbylli edhe krejt institucionet kulturore.

Me veprën “Uncloudy Day”, të kompozuar nga Josiah Kelley Alwood, ka nisur mbrëmja koncertale nën direktivat e dirigjentit kosovar, Hajrullah Syla. Është nga ato veprat e inspiruara nga qetësia e mesnatës pasi që shiu ka pushuar. Një atmosferë e tillë depërtoi edhe nëpërmjet harmonisë së zërave për të vazhduar në veprën vokalo-instrumentale “Only in sleep” të kompozitorit Eriks Esenvalds, e që pati në fokus zërin e sopranos Ilvije Dragusha.

Krejt këtë proces të rifillimit, dirigjenti Syla e ka përshkruar si një freski që i ka ngjarë rinisjes nga e para.

“Ne u rikthyem me këtë koncert dhe ishte një freski pas pandemisë. U rikthyem me një energji shumë të madhe dhe besoj edhe atë e reflektuam edhe para publikut në Prizren. Ka qenë një moment sikur ta fillonim prej fillimit punën, por kemi arritur që brenda një kohe relativisht të shkurtër, të kthehemi në formë dhe të paraqitemi me këtë koncert”, ka thënë ai për ‘Kohën’.