“Korifenj të polifonisë”: Presidenti Meta vlerëson me titullin “Mjeshtri i Madh” disa këngëtarë dhe valltarë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” 4 grupe polifonike me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO.

Po me titullin “Mjeshtër i Madh”, Kreu i Shtetit ka vlerësuar edhe disa këngëtarë dhe valltarë të talentuar.

Presidenti i quan ata korifenj të polifonisë.

Postimi i presidentit Meta

Me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO, pata dje nderin të vlerësoja me Titullin “Mjeshtër i Madh”, grupet Polifonike “Vranishti”, Vlorë; “Kaonët” e Delvinës dhe “Dukati” i Vlorës, për kontributet e veçanta si mbartëse të shquara të vlerave të kësaj trashëgimie të vyer kulturore të kombit shqiptar.

Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” nderova këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); Sejmen Gjokoli, Katina Mërkuri, Hysen Ruka, Rrahman Nuredini, Syrja Hodo, Fatbardha Brahimaj, Abdyl Lizaj dhe Berdo Berdaj, për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërsa Dhimitër Varfit i akordova Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

Me Titullin “Naim Frashëri”, çmova Sinan Gjoleka dhe Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë të shquar të Labërisë.

I merituar vlerësimi për këta korifenj të polifonisë, për gjithçka kanë bërë për Atdheun, për Flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare!