Anëtarët e shoqatës më të madhe të fotografëve shqiptarë të natyrës, Albanian Wildlife Photographers, janë thuajse në përfundim të një projekti të jashtëzakonshëm. Është i pari, dhe i vetmi në llojin e vet, që flet e dokumenton nëpërmjet pamjeve jashtëzakonisht cilësore e profesionale, kafshët e egra që gjallojnë në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës, të filmuara në habitatin e tyre natyral.
Sipas dr Granit Hyseni, nga Peja, drejtues i projektit, ideja një dokumentari të kësaj natyre ka ngacmuar hershmërisht, atë dhe mikun e tij nga Kamenica, Kosovë, fotografin pasionant Arian Mavriqi.
” Sa herë që dilnim në terren për të fotografuar, hasnim në shumë momente – fenomene të cilat shpeshherë ishin të pa mundura të dokumentoheshin vetëm nëpërmjet fotografisë. Kështu që vendosëm dokumentimin e tyre edhe nëpërmjet filmimeve”, thotë ai.
Qëllimi i realizimit të këtij dokumentari në një format krejt ndryshe, në aspektin e cilësisë, është paraqitja e sakrificave, vështirësive, rreziqeve dhe sfidave që duhet me kapërcy një Wildlife Photographer!
Sipas Hysenit: Fotografi i jetës së egër, shpesh vë në rrezik edhe jetën e vet, me qëllim të nxjerrë në dukje, për admiruesit e këtij zhanri, bukuritë e natyrës, në rastin konkret të natyrës së trojeve tona që kanë një pasuri të jashtëzakonshme në shpend, kafshë, bimësi e gjallesa nga më të larmishmet!
Një ndër objektivat bazike të këtij dokumentari, është rritje e ndjeshmërisë së opinionit publik në drejtim të mbrojtjes së faunës dhe florës ndër trojet shqiptare, sidomos të specieve në rrezik zhdukjejet!
Projekti është realizuar krejtësisht me finacimin privat të anëtarëve të shoqatës së Fotografëve Shqiptarë të Natyrës së Egër, me qendër në Kosovë. Ideator dhe drejtues kryesor i këtij projekti është doktor Granit Hyseni. Por një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë dhe vijonë të japin fotografët Jetmir Troshani , Arian Mavriqi, Besnik Jakupi, Lulzim Demaj, Sefer Aliqkaj dhe në vecanti Meriton Dajakaj e Jeton Dajakaj. Jetoni ka rolin e regjisorit e montazherit, pa të cilin dokumentari nuk do të ishtë në nivelin e duhur artistik!
Dokumentari është i ndarë në seri, ku secila do të ketë nga 45 minuta. Pjesa e parë i kushtohet Wildlife Albanian Photographers ku paraqesin mundin, shkallët e vështirësisë dhe bukuritë që sjellin nëpërmjet fotografise dhe videove të tyre. Për punën, talentin e pasionin e jashtëzakoshëm të këtyrë fotografëve flasin ekspertë të fushës si drejtori i parkut kombëtar të Divjakë -Karavastasë Ardian Koci, prof. Taulant Bino, Guida Divjaka me në krye bashkëshortët Altin e Alketa Hila, Guida Shkodra me në krye Fatbardh Sucaj, kryetarin e shoqatës Grupi Era, Fatos Lajqi, mësuesja e talentuar shkodrane Aurora Piroviq, prof. Qenan Maxhuni etj.
Veçojmë në këto intervista Shkëlqesinë e sajë, Ambasadoren e Republikës së Kosovës në ShBA znj. Vlora Citaku, që ka përkrahur në mënyrë të veçantë çdo nismë të Shoqatës.
Seritë vijuese do të flasin për habitate të caktuara dhe shpend ose kafshë të ndryshme dhe po punohet pa ndërprerje për dokumentimin e tyre.
Duke pasë parasysh rëndësinë e një dokumentari të tillë dhe vijimësinë e kësaj nisme, do të ishtë në interes dhe e mirëpritun çdo lloj ndihme apo përkrahjeje nga ministritë e mjedisit të shteteve tona (Kosovë, Shqipëri) si dhe nga kontributet vullnetare të enteve, apo privatëve të ndryshëm. Mbështetja për projektet të tilla serioze është e një rëndësie të veçantë kur flitet për florën dhe faunën e egër, dhe mbrojtjen e sajë, si një pasuri e jashtëzakonshme kombëtare në trojet tona Shqipëri -Kosovë!/ Edmond Kaçeli.