Kosovë-Shqipëri: Muzika midis transformimeve ideologjike dhe historike

E frymëzuar dhe e zhvilluar në kontekstin historik e shoqëror të kohës, muzika në Shqipëri dhe Kosovë nuk përbën përjashtim lidhur me transformimet e saj në kohërat e tranzicioneve nga sistemi monist socialist në atë pluralist kapitalist. Nga censurat ideologjike shtetërore në periudhën e pasioneve nacionaliste, ajo përballet sot me sfidat komercializuese të tregut të lirë kaotik.

Nga Shkodran Hoti

uke qenë dy shtete të veçanta, Shqipëria dhe Kosova kanë edhe veçoritë e tyre, në fushën e jetës kulturore. Ideologjike, politike, kulturore dhe historike.

Në Kosovë, që për rreth pesë dekada ishte nën Jugosllavinë e regjimit të Tito-s, që konsiderohej më liberal kundrejt lirive kulturore, bashkëjetuan përgjithësisht në hapësirën publike dhe private muzika folklorike shqiptare, muzika e huaj dhe muzika tradicionale. Ndërsa, në Shqipërinë e Enver Hoxhës, censura shtetërore ishte më e ashpër, sidomos ndaj muzikës që simbolizonte “kapitalizmin perëndimor”.  

Por rënia e sistemeve moniste në të dy anët e kufirit, sado që prodhoi më shumë liri, shfaqi realitete dhe probleme të reja.

Si ishte ndërlidhja e politikës (ideologjisë) dhe muzikës në regjimet moniste në Kosovë e Shqipëri? Çfarë arikulonte muzika nën këto dy regjime? Si u zhvillua ajo në periudhën e tranzicionit në të dyja vendet? Si u zhvilluan trendet muzikore moderne dhe kush ishin sinjalizuesit e parë? Ç’paraqet muzika sot, nga kuptimi vleror dhe komercial?

Për këto tema bashkëbisuam me gazetaren nga Shqipëria, Kozeta Kurti; si dhe gazetarin, publicistin dhe muzikantit nga Kosova, Agron Shala.

– Si  është zhvilluar lidhja midis muzikës dhe politikës në Kosovë nën Jugosllavinë e viteve 1945-1990?

Agron Shala:Për dallim nga vendet e Perëndimit ku konceptet kulturore e filozofike ndikojnë edhe në rrjedhat e politikës, arti dhe kultura në Kosovë varej nga liritë dhe të drejtat që ua lejonin, shqiptarëve, krerët e ish-Republikës Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ). E, siç dihet, deri në vitin 1966 – pra deri në Plenumin e IV-të të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (i njohur si Plenumi i Brioneve) – politikën kundrejt shqiptarëve e ideonte famëkeqi Aleksandër Rankoviqi. Megjithatë, nga viti 1945 ka nisur të krijohet një shtresë intelektuale në Kosovë, me muzikantë të shkolluar, me hulumtues të folklorit, pastaj me shkrimtarë, piktorë, kritikë, profesorë e profesionistë të lëmenjve të ndryshëm. Kjo shtresë do t’i shtyjë gjërat para, pas Brioneve, kur nënkryetari i Jugosllavisë, Rankoviqi, me një numër bashkëpunëtorësh shkarkohen prej pozitave politike dhe shtetërore. Nga kjo kohë ishte një ndërlidhje mes politikës, artit dhe kulturës. Dhe, është pikërisht shtresa intelektuale ajo që ndikon në rrjedhat e ardhshme politike në Kosovë.
Nëse pas Luftës së Dytë Botërore (1945) vazhdon kultivimi i muzikës folklorike, popullore, qytetare… në vitet 1960, çdo herë e më shumë vend do të zënë muzika “e lehtë” dhe ajo rock. Në ato vite formohen këto rock-grupe: ‘Fan’ në Mitrovicë, ‘Blue Stars’ në Prishtinë, ‘The Lord’ në Ferizaj, ‘Farazimus’ në Gjakovë, ‘Marimanga’ në Prizren etj. Fatkeqësisht – nga këto grupe – gjurmë me incizime ka lënë vetëm ‘Marimanga’ (vlenë të ceket, po ashtu, se një shqiptar nga Kosova, Alberto Krasniqi, është bashkëthemelues i rock-grupit të parë në ish-Jugosllavi, ‘VIS Dinamiti’ – të parit grup rocku që i dedikohet një pllakë përkujtimore në Ballkan).

Pra, pas rënies së Rankoviqit ishte një si marrëveshje e heshtur mes elitës politike dhe asaj intelektuale për përparimin e popullit shqiptar. Artistët mbështeten, për ta krijohen kushte më të mira për punë. E, si dëshmi e këtij emancipimi është edhe muzika rock, që në një mënyrë simbolizon vitalitetin e një shoqërie. Një shoqëri pa këtë skenë duket pasive, larg vlerave që përfaqëson një shoqëri perëndimore. Teksa Kosova kishte një skenë të tillë, të denjë, mbizotëronte një frymë rebeluese. Ndaj, nuk është e çuditshme që në vitet 1990, kur Kosova ishte në pushtim klasik serb, skena rock e merr tatëpjetën. Mund të gaboj, por i vetmi album tamam rock në ato vite ishte ‘Ndoshta me një blues’ i BB Poqit. Në ato vite ende kishte një marrëdhënie mes elitës politike dhe asaj intelektuale, por me institucionet kulturore e arsimore të mbyllura e të uzurpuara, me institucione paralele shqiptare e nën një pushtet shtypës serb, që shumicën e shqiptarëve i la të pa punë dhe me sharlatanët që nisin të hapin media të shtypura, produksione “filmi” e “muzikë”, ishte e pamundur të vazhdohej trendi i mëparshëm i vlerave, në cilindo zhanër muzikor.

– Z. Shala, në kohën e Tito-s, rinia, sidomos e zonave urbane, dëgjonte ritme dhe zhanre që buronin edhe nga perëndimi si: punk, new wave, cold wave, rock etj. Njëkohësisht, kishte bende dhe këngëtarë nga e tërë ish-Jugosllavia të cilët adhuroheshin edhe nga shqiptarët që dëgjonin njëkohësisht edhe këngët e tyre patriotike. Ndonëse edhe kishte këngë vendore të ndaluara, si ato që cilësoheshin si shoveniste nga regjimi, bashkëjetonin muzika e huaj, muzika në të gjitha gjuhët e Jugosllavisë dhe ajo tradicionale/patriotike shqipe. Në Kosovë dëgjoheshin njëkohësisht Rolling Stones, Bjelo Dugme, Gjurmët, Lepa Brena dhe Dërvish Shaqa. Si e shpjegoni këtë?

Agron Shala

Agron Shala:Këngët me tekste patriotike dëgjoheshin fshehurazi gjatë monizmit. Siç dëgjohej fshehtas edhe Dervish Shaqa i cili, për shkak të dhunës që ushtrohej në Rrafshin e Dukagjinit, në atë që njihej si Koha e Rankoviqit, më 1958 ikën në Shqipëri.Shqiptari ia doli të përparojë në ish-RSFJ, pra ta dëshmojë se është i guximshëm dhe i dijshëm, por megjithatë ishte një rregull strikt: arti nuk duhej të cenonte komunizmin (vetëqeverisës) dhe ideologjinë e vëllazërim-bashkimit që e proklamonte Jugosllavia e Tito-s. Në këtë aspekt, këngët që transmetoheshin në radiot e Kosovës deri më 1990, pra ato “legalet”, kishin tekste të mira, por jo me motive të heroizmave shqiptarë në luftërat kundër serbit apo malazezit. Krahasuar me degradimet e sotme, çdo tekst i mirë për mua sot ka vlerë patriotike. Por, duhet ta dini se këngët e shahirave dëgjoheshin kryesisht në oda ose përmes kasetofonave (dhe atë “Grunding” se zani dilte “ma mirë”). E, shumëkush për këtë hante burg.

Të njëjtën kohë, shqiptari nuk ka mundur të jetë imun ndaj trendeve që e dominonin Jugosllavinë. Pra, një pjesë e madhe e tyre ishin të informuar për atë se çfarë ndodhte në skenën muzikore jugosllave. Mund edhe ta pëlqenin atë. Por, në përgjithësi, nuk mendoj se kishte bashkëjetesë mes muzikës shqiptare dhe sllave (e kam fjalën këtu për ata që flisnin gjuhën e dikurshme serbokroate – serbët, kroatët dhe boshnjakët – e që i dominonin trendet muzikore të shtetit të sllavëve të jugut). Sepse, Lepa Brena dëgjohej me raste nga një shtresë, e Bijelo Dugme nga një shtresë tjetër e shoqërisë. Të dy emrat ishin simbole të propagandës dhe komercializmit; atraksione që mblidhnin turmat dhe krijonin një iluzion se gjithçka është moderne dhe në rregull në socializmin liberal të RSFJ-së. Por, ky iluzion shitej veç te shtetet tjera komuniste, e jo edhe në Perëndim.

Në anën tjetër ishin shqiptarët, populli i tretë më i madh në atë shtet (por që konsideroheshin pakicë), ku shumica dërmuese kurrë nuk e kanë ndjerë veten pjesë të identitetit jugosllav. Etnia dhe gjuha i veçonte dhe i distanconte nga preferencat e shumicës në Jugosllavi. Kështu, pos muzikës folklorike e popullore (që ndikohej edhe nga muzika e Shqipërisë, me të cilën mund të thuhet se “bashkëjetonte”), ata kishin edhe rock-skenën e tyre, të mirë e të barabartë me të tjerët. Natyrisht me audiencë më të kufizuar, por që frymëzohej nga trendet dhe grupet perëndimore.

Në situatë të ngjashme ishin edhe sllovenët, që kishin shumë grupe të mira rocku, por po ashtu me audiencë të kufizuar. Sllovenët kishin edhe grupin ‘Laibach’ – të anatemuar në komunizëm e që ia del të jetë fenomen global që frymëzon grupet e mëdha (si p. sh. ‘Sisters of Mercy’ apo ‘Rammstein’). Në fakt, emri ‘Laibach’ është i vetmi që përmendet në enciklopeditë e rockut botëror. Asnjë grup tjetër nga ex-YU! E, kjo tregon se rocku në Jugosllavi, pra edhe ai i Kosovës, ishte para shteteve komuniste apo atyre në zhvillim, po jo në nivel kreativ apo inovativ me ato të Perëndimit.

– Zonja Kurti, njihen rastet kur janë burgosur njerëz në Shqipërinë e Enver Hoxhës, vetëm sepse kishin dëgjuar muzikë të huaj, sidomos ato që simbolizoheshin me “kapitalizmin perëndimor”. Por paralelisht kishte edhe këngë të ndaluara në gjuhën shqipe. Si do ta kishit përshkruar politikën ideologjike të Enver Hoxhes në raport me muzikën, të huaj dhe shqipe?

Kozeta Kurti : Në një shoqëri tërësisht analfabete siç ishte Shqipëria pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, qe krejtësisht e lehtë që përqëndrimi i pushtetit në duart e një udhëheqësi të kontrollonte gjithçka, përfshirë të gjithë mjetet e komunikimit masiv dhe shprehjet e të gjithë mesazheve nëpërmjet gjinive të artit, muzika kryesisht, e cila e ka më të thjeshtë të depërtojë e të krijojë ndjesi, duke qenë se është një gjini e artit që as nuk preket, as nuk shihet. Sipas ideologjisë së Hoxhës, arti duhej të vihej në shërbim të masave, si mënyrë për të ndihmuar Partinë për ta shpërndarë “tru-shpëlarjen” për stilin perfekt të jetesës dhe nëpërmjet shtypit të kohës, çdo sipërmarrje artistike perëndimore, duhej të goditej si armik për vdekje, sepse ky art qe ai i botës që po shkatërrohej. Partia dhe udhëheqësi, nuk mund ta pranonin nderimin e artistëve që s’duhej të vdisnin vetëm, por kërkonin vëmendjen e publikut të tyre. Duke qenë se shteti i kohës “shiste dhe blinte” krijimtarinë artistike, i pajiste artistët me “leje krijimtarie”, mëtonte çdo të drejtë mbi to.

– Ju keni sjellur antologjjinë “Era e ndryshimit”, rreth lëvizjes muzikore moderne shqiptare të viteve të 90-ta. Flasim për kohën ku publiku shqiptar, të cilit për dekada i ishin imponuar këngët për Partinë dhe Enver Hoxhën, mund të dëgjonin tashmë lirshëm bende si: Metallica, Deep Purple, Rolling Stones, Pink Floyd… etj. Në këto kohë gjejmë sinjalet e para të muzikës rock nga Shqipëria, nga Elton Deda, Bledar Sejko, Gjergj Jorgaqi, Ilir Ibrahimi etj. Çfarë shënonte rënia e Murit të Berlinit për Shqipërinë në raport me muzikën?

Kozeta Kurti : Në shoqëritë e qyteteve të fund viteve ’60 e fillim viteve ’70, kryesisht në Tiranë e në Durrës, ku është porti më i madh i vendit, kishte përpjekje për të kapur copëza të Perëndimit, me kaseta që futeshin nga marinarët dhe shpërndaheshin fshehurazi në duar herë të sigurta e herë jo (sepse siç keni përshkruar edhe ju më lart, ndëshkimet kanë ardhur edhe si pasojë e këtyre shkëmbimeve). Nuk dua të harroj edhe hitparadet e së premtes pas mesdite, ndikimin e televizionit dhe muzikës italiane, megjithatë ky rreth ishte i ngushtë, i fshehtë. Në fillim të viteve ’90, me përmbysjen e diktaturës së fundit e ndoshta më e egra në vendet e lindjes, është e vërtetë që pati frymëmarrje për krijimtari artistike, por sidoqoftë Shqipëria ishte me dekada vonesë. Ndërsa bota po promovonte disa nën rryma të tjera, si muzika alternative apo grunge, në Shqipëri po vinte ajo që në Britani apo SHBA, kishte ndodhur në vitet ’70. Në gjykimin tim, kjo erdhi për dy arsye: për shkak të ndikimit që grupet e lartpërmendura prej jush kishin tek kompozitorët dhe interpretuesit shqiptarë, por edhe sepse një pjesë e mirë e këtyre këngëve ishte kompozuar në fund të 70’ës apo fillim të ‘80’ës dhe kishin mbetur në sirtarë për shkak të kohës e regjimit. Përpjekjet për të krijuar grupe, albume, “Djemtë e Detit”, “ARB’, ‘RITFOLK” apo “Thunderway” të cilët realizuan në vitin 1994 një album në Shkup, të tërin në gjuhën angleze “The order executors”, u shuan shpejt, thuajse në fund mesin e viteve ’90, për shkak të mungesës së financimeve, situatës së krijuar në vitin 1997 etj. Ëndrra perëndimore për grupe dhe turne, zgjati shumë pak.

Kulminacioni i kaosit

– Pas largimit të forcave serbe nga Kosova më ’99 dhe fillimit të zbehjes së muzikës patriotike, në mesin e shqiptarëve të Kosovës pati edhe përplasje mes vlerash tradicionale me ato moderne. Si p.sh, në një libër shkollor në Kosovë, i botuar në vitin 2004, ku një paragraf i mësonte nxënësve se “muzika rock është akt kriminal”. Për vite të tëra, nxënësit kosovarë e mësuan rokun si një dukuri negative, të krahasuar me pornografinë. Natyrisht se këtë lloj etiketimi mund ta quajmë me lehtësi si relikt i një kohe të kaluar i cili shpërfaq pak a shumë ‘shpirtin e asaj kohe’ (një lloj antiperëndimi revolucionar i përzier me tradicionalizëm patriarkal). Por çka nëse nuk na flet vetëm për kohë?

Agron Shala:Një popull e merr tatëpjetën kur i shkatërrohet arti dhe kultura. Ajo nisi më 1990, por degradimi i vlerave del më shumë në pah pas vitit 1999. Pas këtij viti nuk ndodhë përplasja mes tradicionales dhe modernes, siç thoni ju, por ndodhë një si kulminacion i kaosit të viteve 1990, pasi vlera (në çdo sferë e profesion) zë vend pak e më pak. Degradohet sistemi arsimor, teatri, muzika, filmi, mediat…  Shpallen artistë njerëzit që nuk kanë lidhje me artin. Prandaj, nuk është çudi që nëpër shkolla nxënësit mësojnë gjëra koti dhe formulime pa fije logjike që ka mundur t’i bëjë vetëm sistemi enverist, si: “Muzika rok, pornografia, dhuna në televizion – që janë akte jo të mira – janë provuar plotësisht si kriminale”! (sic.)

Sot secili e quan veten autor, secili e quan veten artist. Dhe, gjen mbështetës në media e institucione kulturore për këtë dëlir tyre të madhështisë. Pra, po degradohet tradicionalja dhe modernia. Sepse, mungon patriotizmi (e me këtë edhe këngët patriotike që duhet të merren me tema tjera në kohë lirie). Këtu ka veç nacionalizëm, të cilin Harley Austin e shpjegon mirë si mjet i zgjuar i qeverisë për t’u pëlqyer nga popullata. Ai nacionalizmin nuk e ndan nga dëshira për pushtet, teksa për patriotët thotë se janë njerëz që e trajtojnë vendin e tyre me respekt e që janë të gatshëm të luftojnë kundër një qeverie tiranike që kërcënon të drejtat e tyre (për dallim nga nacionalistët që bien pre e gënjeshtrave të pushtetarëve). Nëse më herët shtresa intelektuale kishte ndikim tek rrjedhat politike, pas vitit 1999, pjesa më e madhe e intelektualëve (në këtë rast ndoshta më mirë është të themi të njerëzve me shkollë e me nam) bëhen vegla të politikës. Fatkeqësisht.

– Historia e muzikës së popullarizuar në Perëndim prej Luftës së Dytë Botërore mund lehtë të lexohet edhe si historia shoqërore e atyre vendeve. Kalimi nga Rock-u në Punk, e prej Punk në Post Punk, lidhet ngushtë me periudhat kohore të kalimit nga kapitalizmi zhvillimor te ai financiaro-monopolist. Pra muzika Rock e viteve gjashtëdhjetë paraqet shpirtin e rebeluar të të rinjve të cilët, në kuadër të mirëqenies sociale rebeloheshin kundër pushtetit të autoritetit (pushteti politik, ai akademik, mediatik e kulturor). Ky rebelim e solli 1968’tën. Pas kësaj liberalizimi shoqëror që u përjetua si një dimension i ri lirie, në fakt e solli liberalizimin e privatizimin e skajshëm ekonomik. Ky transformim e solli muzikën Punk, që e reflektonte ankthin e ri që solli liria e re. Kjo liri e tregut e filloi deindustrializimin neoliberal, i cili solli depresionin kolektiv (të shprehur më së shumti mbase në vendet si Britania e Madhe). Ky depresion dëgjohet e ndihet në vargjet e tingujt të muzikës post-punk. A kemi një ndërlidhje të tillë të sentimentit kolektiv e perceptimit kolektiv për mirëqenien e lirinë me muzikën e kohës në Kosovë dhe Shqipëri?

Agron Shala:Punk, New Wave, Cold Wave që i përmendët më lartë, janë zhanre të muzikës rock që pak e hiç kanë zënë vend te shqiptarët. Me New Wave janë identifikuar ‘Gjurmët’, në fazat e para. Ndërsa, këngë a vetme punk në Kosovë është “Citroeni” i grupit Bankrot (punk i moderuar, nën ndikimin e grupit ‘The Clash’ dhe ritmeve reggae).

Mos të harrojmë se muzika punk (me të cilën identifikohet pjesa e dytë e viteve 1970) nuk ka pasë jetë të gjatë. Punku rëndësi më të madhe ka si subkulturë e jo si muzikë. Përfaqësuesit e këtij zhanri, instrumentistë dhe këngëtarë mesatarë po të zhurmshëm, mendonin se kështu po e mbajnë gjallë frymën rebeluese të rockut. Por, asgjë e mençur e me vlerë nuk del nga britmat, paçka që sot thuhet se pankerët ishin një reagim ndaj lakmisë së korporatave, autoritarizmit apo konsumerizmit (reagimi më i mirë për këtë është albumi “Animals” i grupit Pink Floyd).

Muzika rock nis në Angli, nga të rinjtë që pëlqenin muzikën e njerëzve me ngjyrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meqë nuk ishin as instrumentistë të mirë e as nuk e kishin atë ndjesinë e amerikanëve, e krijuan një trend të ri muzikor. Me këtë trend muzikor, që zhvillohet dhe krijon identitet, do të identifikohet edhe revolucioni kulturor i të rinjve, subkultura apo kunderkultura e viteve 1960: lëvizja e hipikëve me bazë San Franciskon e ShBA-ve dhe “luhatja” (Swinging London) – nëse mund të përkthehet kështu – me bazë në Londër të Anglisë.

Mos të harrojmë se rinia angleze e sidomos ajo amerikane, e lindur gjatë apo pas Luftës së Dytë Botërore, i takonte kryesisht e shtresës së mesme. Kjo rini ballafaqohej me një lloj konservatorizmi, me autoritetin ushtarak të imponuar nëpër shkolla dhe në familje, që kërkonte konformizëm dhe bindje. Pra, ishte rebelim ndaj autoriteteve politike e ekonomike; një tendencë për një revolucion shpirtëror, për çka proklamonin paqen, dashurinë dhe lirinë individuale. Synimi i kësaj rinie ishte që të barazohet individi me institucionin. Në fakt, realiteti i sotëm dëshmon se ata ia dolën (Bill Clinton dhe Tony Blair ishin pjesëmarrës të kësaj lëvizjeje; Steve Jobes dhe Steve Wozniak – themeluesit e gjigantit “Apple”; Steward Brand – ideologu i internetit etj.). Por, një gjë duhet ditur se mesazhet dhe synimet përçoheshin gjithmonë me muzikë të mirë dhe me tekste të mira.

Rocku ndër shqiptarë (të Kosovës, sepse në Shqipëri nuk ka pasur dhe ende nuk ka rock, pra edhe një frymë rebelimi, për çka nuk është çudi që atje më së shumti njihet një grup që s’ka lidhje me rock, si ‘Fisnikët’), si në vendet tjera të Jugosllavisë, ka nisur më shumë për arsye tjera: për t’u dukur më modernë dhe më atraktivë për vajzat (ishte kjo koha e trendit të “ballove”, ndejave me muzikë e vallëzim). Por, gjërat ndryshojnë pas demonstratave të shqiptarëve më 1981, kur skena rock në Kosovë e arrin kulminacionin me më shumë grupe, me më shumë ide dhe kreativitet, dhe me tekste më të angazhuara, si: 403, Gjurmët, Seleksioni 039, Telex, Ilirët, Lindja, Bankrot, Babilon, Fillimi i fundit (nuk duhet harruar këtu divën e rockut shqiptar, Violeta Rexhepagiqin)… Rockerët më nuk ishin indiferentë ndaj padrejtësive që u bëheshin. Por, kur është fjala te politika, përdoreshin metaforat (p.sh. “Mikrofoni” i Gjurmëve, “Zvarraniku” i Lindjes, “Këngë mllefi” i Minatorit etj.).

Unë e shoh një paralele mes rinisë shqiptare të viteve 1980 dhe asaj në Perëndim të viteve 1960, dhe mendoj se rinia jonë e atyre vite ishte më përparimtare, më e shkolluar e më kreative se çdo gjeneratë tjetër deri sot (gjë që vërtetohet edhe me skenën rock të asaj kohe). Por, ishte edhe fatkeqe, sepse detyrohet të shpërngulet në vitet 1990 – të krizës ekonomike dhe mungesës së perspektivës për ta dhe tërë Kosovën.

Kozeta Kurti:Unë mendoj se muzika e çdo lloji, e çdo kohe ka qenë e tillë: pra, e frymëzuar nga konteksti historik e social i një kohe të caktuar. Nëse krijuesit nuk kanë një burim frymëzimi, ngjarje që të ndikojë psikikën e tyre, të nxisë emocionin, si do t’i kishin mbushur aq shumë letra me fjalë e pentagramë në nota? Dhe sikundër e dini, jo vetëm muzika, por çdo gjini e artit ka prodhuar kryevepra në rastet e ndikimit nga drama të mëdha, nga pësimet, nga zhgënjimet, nga mungesat, nga malli, nga kufizimet.

Përdalja komerciale

– Jo rallëherë ka zëra që thonë se në kohën e monizmit dhe komunizmit në Ballkan, muzika kishte më shumë censurë por më shumë vlera, e sot muzika pothuajse nuk censurohet në emër të konkurrencës së lirë të tregut, por se ajo ka më pak vlera?

Kozeta Kurti

Kozeta Kurti:Deri para disa vitesh kam menduar ekzaktësisht të njëjtën gjë dhe thoja si ka mundësi që i mbajmë mend, i fërshëllejmë këngët e së shkuarës dhe nga të sotmet, nuk mbajmë mend thuajse asgjë? Sot kam një mendim tjetër. Censura moniste i bënte njerëzit të përqëndroheshin dhe atë që merrnin, e përthithnin, e bënin të tyren, ndërsa sot, në këtë bombardim me informacion, ne nuk po kemi kohë as të jemi përzgjedhës. Mund të ketë materiale shumë të mira, por që ne nuk kemi kohë as t’i dëgjojmë, t’i shohim. Mungesa e institucionit të kritikës profesionale dhe të shëndetshme, rankimi, promot mediatike të pakujdesshme, janë një minus shumë i madh në orientimin dhe edukimin e shijeve estetike.

Agron Shala:Më lart e përmenda këngën “Citroeni”. Një pjesë e vargut origjinal ishte: “Në vece (WC), jemi ne”. Por, fjala WC nga “censori” zëvendësohet me “cece” (CC). Sepse, shoqëria nuk ishte shumë e hapur për të dëgjuar, në familje, fjalë të papërshtatshme (mos të harrojmë se në shumicën e familjeve, radioja dhe televizori ishin pajisje të shtrenjta ndaj dëgjoheshin bashkërisht). Po ashtu, thash se në komunizëm nuk lejohej të prekej drejtpërdrejt shteti dhe politika. Gjithçka tjetër ishte censurë pozitive, për vlera, qoftë në tekst apo muzikë (edhe muzika verifikohej e nuk ishte e lehtë të incizohej kënga që nuk ishte origjinale).

Dikur ishte vetëm një studio incizimi në Kosovë, në Radio Prishtinë. Grupet prisnin për termin, ndaj ushtronin mirë që kënga të incizohej si duhet. Pasi ka kaluar disa filtra, ajo këngë pastaj promovohej e plasohej si duhet. Këngët e mira merrnin mbështetje edhe nga udhëheqësit e emisioneve, që ishin njerëz që dinin e jo injorantë. Prandaj, njiheshin grupet me vlerë (si këto që u përmenden më lartë) dhe atyre u jepej prapë shansi për incizime tjera.

Nuk duhet harruar se dikur janë incizuar edhe shumë këngë të dobëta (p.sh. si të Fisnikëve). Por, në përgjithësi kishte konkurrencë të vlerave; kishte njerëz që njihnin dhe promovonin vlerën; dhe, kryesorja, tentohej që masat ta njohin atë vlerë. Për këtë “censurë”, apo më mirë të themi për këta filtra vlerësimi dhe promovimi, kemi më shumë se kurrë sot nevojë, kur mediokriteti ka kapluar artin dhe kulturën tonë.

– Gjykuar nga ajo që po shohim sot, kush kë e ndikon më shumë: tregu muzikën apo muzika tregun?

Kozeta Kurti:Që të flasim për këtë, duhet të kemi edhe treg, edhe muzikë. Kemi pak muzikë, shumë përpjekje të mundimshme “fast food” për të bërë muzikë dhe zero treg. Në këto kushte, unë e kam të pamundur të flas për raportin midis tyre. Kur një konsumator muzike të më thotë se si dhe ku e blen muzikën shqiptare, kur një krijues të më thotë se ku e shet muzikën e vet (në rastet më të mira në club-e, ku suksesi varet nga sa fatura alkooli priten në banak) atëherë secili nga ne, do ta ketë më të thjeshtë të japë përgjigje. Tregu i muzikës nuk matet nga numri i ndjekësve në rrjete sociale.

Agron Shala: Që të dyja. Sepse, tregu është i çoroditur dhe muzika e çoroditur. Sot nuk kultivohet as muzika folklorike e as ajo popullore dhe ata që dikur merreshin me këto zhanre, degraduan në favor të të mirave materiale. Rocku është në margjina dhe ka pak gjasa ta zë vendin që kishte dikur. Prandaj, shoqërinë e karakterizon më shumë servilizmi sesa fryma e rebelimit.

Në anën tjetër, shpesh dëgjoj se si hip-hopi i Kosovës është kinse nga më të zhvilluarit në rajon. E thash më lart, edhe rocku në Kosovë dikur ka qenë para shumë shteteve, mbase edhe para Rusisë e Kinës, por etalon vlerësimi ishte dhe mbetet Perëndimi.

Tash gjithçka është tallava. Sidomos tekstet. Ka pak ide e mendime. Askush nuk merret me të vërtetën. Gjithçka është mashtrim, përderisa promovohet një subkulturë e huaj dhe një realitet i rrejshëm. Askush nuk tenton ta rregullojë këtë treg. Madje ky kaos gjen mbështetje nga politika, e sidomos nga mediat, për çka ky marsh i çoroditjes po merr çdo herë e më shumë ndjekës.

Për fund, të ndalemi pak te muzika punk. Një nga momentet më të rëndësishme të kulturës që përfaqësonte kjo muzikë, është kur Johnny Rotten (Sex Pistols), fanellës me grupin Pink Floyd, lart ia shton fjalët “I Hate” (Urrej). Më vonë, kur i bën do vjet e piqet me përvojë e dije, deklaron se nuk e ka urryer grupin Pink Floyd. Sepse, vërtetë, cili njeri që di diçka mund ta ketë këtë urrejtje? Kjo të shtyn të mendosh se te ne, fatkeqësisht, ka veç tinejxherë të përjetshëm që nuk piqen. Prandaj… bëhet mirë!?/ lemondediplomatique.al