Kozma Dushi kujton Merdanin: Kërkonte riorganizimin e festivalit të 11-të të këngës

Pas ndarjes nga jeta të artistit të madh, Sherif Merdanit, dje u zhvilluan homazhet në nderim të tij.

Në ceremoninë mortore kanë qenë të pranishëm dhe ish-kolegë, miq e familjarë të Sherif Merdanit.

Këngëtari Kozma Dushi e kujton Merdanin si një njeri të lirë dhe një perlë të muzikës shqiptare. Në një prononcim për mediat, ai zbulon dhe një prej pengjeve apo dëshirave të Merdanit, zhvillimin e festivalit të 11-të të këngës.

Disa ditë pas zhvillimit të festivalit të 11-të të këngës, Sherif Merdani sëbashku me disa kolegë të tjerë, u arrestuan dhe u dënuan me burg, ku artisti i mirënjohur vuajti 16 vite.

“Sherifin do ta kem gjithmonë në zemër, si njeri dhe si artist. Unë me Sherifin dhe Luan Zhegun kemi folur shpesh, që festivali i 11-të të riorganizohej sërish. Në të gjitha festivalet që mori pjesë Sherifi, kanë qenë këngë perla. Historia e tij, Sherif Merdani, ajo kohë i ka bërë një padrejtësi të madh atij artisti. Në Librazhd që e takova, ai e rilindi atë qytet. Ajo që ka ndodhur me Sherif Merdanin nuk duhet të ndodhë me asnjë artist. Mesazhi i Sherifit, brezi i tij të këndojë akoma. Këngët janë të bukura, muzika të bëhet live, jo rrëmujë, këngëtarët të jenë të lirë. Sot dhe kompozitorët e atyre viteve, dhe kompozitorët Kastriot Gjini, ia dha kompozimet Sherifit se ishte një këngëtar profesionist. Solli një formë të re dhe një mënyrë të re të kënduarit” – tha Dushi, transmeton ‘panorama.com.al’.

Sherif Merdani ndërroi jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë.

LEXO EDHE: Lubonja rrëfen për herë të parë njohjen me Sherif Merdanin: Ja kujtimi më i bukur që kam nga ai