Kraja: Akademia nuk ka mandat për të ndryshuar realitetin politik, është zë moral

Mehmet Kraja

Një letërsi e vështirë nuk është e thënë që të pëlqehet dhe as të lexohet në masë. Është e tillë që nuk e ka ambicien për të argëtuar publikun, por për t’i bartur atij të fshehtat e jetës dhe botës, që mund të jenë të vështira.

Duke kontempluar lidhjen e tij me letërsinë, që kishte nisur pesë dekada më parë në revistën “Jeta e re”, shkrimtari Mehmet Kraja ka shkoqitur momentet kryesore të profilit të tij krijues e deri te drejtimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Një rrëfim jetësor – që kishte nisur në Kështenjë të Krajës për t’u zhytur gjithandej botës shqiptare – ka zënë vend në takimin letrar, që u mbajt pasditen e së martës në qendrën për edukim dhe kulturë “Libart” në mjediset e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në lagjen “Dardania” në kryeqytet.

Ky takim letrar ka shënuar edhe fillimin e programit të qendrës së sapokrijuar “Libart”.

Sapo kishte mbaruar katër vjet gjimnaz në Ulqin, Kraja si 19-vjeçar do të vinte për herë të parë në Prishtinë. E gjeti të tjetërsojtë nga ajo e sotmja, një qytet që, sipas fjalëve të tij, ende nuk kishte marrë tiparet urbane.

“Prishtina nuk i ngjante fare qytetit. Në njërën anë ishte një kasaba orientale, e në anën tjetër një qytet gjysmëkomunist”, ka thënë Kraja, i cili asokohe kishte nisur studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Sipas tij, Prishtina nisi ta krijonte identitetin e vet si qendër urbane vetëm në vitet ’80, kur u krijua një strukturë urbane. Rrugëtimin jetësor në disa vende të ndryshme, ai e ka vlerësuar si mundësi të mirë të njohjes së botës shqiptare.

“Ka mentalitete të ndryshme, por në esencë bota shqiptare është e vogël”, ka theksuar ai.

Kraja – i cili në tetor të vitit të kaluar është zgjedhur kryetar i ASHAK-ut – ka folur edhe për çështjen e gjuhës së standardizuar në dritën e realiteteve të reja dhe kërkesave për rishikimin e normës letrare. Për akademikun, standardi i shqipes paraqet një marrëveshje të një kohe të caktuar kur shqiptarët vendosën të kishin një gjuhë të përbashkët.

“Standardi mbetet ai që është derisa nuk ka një marrëveshje tjetër për një standard të ri”, ka thënë Kraja në debatin e moderuar nga Roland Peraj, teksa ka shtuar se në çdo kulturë ekzistojnë rrethana që diktojnë vendime.

Tutje, akademiku 68-vjeçar ka përmendur se gjithandej botës, standardet gjuhësore mësohen pavarësisht diferencave krahinore e dialektore. Shqipja e standardizuar, sipas tij, erdhi në një rrugë aspak të lehtë.

“Shqipja për një kohë të gjatë ka mbijetuar në rrethanat e bilingualizmit, duke qenë gjuha e dytë, pas serbishtes, në administratë, informim, politikë, etj. Situata ndryshoi vetëm pas vitit 2000, kur shqipja u bë gjuha e parë”, ka theksuar ai.

Duke iu rikthyer debateve mbi standardin, Kraja ka ndërmendur edhe rastin e Italisë që, sipas tij, e unifikoi gjuhën përmes “Radiotelevisione Italiana” (RAI). “Diferencat mes së folmes së Napolit dhe asaj të Leçes apo Palermos janë më të mëdha sesa që mund të jenë në hapësirën shqiptare”.

Sipas tij, gjuha e folur krijon hapësirë për variante e lokalizma, kurse ajo e shkruar përbën standardin që paraqet gjuhën e komunikimit midis folësve të së njëjtës gjuhë. Në vazhdim të diskutimit, akademik Kraja ka folur edhe për përpjekjen për të shkruar një narrativë për historinë më të re të Kosovës. Për të, koha është e papërshtatshme, meqenëse “historia kërkon një distancë më të madhe kohore”.

“Është tejet njerëzore që njerëzit të mos flasin gjithnjë të vërtetën apo të flasin me hiperbolizime rreth ngjarjeve. Por gjërat duhet të vendosen në një rend, siç bën e gjithë bota e qytetëruar”, ka vlerësuar Kraja.

E vërteta historike është e diskutueshme, ka vijuar ai, por jo në atë shkallë sa të ngatërrohet e bardha me të zezën. Ka thënë se për periudhën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi ka shumë gjëra për t’u thënë.

“Komunizmi si ideologji nuk i ka bërë gjë askujt në Kosovë, por shteti jugosllav e luftoi gjer në zhbërje ideologjinë nacionale shqiptare. Tito ishte antishqiptar”, ka thënë Kraja, duke shtuar se në vitet ’80 rreth 470 mijë shqiptarë vlerësohej të kishin kaluar nëpër duart e policisë jugosllave.

Kryetari i ASHAK-ut ka folur edhe për “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, botim ky që përfshin dy vëllime me 1818 faqe, me rreth 6 mijë zëra. Sipas tij, kjo ndërmarrje u bë për të krijuar një databazë të memories së regjistruar.

“Ka gabime brenda tij, por disa e menduan ‘Fjalorin’ si derë për të hyrë në histori. Asnjë enciklopedi nuk e bën këtë”, ka vlerësuar ai teksa ka komentuar kritikat që kishte marrë ky projekt i ASHAK-ut.

Së këndejmi, Kraja ka folur edhe për kritikat e vazhdueshme në adresë të institucionit më të lartë akademik në vend. Sipas tij, ASHAK-u është akademi honorifike dhe se nuk është në tagrin e saj që të bëjë ndryshime.

“Njerëzit kërkojnë që Akademia të veprojë si ajo e Serbisë, e cila bënte në të kaluarën memorandume e programe. Po kërkohet që Akademia të luajë rolin që nuk e ka”, ka thënë Kraja. “Akademia nuk ka rol ligjvënës, por është vetëm zë moral drejtuar opinionit. Nuk ka as instrumente dhe as mandat për të ndryshuar realitetin politik në vend”.

Gjatë bashkëbisedimit, studenti i gazetarisë, Shpend Bujari, pyeti akademik Krajën nëse mund të ngrihet paralele mes Kosovës dhe Moldavisë për të krijuar identitet të ri, larg shtetit amë.

Për kreun e ASHAK-ut, procesi i formimit të kombeve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, sikurse edhe në rastin e shqiptarëve. Kosova, sipas tij, ishte e përfshirë decidivisht në të gjitha proceset kombformuese prej Lidhjes së Prizrenit deri në vitin 1913, kur u aneksua dhunshëm nga Serbia.

“Kosova ka përfunduar procesin e kombëtarizimit dhe nuk është normale të flitet edhe një herë për këtë gjë”, ka thënë Kraja. Për paralelen e ngritur me Moldavinë, ai ka thënë se modeli i veriut të Kosovës është përvijuar edhe në rastin e Transnistrisë. “Në rast se moldavët do të bashkoheshin me shtetin e tyre amë, Rumaninë, rusët brenda 24 ore do të pushtonin Transnistrinë”./koha