Kreshnik Berisha: Sytë

sytë

1

Betohem se e kam shmang nga dita e parë.

Qysh duket?

As vet ajo nuk e di sa e bukur është!

Por unë, betohem, qysh herën e parë kur e pash, vendosa aty për aty, as mos e mendoj këtë punë.

Bukuritë si ajo nuk lënë dilema. Mund t’i mbledhësh edhe xhelozët edhe dashamirët dhe të gjithë do të pajtoheshin se ajo është përsosmërisht e bukur.

Por unë e thash, pikëpyetjet, parashikimet, propabilitetin, aventurat, mundësitë e dëshirat i futa në një dhomë dhe mbylla derën.

Betohem!

Çfarë mund të bëjë më shumë një i alkoolizuar kur takon pijen e preferuar, veçse të thotë‚‘‘jo falemnderit‘‘?

2

Kanë kaluar disa kohë dhe pothuaj ka ndryshuar gjithçka.

Unë nuk e di si rashë, por e di që në fillim e një kohë e mbajta qëndrimin.

Përveç përshëndetjeve nuk jepja gjë tjetër. Pastaj as ato nuk ia dhash. Ishte një periudhë e gjatë shmangiesh dhe injorimi. Në fund ndodhi debati që nuk di pse ndodhi…

Dhe minutat si këto tani, kur e kam pak metra larg; ajo e zënë me punë – dhe unë që mendoj se e kam zbuluar emërtimin e ndjesisë që më jep këqyrja e gjatë në fytyrën e saj. Më ushqen si dielli i kësaj vere, botën time tjetër që e ka në dorë ajo.

Zot!

Ushtimë e lehtë si valë deti, po e këqyri gjatë sikur kthjelltësitë e ujërave që të magjepsin.

Krejt çka di që më kthen në tokë është fryma e lehtë e ngrohtë e temperaturave të larta që futet posht maicës së gjerë, anash krahëve e nga pjesa e qafës dhe i gjithë fokusi im është ajo.

Tani nuk e di, kjo paqe që kam krijuar me të pas atyre debateve është ajo që ka dashur kjo, apo jam unë që jam duke shkalluar pas saj?

3

Realiteti është se unë tani po e këqyri fytyrën e saj për një kohë të gjatë – që veç Ajnshtajni do të llogariste me saktësi – dhe kjo po ndodh me dijeninë dhe aprovimin e saj.

Kur po mendoj të largohem, mund ta pranoj se mund të ketë qenë bukuria e saj, arsye e heqjes time dorë në fillim.

Ju nuk e shihni shprehjen e qetësisë që ka, manifestimin e indiferencës dhe distancës që bën, natyrshëm. Ajo është si një pikturë e gjallë e Monalizës në versionin më të bukur që mund të kishte Monaliza.

A e kuptoni sa poshtë kam rënë brenda saj?

4.

Fjalët janë si sytë. Thonë shumë.

Unë nuk ia di ende ngjyrën e syve. Ndoshta pse nuk ia shoh gjatë. Ose edhe pse jam i keq me ngjyrat. Se edhe kur i shoh, prap nuk i shquaj.

Por këtë s’e them për fytyrën e saj. Atë e mbaj mend mirë dhe më del përpara sa herë du. Sa herë du ta shoh më del përpara fytyra e saj. E çuditshme për dikë që nuk mban mend gjë si puna ime.

Ajo s’ka ide për këto që po them.

5

Po e them, ajo s’ka ide sepse unë s’kam bërë lojëra. Isha krejt i huaj dhe ashtu doja të mbetesha për të.

Ishte punë e thjeshtë për një beqar të vonuar si unë, ndonëse nuk i shpëtova përfshirjes në kurthet e debateve të saj.

Kur i tregova mamës për egërsinë e përmbajtur të saj në dy tre rastet e fundit, e kaloi duke qeshur, tha kështu janë çikat.

6

Shmangia ime ka nis kështu: deri kur nisa as ta përshëndesja më.

E çka kishte ndodhur?

Asgjë.

Një natë me shi më la të ecja këmbë. Kaq.

Kishte ndodhur në javët e para. Dhe kjo për mua sikur ma lehtësoi, sikur ishte edhe një arsye për ta fshirë nga ekzistenca.

Ani pse kishte plot arsye për ta shfajsuar, unë, nga e nesërmja, jo që nuk e kisha në radarin tim, por as e përshëndesja.

Kjo mori muaj të tërë.

7

Derisa ndodhi ky «qëndrimi kundërshtues» për një gjë krejt të zakonshme së fundmi, ky debati që më mori brenda pa pritjen dhe dëshirën time. Ajo donte luftë. Unë u gjeta në befasi dhe nuk po kuptoja arsyen.

Kisha kohë pa e parë fytyrën e saj.  Ato çaste më dha arsye t‘ia shikoja fytyrën, gjatë.

-Je bo m’e u tutë, kur të sheh njeri – i thash me një distancë dhe pafajësi të theksuar deri në ironi.

-S’ki çka m’e u tutë prej meje –  m’a ktheu, ashtu ftohtë, duke ngrysur vetullat si shenjë çudie ndaj asaj që thash.

Po, a është e vetëdishme kjo për vetullat e bukura që i ka falë Zoti? A e sheh veten në pasqyrë kjo?

Sytë.

Mbeta duke e këqyrë.

-Veç s’po kuptoj pse po sjellesh kështu – i thash.

-S’ke çka me kuptu. Shumë mirë po sjellna – tha.

-Edhe me të shpisë je qeshtu a – i thash si i prekuri në sedër dhe për të shtuar dozën pa pritur përgjigjen i thash se ishte tip e vështirë, madje shumë.

-Qysh – pyeti sikur nuk dëgjoi duke ngrysur vetullat përsëri, e që më bëri ta shmangia kontaktin me sy pas kësaj.

-A je edhe me të shpisë k‘shtu e rond zonjë – ia përsërita me një ton më të dëgjueshëm duke shikuar tutje sikur për t’i dhënë fund debatit.

-Jo, me njerëzit që i kam afër, jo – foli me qetësi, pa dhënë pesë parë që po më përjashtonte hapur.

8

Atëherë fillova të mendoj arsyen e kësaj që ndodhi.

Ne, edhe ashtu më përpara, nuk kishim shkëmbyer fjalë dhe aq.

Por të nesërmen buzëqeshi dhe unë i thash sa mirë që po buzëqeshte duke i kaluar fare pranë. Ishte hera e parë pas një kohe që po buzëqeshnim.

A e pashë në sy? Ndoshta një sekondë.

Ajo ka mësuar se, nëse ndodh të jemi afër, njëri duhet të injorojë. Ajo ka mësuar gjithashtu se unë nuk ia duroj sytë. Dhe sikur kuptohemi për këtë pa e biseduar.

Unë i këqyri fytyrën, vetullat, kapakët e syve, flokët, (sa e bukur është o Zot) ajo rri ashtu pa ndërruar pozitë, si nje pikturë, derisa të sigurohet se unë jam larguar.

Si reagon ajo, kur këto këqyrjet e mia bëhen minuta?

Ajo bën kështu: Ngrit kokën në drejtimin tim dhe më sheh në sy një sekond, sikur të miratonte gjithë këtë dhe kthehet e qetë sërish me sytë ngulitur diku, e zënë me punë ose duke bërë si e zënë.

Në ekstremet e mendimeve të mia më duket si një pakt: unë i jap vëmendjen që ajo të mos më krijojë probleme.

9

Dje kur u pamë nga larg, m’u dha të mos ia hiqja sytë.

Ishte sikur, kush dorëzohet i pari.

Ajo qeshi dhe largoi sytë pas disa sekondash dhe u mor me njerëzit e saj përreth ndërsa unë, ‘‘e këqyra e këqyra e këqyra e këqyra‘‘ aq kohë sa ajo të kthejë vështrimin prap, natyrshëm, pa rënë në sy.

Ajo përhumbi buzëqeshjen me një teh serioziteti dhe paqësisht, ashtu paqësisht reagoi duke prekur e rregulluar nga njëra anë në tjetrën, flokët e gjatë, të dendur, të bukur.

Sytë.

Mu duk e lumtur.

Më duket si një dashuri që veç unë e di.

Kësi në paketim, hapjen e të cilit nuk do ta bëj sigurisht. Por e di që është aty.  

Dhe unë e di që ajo s’ka për ta marrë vesh kurrë.

ObserverKult

Lexo edhe:

KRESHNIK BERISHA: SI HERËN E PARË

KRESHNIK BERISHA: IKA KUR …

KRESHNIK BERISHA: E TI SHKON SI LUMI

KRESHNIK BERISHA: SI NJË USHTAR