Letër e Krist Malokit dërguar Arshi Pipës
E nderti kolega, Z.Arshi Pipa,
E kam marrë letrën t’Uejë me kohë dhe U falem ndërit si për ‘te si edhe për urimet e perzemerta rreth martesës s’ime!
Mjerisht na të dy e humbëm kontaktin ndermjet nesh në një kohë kur une isha në krizë shpirtnore e sipër. E pata humbë banesën t’ime të vjetër dhe më kishin futë në një dhomë të vetëme me rraqet e shumëta të mija dhe me dy-tre mij libra të perplasunë këndej e andej.
Dr. Domni ma e kerkonte librin e Martin Camajt “Nji Fyell ner Male”, Ju ma e kerkojshit librin t’Uej të vjetër, dhe unë s’isha i zoti-mbrenda njatij kaosi material e shpirtnor-t’i gjejshe me të shpejt e si mbas nevojës. Situata teknike dhe ligjore e banesave këtu n’Austri asht aq desolate dhe e thekëshme, sa nji beqàr pa kapital, bahet lodra e botës dhe mundet me sosë në sokak si një qen i zgjebun.
Ishte mandej edhe problemi i martesës, i cili do të caktonte mbi jetën t’ime të pastajshme, o të mbetëshe vet edhe ma tutje beqàr, mungar a bohemjan i vjetër ose t’u futësha në rregullin e familjës borgjeze, me gjithë të mirat e të metat e saja. Mjerisht edhe ky problem m’u acarrue nepër do ngatrresa e shtërngesa qi kishte atëherë ime shoqe e sotme me gjindt e familjës së sajë.
E si e do Zoti perherë-edhe si thonë Shkodranët me fillozofinë e tyne: kur të vjen e zeza, hapja derën: -po n’atë kohë po më bijshin mbi krye edhe sa e sa halle tjera. Kësodore, more Z.Kolaga, as që ishe në gjendëje me marrë persipër ndonjë porosì të ndonjë miku a me da e caktue mbi probleme kulturore e shoqnore.
Kësodore U jam pergjegjë ndoshta me njëfarë nervoziteti dhe Ju më jeni idhënue, apor së paku largue shpirtnisht.
Ju më kërkoni një herë kritikë mbi botimin e librit t’Uej në Romë. Edhe mue më duket se si shtypshkrimi si lidhëja e librit lanë me dishrue, këtu n’Austrì, sigurisht që nuk do t’u lëshonte doret me gjithë ato të meta.
Porse njëherë që shqipet nuk ua vejnë veshin a synin fort formave të jashtme, ashtu pergjithësisht as italjanët, porse ma fort një botim i atill këtu n’Austri do të kushtonte sigurisht dy-trifish lira këtu në Graz (po n’atë llojë si u pat shtypë libri fetar i Imam Vehbiut) nuk mund të praktikohen mâ mbasi njajo shtypshkronje e vjetër e botimeve universitare me fotokopì nuk eksiston dhe shtypshkronjat tjera nuk shtypin libra me titrazh të vogël ) nën së paku 5000 deri 10.000 copë). Po t’u botonte pra libri i Juej normalisht këtu në Graz do të kushtonte së paku 1500 dollarë pos sa e sa harxheve të vjetra dhe shpenximeve të postës që mund të kapeshin deri më 500 dollarë tjerë; posta mjerisht këtu n’Austrì të grinë.
Me të marrmen e librit t’Uej kam hy me njëherje-si e kam zakon perherë kundrejt një vepre serjoze e të vlefëshme –e me vemendje këndimit e shijimit të tij. Mjerisht që nuk pata rast e mjet për t’i botue mendimet e mija aty për aty që i fitova rreth njatij këndimi e studjimi.
Sot, po deshta me shkrue gja mbi ‘të dhe me e dhanë kritiken t’ime si bje fjala rreth veprës lasgushjane, do t’ishte nevoja t’ulesha mbi tryezë shkencëtare dhe t’i permbledhësha mendimet dhe kritikat e mija me formulime dhe figuracjone të pershtatëshme.
Nuk kam nevojë t’U ap nasihat mbi këto sende sepse Ju vet e ushtroni misjonin e kritikës ndoshta ma me zotsì e ma me mëprehtësì se une. Porse as nuk po due me mundue me do kujtime e kundrime që mund t’U sherbejn si fjalë, si këshille, si nasihate shoku shokut a miku mikut: Ju nuk duhet të harroni se jeni ma fort filozof se artist, ma fort intelektual se intuitiv , ma fort formalist se organik, ma fort repdroduktiv se pjellor-natyror…ka edhe mâ.
Po kuptohemi! Në literaturën shqiptare shënohet me çudì të madhe problemi i Fan Nolit. Ka shkrue sa ka shkrue, në prozë e në vjershë, gjithëkund margaritarë të pashoqë…porse fort pak, në mos aspak, ndonjë gja thjesht origjinale. Dhe me qenë që i mungon njajo “daimonia” (si thotë Platoni) i pjellësìsë, vepra e Fan Nolit mbetet gjithmonë copë-copë, vende-vende e plotë, e perendijshme, vende-vende pleh, shumë herë pleh i qelbun , poetik: sepse i perdhunuem nga intelekti o nga ndonjë forcë magjore e përjashtme.
Vepra e Juejë i ka pothue të gjithë njato karakteristika si ajo e Nolit. Juve Ju mungon ma tepër muzikaliteti, njajo afshì tonalitetesh të shumëngjyrshme dhe e “vagëlluarë” që e karakterizon veprën lasgushjane. Prej Jush bj. fj. do t’ishte pritë që të jipshi pershkrime të gjalla e impresjonuese të situatave të ndryshme që keni perkalue neper burgje në Shqipnì intanto.
Ju bani pergjasime ndermjet botës së jashtme dhe gjendjës s’Uejë shpirtnore, hiedheni ner meditacjone ma fort intelektuale e kerkoni me i futë impresjonet t’Ueja nër kallepë të vjetra e të literaturave të hueja. Shka më ka vra veshin e synin sidomos asht njajo pjesë e librit t’Uej (f. 62 ff. ) ku i shterngoni Ju të gjithë dëshiret, brengat dhe vuejtjet e Jueja ner forma e kallëpe –këtu fare të papërshtatshme-të sonetave.
Lene një herë që sonetet kan dalë dikur nga muzika absolute dhe e pamende e të 13.shekulli italjan, si e kam pershkrue vet në kritikën t’ime rreth Lasgushit, lene që njato sonetet kanë dalë e kerkojn me doemos muzikalitetin e vet, porse hiedhet dhe perdriedhet si fluturat neper ajrì, porse poezija shqiptare dhe shpirtsija artistike e Kombit t’onë zor qi mund të perputhen dhe të pajtohen me njaso formash së jashtme e të shtërnueta.
Mb’anen tjetër-si per çudì -keni Ju shumë prirje pper forma e kallëpe ma fort klasiciste, ku mund t’i paraqitni mendimet filozofike e pedagogjike (si vjerrsha SAFO): këtu jeni reproduktiv, poezìdashës i kulturuem dhe mund t’i vyeni literaturës shqiptare me shumë kontribute. Po në kët drejtim shkon edhe prirja e Juejë Kuqe Danja asht një capo-lavoro që nuk len asgja me dishrue ma tepër në ‘atë.
E dijtun që sa e sa hollësina të ndryshme që çfaqen dhe fanojn ndermjet këtyne tri pikëpamjeve, të paraqituna këtu ma fort epërsisht, do ta e përmëlledhëshin e do ta e plotsojshin argumentin t’im, porse sot per sot po mjaftohemi me kaq: po m’u dha rasti njëherë dhe po ma e lejojshi forcat magjore të jetesës së ngushtë do t’i shtrohem muhabetit dhe do të ja paraqes publikut të gjanë kritikën t’ime…per ndér t’Uejin dhe per të mirën e Kombit t’onë.
Sigurisht që kritika e ime ka per të dalë ma e gjallë e ma shpirtplote se njajo gjoja –kritikë simahore e miqëve t’Uejë ner “Shejzat” e Romës. Me shkrueni një herë se çfarë jehone ka gjetë botimi i Juej dhe se si jeni nda me shitjen e librit.
Sa per Anton Çetten që më pyetni nuk mund t’U japi spjegime ma të holla. Unë gjithnjë jam me ‘të në korrespondencë, por ma fort sa per sy e per faqe, do me thanë rastsisht dhe vetëm per festa që nuk mund të perkalohen. Asht edhe teper i angazhuem dhe teper punëtor i zellët . Nuk besoj se gjen pengesa perreth librit t’Uej .
Po gëzohem që paskeni gjetë vend dhe shesh veprimi të pershtatshëm atje në njatë shkollen e gjuhëve, ku mund të jepni mësime edhe ner degët t’Ueja akademike. Më pat shkrue Dr. Domni se U a paskan propozue kryeredaktorinë e “Diellit”. Më vjen fort keq që nuk e keni pranue. Shka i mungon botës së sotshme shqiptare asht një fletore a rivistë reprezentative, sa ma tepër e paanëshme.
Me kaq po i jap fund kësaj letre dhe po jes me shumë të fala të perzemerta dhe urime për Motin e Ri.
I Jueji
Graz, 11 dhetor 1960
Marrë nga dorëshkrimet
*Shkëputur nga libri i Krist Malokut: “Refleksione Kritikë (letrare), analiza dhe mendime”
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: