Krizë apo transformim: metamorfoza e leximit

albana beqiri

Nga Albana Beqiri

Në diskursin tonë të përditshëm termi “krizë e leximit” është bërë pjesë e fjalorit dhe narracionit të zakonshëm publik dhe atij akademik. Botuesit flasin dhe ankohen vazhdimisht për rënie të shitjeve, mësuesit nga ana e tyre ngrenë shqetësimin për nxënës që nuk e lexojnë dot qoftë edhe një libër deri në fund, ndërsa sociologët alarmojnë për humbjen e rolit emancipues të librit. Në dukje të parë, panorama e këtillë është pesimiste. Megjithatë, në të njëjtën kohë, tregu i librit (në Shqipëri dhe Kosovë) po përjeton një bum botimesh: çdo muaj dalin dhjetëra tituj të rinj, debutojnë plot autorë të rinj, përkthimet (që nga nobelistët deri te autorët më pak të njohur) po ashtu janë gjithnjë e më të pranishme dhe libraritë (ndonëse të pakta në numër) vazhdojnë të mbushen me libra të rinj. Kjo kontradiktë e dukshme që sillet mes mungesës së lexuesve dhe (mbi)prodhimit të librave, (nëse mund ta quajmë kështu), megjithatë kërkon një analizë më të thellë se ajo që e redukton fenomenin në atë që thjesht e emërtojmë dhe perceptojmë si “mungesë leximi”.

Në këto kushte, “kriza e leximit” nuk duhet kuptuar thjesht si rënie e dëshirës për lexim, jo, ajo duhet kuptuar si ndryshim i mënyrës së të lexuarit. Sepse, leximi sot ndodh në kontekste të ndryshme teknologjike: në ekran, në formate audio, në platforma digjitale apo në rrjete sociale që ndërtojnë komunitete të reja leximi. Që ta kuptojmë deri në fund fenomenin, duhet të kuptojmë se para së gjithash këto forma nuk janë zëvendësuese, por plotësuese të librit tradicional. Duhet të kuptojmë e pranojmë gjithashtu se, ndryshimi i mediumit e shndërron edhe marrëdhënien me tekstin, ritmin e përthithjes, madje edhe mënyrën se si strukturohet mendimi. Dhe, në vetvete kjo është vërtet sfidë kulturore, por jo edhe domosdoshmërisht humbje.

Për lexuesin tradicional, (një prej të cilëve jam edhe unë) që është rritur me besimin se “libri është shoku më i mirë”, leximi online mund të perceptohet si një lloj kërcënimi. Leximi në ekran shpesh (për të mos thënë gjithmonë) është fragmentar, i shpërqendruar dhe i ndërprerë nga njoftime jorelevante, reklama apo rrjete sociale. Ai nuk lejon të njëjtën përqendrim dhe thellësi si leximi në print. Megjithatë, duam apo nuk duam, e pranojmë ose jo, për brezat e rinj, ekrani nuk është armik i librit, por habitat i tij i ri. Ata lexojnë ndryshe: më shpejt, më interaktivisht, shpesh në formë të shpërndarë, por jo domosdoshmërisht më pak.

Në fakt, ajo që na ka alarmuar me të drejtë si krizë evidente e leximit apo e librit është pjesë e një fenomeni të përbotshëm, por tek ne çështja ndërlikohet (nëse mund ta quajmë kështu) paksa pasi, problematika lidhet jo aq me mungesën e lexuesve, sa me mungesën e një kulture të mirëfilltë leximi. Sistemi arsimor, për shembull, shpesh e redukton librin në instrument testimi e jo në burim e akt përjetimi. Ndërkohë, institucionet publike të leximit (bibliotekat, klubet e leximit, qendrat kulturore) nuk e kanë rifituar ende rolin e tyre si hapësira të gjalla të formimit kulturor. Në këtë kuptim, kriza nuk është e leximit si akt, por e politikave që ndikojnë në të.

Sipas Umberto Ecos “libri është si lugë, biçikletë, çekiç, thikë ose gërshërë: sapo është shpikur, nuk mund të përmirësohet më”. Metafora e tillë shpreh bindjen (së paku të shkrimtarit dhe euriditit italian) se libri, si formë, ka një qëndrueshmëri ontologjike, por nga ana tjetër kjo nuk përjashton transformimin e mënyrës së konsumimit të tij. Sepse siç e thamë më sipër, të rinjtë e sotëm nuk janë më “lexues të heshtur” në kuptimin klasik, por lexues të zëshëm, pjesëmarrës, të cilët komentojnë pa asnjë drojë, shpërndajnë lehtësisht, ndërhyjnë po aq lehtësisht, e madje të mbushur besim e vetëbesim kanë guximin edhe ta ribëjnë tekstin.

Në këto kushte, në vend që të ankohemi për “vdekjen e librit (nënkupto fundin e tij)”, ndoshta duhet të mësojmë të lexojmë shenjat e një fillimi të ri. Duhet të kuptojmë se e ashtuquajtura krizë e leximit nuk çon detyrimisht në vdekjen e tij, sepse vërtet as libri e as leximi nuk kanë vdekur, por thjesht kanë ndërruar habitat. Dhe detyra e kulturës, e shkollës dhe e mediave është të ndërtojnë ura përbashkimi midis librit klasik (atij të shtypur në letër) dhe librit digjital si dhe midis lexuesit të djeshëm dhe atij të nesërm. Sepse në fund të fundit, leximi nuk është vetëm akt i përthithjes së kuptimit, por mbi të gjitha i rikrijimit të tij.

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: UNË E DI, LAMTUMIRAT NUK JANË TË LEHTA