Kronika e një vrasjeje të denoncuar: Zoti oficer, im shoq sapo më kërcënoi me vdekje!

Nga MIGUEL BRAVO VADILLO

Ditën që do ta vrisnin, Klara Mendosa – një emigrante e hershme – u paraqit në komisariatin e policisë për të denoncuar vrasjen e saj.
– Zoti oficer, im shoq sapo më kërcënoi me vdekje. Më tha se sonte do të më vrasë me thikën që pret peshkun, madje thotë se nuk do ketë aspak mëshirë që të përdorë thikën e mishit.
– Na falni, zonjë, – përgjigjet oficeri i turnit, – por nuk mund të ndalojmë një njeri për një krim që ende nuk e ka kryer.
– Atëherë, ç´të bëj unë? – pyeti gruaja plot ankth.
– Denoncoje nesër ose kërko ndihmë nga ndonjë shoqatë e mbrojtjes së grave të keqtrajtuara.
Të nesërmen fantazma e Klara Mendosës shkon në komisariat.
– Zoti oficer, dua të denoncoj tim shoq, i cili natën që shkoi më vrau duke më goditur njëzet e shtatë herë me thikë, ndërsa shqiptonte me zë të lartë alfabetin spanjisht.
– Bukur. Tani mos ki merak për asgjë. Por a i ke në rregull të gjitha letrat?

Në shqip: Bajram Karabolli