“Kronikat e njerëzve më të lumtur në tokë”, romani i ri i fituesit të Nobelit

“Kronikat e njerëzve më të lumtur në tokë” do të botohet brenda këtij viti, me autorin 86-vjeçar, i cili po planfikon gjithashtu edhe një ripunim të pjesës teatrale.

Romancieri, dramaturgu dhe poeti nigerian, i cili u bë afrikani i parë që fitoi çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1986, romanin debutues, që e bëri të njohur ndërkombëtarisht, “Interpretuesit”, e botoi në vitin 1965. Romanin e dytë dhe më i fundit: “Sezoni i Anomisë”, u botua në 1973. “Kronikat e njerëzve më të lumtur në tokë”, i cili do të botohet në Nigeri para përfundimit të vitit, është respektivisht romani i tij i tretë.
Botuesi nigerian i Soyinka-s, Bookcraft, i cili e quan romanin “një turne narrativ”, konfirmoi se planifikon që librin ta nxjerrë për mbarë publikun në fillim të vitit 2021. “Ky roman ka gjithçka: miqësi dhe pabesi; besim dhe tradhti; shpresë dhe cinizëm; vrasje, gjymtim dhe mungesë drame, gjithçka e vendosur në sfondin e Nigerisë bashkëkohore”, – shprehet botuesi. “Siç pritet nga një vepër e Soyinka-s, vepra përmban një larmi personazhesh shumëngjyrësh, njohuri të thella, komente të mprehta dhe fjalorin më elegant”. Soyinka shprehet se ishte pikërisht izolimi i detyruar për shkak të pandemisë së koronavirusit, që e kishte ndihmuar në frymëzimin e shkrimeve të reja, njëherazi edhe për krijimtarinë e re teatrale, i cili planifikon të bashkëdrejtojë një ripunim të dramës “Vdekja dhe kalorësi i mbretit në Lagos” këtë dhjetor.

“Thjesht e gjen veten, duke u rrotulluar, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, nga tavolina e punës tek shtrati dhe në tryezën e ngrënies, për t’u rikthyer sërish te tavolina për pesë muaj resht duke shkruar. Në fund të këtij ushtrimi, kur e mbaron atë libër, dëshiron ta shtendosësh mendjen në një tjetër drejtim”, – shprehet nobelisti. “Kështu që, me një kombinim të rrethanave, më erdhi në mendje, që, prit pak, nuk do të ishte ide e keqe sikur të bënim një produksion”.

Autori dhe aktivisti politik u quajt “një nga dramaturgët më të mirë poetikë që kanë shkruar në anglisht” nga çmimi “Nobel”. Në vitet 1960, ka qenë i burgosur politik në Nigeri, kohë gjatë së cilës ai arriti të kontrabandonte poezitë e veta nga burgu në letër higjienike. U largua nga internimi pas lirimit, duke u kthyer në Nigeri në 1975, por u largua përsëri në 1994, pasi iu konfiskua pasaporta nga Sani Abacha, sundimtari ushtarak i kohës. U dënua me vdekje në mungesë, duke kaluar pjesën më të madhe të mërgimit, duke dhënë mësime në SHBA. U kthye në Nigeri në vitin 1998, pas vdekjes së Abacha dhe grisi kartën jeshile pas zgjedhjes së Donald Trump në 2016.

Romancier, dramaturg, poet dhe kritik, afrikani i parë që u nderua me çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1986, Soyinka është burgosur disa herë për kritikat e ashpra ndaj qeverisë. Shumë nga veprat e komedisë dhe satirës politike të Soyinka-s luhen në teatrot absurde më të rëndësishme të botës. Ai ka kombinuar me mjeshtëri traditat perëndimore me mitin e Afrikës, legjendat, folklorin, teknikat e të këndurit tradicional me ritmet e kohës.

Wole Soyinka mbetet një nga personalitetet e rëndësishme në mbrojtje të të drejtave të njeriut, veprimtar për vendosjen e demokracisë në Afrikë dhe mbrojtës i idesë se: “Perëndimi duhet të paguajë dëmshpërblime për krimet e kryera kundër popullit të Afrikës”’./Konica.al