Shumë pak flitet për të, por në histori ai ka lënë gjurmët e tij. Fati i kryeministrit të Shqipërisë Kostaq Kotta ishte tragjike.
Kostaq Kotta ka qënë dy herë kryeministër, kryetar i Parlamentit, kryetar i Dhomës së Deputetëve, ministër i Brendshëm, kryetar i kryesisë së Kongresit të Lushnjes dhe pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë.
Postin e kryeministrit, Kotta e mbajti më 7 prill 1939 ditën që Shqipëria u pushtua nga Italia dhe që në 1945 u rrëmbye në Athinë duke i vënë pistoletën në kokë nga një agjent i Sigurimit të Shtetit, një agjent i KGB-së rus dhe një agjent i shërbimit sekret grek për t’u sjellë në Shqipëri.
Ironia vazhdon se ai vdiq në Burgun e Burrelit nga torturat çnjerëzore, në burgun që hodhi firmën për ta ndërtuar.
Faktet e panjohura të kryeministrit Kotta, janë zbuluar para disa kohësh në emisionin e Roland Qafokut nga pasardhësi i tij, Harallamb Kotta.
Kostaq Kotta ishte kryeministri i 15-të i shtetit shqiptar. Harallamb Kotta, tregon mënyrën sesi u rrëmbye Koço Kotta në Selanik të Greqisë dhe u soll në Tiranë.
Sapo kishte mbaruar lufta dhe kryeministri Koço Kotta jetonte në Selanik në shtëpinë e vjehrrit. Ai kishte kohë që bënte jetën e ilegalit sepse tashmë ishte armik me komunistët shqiptarë, me komunistët grekë dhe natyrisht armik kryesor nga sllavokomunistët jugosllavë. Ai nuk e ndoqi mbretin Zog në mërgim por qëndroi në Greqi duke treguar se nuk ka qenë dakord me të. Ka qenë viti 1945 kur tre persona u paraqitën befas në derën e shtëpisë ku ai jetonte në Selanik. Një prej tyre ishte shqiptar dhe ishte agjent i Sigurimit të Shtetit Shqiptar me emrin Anton Çeti, i dyti ishte një rus, agjent i KGB-së dhe I treti një grek agjent I shërbimit sekret grek. Çudia ishte se të tre flisnin shqip. Në fillim ata u paraqitën me mirësjellje duke i kërkuar Koços të vinin me ta në Shqipëri. Sipas tyre kishin porosi direkt nga Enver Hoxha që Koçoja të kthehej në Tiranë për të marrë një post shtetëror. Madje ata zunë në gojë që ai të rimerrte sërish detyrën e kryeministrit që kishte lënë më 7 prill 1939. Koçoja e kuptoi që kjo ishte një grackë që ata ta likuidonin dhe nuk pranoi. Por menjëherë pas këtij refuzimi të tre agjentët sekretë nxorën pistoletat dhe ia vunë në kokë. Në shtëpi u krijua një gjendje ankthi, frike e terrori sepse gjithçka u krye në sy të gruas së tij dhe prindërve të gruas. Edhe ata e kundërshtuan marrjen e Koços por përpjekja e tyre ishte e kotë. Menjëherë pranë shtëpisë mbërriti një furgon dhe pas e tërhoqën zvarrë Koçon e futën në të. Prej Selanikut e sollën në Tiranë dhe nga Tirana në Burgun e Burrelit. I gjithë operacioni ishte i drejtuar dhe komanduar nga ministri I Brendshëm Koçi Xoxe. Ai ishte armiku numër 1 i Koço Kottës. Xoxi ishte një antishqiptar dhe një armik i betuar i të gjithë atyre që ishin shprehur kundër komunistëve dhe sidomos kundër bashkëpunimit me sllavo komunistët.
Ai tregon sesi u dënua me 30 vite burg Koço Kotta, ndërkohë që Prokuroria e dënoi me vdekje.
Ndodhi ajo që tashmë dihet. Gjyqi special I drejtuar nga Koçi Xoxe kishte vënë në bankën e të akuzuarve personalitetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Mes tyre edhe Koço Kottën. Por këtu pati një problem. Prokuroria kërkoi dënim me vdekje por gjykata speciale e dënoi me 30 vjet.
Koço ka thënë në sallën e gjyqit pak a shumë këtu: “Më 7 prill të vitit 1939, qeveria jonë jo vetëm që nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, duke bërë atë që nuk e bëri dot as qeveria çekosllovake, e cila ishte shumë herë më e armatosur se qeveria e jonë. Pikërisht, atë që s’e bëri qeveria çekosllovake e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar”.
Pasardhësi i tij tregon sesi Kostaq Kotta gjeti vdekjen në burgun që ai vetë kishte firmosur për ta ndërtuar.
Ndodhi ajo që Koçon e dërguan në burgun e Burrelit, një burg që ai e firmosi për ta ndërtuar vetë kur ishte kryeministër. Po a e dini ju që kryeministri Kotta ka ndërtuar bulevardin e madh të Tiranës, ndërtesat e ministrive dhe shumë e shumë vepra të tjera, rrugë, shkolla e ura. Dhe natyrisht do ndërtonte edhe burg. Por pikërisht aty gjeti vdekjen.
Nga të gjitha dëshmitë e bashkëvuajtësve, nga dokumente arkivore dhe nga rrëfimet e të afërmve ishte e parapërgatitur që Koçoja duhet të vdiste. Torturat ishin çnjerëzore. Në fillim ai u fut në qelinë numër 7 të burgut. Të burgosurit bënin humor me Koçon. Një prej tyre ka treguar se I ka thënë: “Koço, mirë ta bënë që të futën këtu, sepse nuk e ke bërë të mirë këtë burg”.
Më pas u fut në qelinë pa numër. Aty gjithçka ishte në kufijtë e të paimagjinueshmes. E lanë pa bukë e ujë, i jepnin kripë, e godisnin me ç’të mundnin deri me bajonetë dhe thirrjet e tij ishin dëshpëruese. Të burgosurit kanë treguar se dëgjonin për orë të tërë fjalën bukë, bukë bukë, deri sa kjo erdhi duke u zbehur dhe më pas nuk dëgjohej asnjë zë. Mishi në trup nisi të plasaritej nga kjo situatë dhe më pas zëri i tij nuk po dëgjohej fare. Gardianët e pamëshirshëm në vend ta ndihmonin dhe mjekonin e çanin me bajonetë në mish në ato vende ku ishte plasaritur. Deri sa erdhi edhe vdekja e tij përfundimtare. U varros në oborrin e burgut në atë që quhet e famshmja qershi.
Madje, pas vdekjes së tij, janë përhapur disa variante ku thonin se Kostaq Kotta u hodh aksidentalisht nga një lartësi.
Kryeminstri Koço Kotta u torturua deri në vdekje,. U varros dhe më pas ia zhdukën edhe eshtrat. Sot ai është një nga kryeministrat e vrarë të shtetit shqiptar, pro edhe një nga kryeministrat që nuk ka varr. Ai u eliminua sepse ishte kundërshtar i nacionalistëve fqinj antishqiptarë që synonin marrjen e trojeve dhe viseve shqiptare.
Kostaq Kotta la pas dy fëmijë, ndërkohë që eshtrat e tij janë ende pa një varr, ndërkohë që familjarët e kanë patur të pamundur që të merrnin eshtrat e tij, transmeton ‘konica.al’.
Koçoja la dy fëmijë, Nuçin dhe Teftën. Të dy ikën në SHBA. Nuçi ka vdekur, ndërsa Tefta jeton ende. Ata kanë fëmijë dhe ata jetojnë në SHBA. Por imagjinoni se çfarë terrori ka ndodhur me pasardhësit e Koços. Ata dhe të tjerë në Shqipëri ende rrojnë me një frikë në natyrshme me atë që ka ndodhur. Një pjesë janë dënuar dhe internuar. Një pjesë ndërruan deri mbiemrin për të mos pasur asnjë lidhje. Kjo ka sjellë që jo vetëm eshtrat të mos ia kërkojnë por të mos kenë asnjë interes për tu marrë me historinë e Koço Kotës edhe tani që ka 26 vjet që komunizmi ka rënë. Ju nuk e imagjinoni dot këtë dhe mund të bëni shumë pyetje.
Por unë që jam pasardhësi i Koço Kotës e kuptoj shumë mirë. A e mendoni se çfarë krimi kanë bërë. Kanë masakruar një personalitet që tërë jetën e shkriu për këtë shtet: Ishte pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë, ishte dy herë kryeministër, kryetar I parlamentit, ministër I Brendshëm deputet, sekretar i Kongresit të Lushnjes. Çdokush do mburrej për breza të tërë shqiptarësh ai që do ishte pasardhës i një njeriu të tillë. Por kur ky njeri u masakrua nga ky shtet për të cilin ai punoi, ç’duhet të bëjnë dhe mendojnë pasardhësit? Është një krim që do lërë gjurmë terrori edhe në të ardhmen./konica.al