Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e Festivalit PITF, zotohet se do të jetë pranë nismave artistike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të 8-të i PITF – Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”, në Teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.

Para të pranishmëve, ai tha se Festivali PITF edhe këtë edicion vjen si pjesë e zhvillimit të gjerë të kapaciteteve artistike dhe teatrore në Kosovë.

“Puna juaj artistike, krahas shembujve të rrjetëzimit dhe modeleve të bashkëpunimit, e vulosë Kosovën si shtet kontribuues, e jo vetëm pjesëmarrës. Prania e larmishme në festivalin tuaj tregon që Republika jonë siç ka qenë edhe mbetet, mikpritëse për punët e mira dhe për miqtë tanë që besojnë thellësisht në vlerat sociale e kulturore të artit dhe në kulturën si shprehje të demokracisë e të shoqërisë”, tha Kurti.

Duke folur për artin dhe politikën, ai tha se ato njëmendë janë dy gjëra të ndryshme, që duhet të jenë të pavarura, por nuk mund të jenë të ndara, dhe se këtë na e mëson e vërteton jo vetëm historia e periudhës së antikitetit, ku i gjejmë dyja, por e gjithë historia në secilën periudhë të saj.

Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës ka krijuar mekanizma të fuqishëm katalizues dhe fuqizues në aspektin infrastrukturorë, duke marrë përsipër mbrojtjen, rivitalizimin dhe renovimin e hapësirave teatrore në Kosovë.

Me këtë rast, ai përmendi realizimin me sukses të Ligjit të ri për Kulturë, i cili ka reformuar tërë legjislacionin në kulturë me standardet dhe punën kërkimore më të lartë në bashkëpunim dhe konsultim mbi dy vjeçar, me akterët vendorë e ata ndërkombëtarë. Siç tha ai, efektet e tyre do t’i shohim edhe në aspektin afatgjatë, ku për teatrot zvogëlohet burokracia, rriten mundësitë dhe hapen dyert e bashkëpunimit edhe më shumë.

Në fund të fjalës, kryeministri u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë pranë nismave artistike që e përfaqësojnë fuqinë shpirtërore të Kosovës, si kontribuuese e denjë dhe krijuese në Ballkan, Evropë e më gjerë.

Në kuadër të ceremonisë së mbrëmshme, kryeministri gjithashtu vizitoi edhe ekspozitën e fotografit Arton Humollit, me titull “AJO” (“HER”), me të cilën ka fituar disa çmime ndërkombëtare./klankosova

ObserverKult


Lexo edhe:

PËRFUNDOI “HASI JEHON 2024″/ ALBIN KURTI: KY ËSHTË NJË PREJ FESTIVALEVE MË TË RËNDËSISHME TË FOLKLORIT NË VENDIN TONË