Kthehem mbas në maj të vitit 1937


Nga Sharon Olds

I shoh tek rrijnë para portës zyrtare të kolegjeve të tyne,
e shoh babën tek endet përjashta
nën harkun e gurit ranor ngjyrë kashte, pllakat
e kuqe vezullojnë sikur pllakat
e përkuluna të gjakut mbas qafës së tij, e
shoh nanën me do libra të lehta mbi bel
tek rrin pranë shtyllës së bame prej tullave të imta,
porta e farkëtume prej metali asht ende hapun mbas saj,
majat e shpatave flakërojnë ajrin e majit,
ata janë tu diplomu, mbas pak kanë me u martu,
janë fëmijë, axhami, krejt çka dijnë asht që
janë të pafajshëm, kurrë s’kishin me e lëndue kend.
Më hidhet me ju shku atje e me ju thanë Ndaluni,
mos e bani—ajo asht grueja e gabume,
ai asht burri i gabum, keni me ba gjana që tash as
mendja s’jau pret se mundeni me i ba,
keni me ju ba gjana t’liga fëmijëve,
keni me vujt në mënyra që kurrë dëgjue s’janë,
keni me dashtë me dekë. Më hidhet me shkue atje nalt
te ta në dritën e vonë të diellit të majit e me ua thanë,
ftyra e saj e uritun e bukur tek kthehet kah unë,
trupi i saj i mjerë i bukur i paprekun,
ftyra e tij e sertë e hijeshme tek kthehet kah unë,
trupi i tij i mjerë i bukur i paprekun,
por nuk e baj. Due me jetu. I kapi
si dy kukulla letre burrë e grue
e i përplasi njanin për tjetrin
tek kofshët, si patate të skuquna, si me dashtë
me ua shkund shkëndijat, e ju them
Bani çka keni me ba, e unë kam me i dëftue ato.

Në shqip: Vlora Konushevci