Shtëpia Botuese Onufri ka bërë bashkë tregimet e shkrimtarit Adil Olluri brenda kopertinave të librit të titulluar “Kthimi i babait”, sipas tregimit më të vlerësuar e përkthyer të Ollurit.
“Kthimi i babait” është një përzgjedhje e tregimeve nga dy librat e mëparshëm, si “Shumë rrugë dhe një rënie” (Parnas, Prishtinë, 2013) dhe “Kthimi i profetit” (Armagedoni, Prishtinë, 2019). Po ashtu, në të janë të përfshirë edhe dy tregime të shkruara viteve të fundit, si “Mjaullima” (i botuar në të përjavshmen për letërsi dhe kulturë “ExLibris”, 2023) dhe “Legjenda për ditët e murtajës” (i botuar në revistën letrare prishtinase “Jeta e re”, 2023). Nga përmbledhja “Shumë rrugë dhe një rënie” janë përzgjedhur këto tregime: “Kthimi i babait”, “Vrasja e Talit”, “Bartësi i shpirtrave të përzënë” dhe “Panairi i ëndrrave”. Ndërsa nga përmbledhja “Kthimi i profetit” janë përzgjedhur këto tregime: “Barku i balenës”, “Transistori”, “Plaku dhe tri fotografitë”, “Tender për transport kufomash” dhe “Kozmosi i një të ndryshmi”.
“Tregimin “Kthimi i babait” e dua më shumë se të gjithë të tjerët, sepse ishte pikërisht ai që më bëri të besoj në një aventurë të mundimshme artistike, që më dërgonte në honet e imagjinatës dhe mendimit të epërm njerëzor. “, shkruan Olluri duke theksuar që botimi i këtij vëllimi me tregime të zgjedhura shënon një çast mjaft të rëndësishëm për krijimtarinë e tij letrare, dhjetë vjetorin e botimit të përmbledhjes me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”, veprës së tij të parë në prozë.
“Një ndërlidhje e tillë është padyshim e qëllimshme, sepse së pari ripërtërihen për lexuesin e sotëm tregimet e botuara më parë, i cili ka mundësi që të njëjtat t’i lexojë në një botim cilësor, ashtu siç di të bëjë “Onufri”, një emër tejet i vlershëm i botimeve të librit shqip.
Tregimet janë të ripërpunuara lehtësisht në planin leksikor dhe stilistik. Së dyti, një botim i tillë me tregime të përzgjedhura shënon për mua një përfundim të një faze të shkrimit letrar, që do ta quaja faza e parë e aventurës sime artistike “, thekson Olluri.
ObserverKult