
Kufjet (Headphones, earphones, earbuds) janë shumë më tepër sesa mjete për të dëgjuar muzikë. Ato janë një prej simboleve dhe elementeve më të vogla të një transformimi shumë më të madh: transformimit të marrëdhënies së njeriut me tjetrin, me autoritetin dhe mbi të gjitha, me vetveten.
Nga Fitim Nuhiu
Mund të ngrisni pyetjen me të drejtë: si mund të trajtohet një temë e tillë përmes një gjësendi të përditshëm, kaq të thjeshtë sa një palë kufje…? Por, ndërkohë që e trajtojmë, në fund mund ta gjykoni nëse kam pasur të drejtë për shqetësimet dhe konstatimet e mia.
Kufjet krijojnë një paradoks të çuditshëm: njeriu është fizikisht në shoqëri, por psikologjikisht mund të jetë jashtë saj. Është aty, por nuk është plotësisht aty, dëgjon, por zgjedh çfarë të dëgjojë, shikon, por mund të vendosë çfarë të mos shohë dhe pikërisht këtu fillon filozofia – liria për të mos dëgjuar.
Në një kuptim, kufjet janë një nga instrumentet më të thjeshta të autonomisë individuale. Ato i japin individit mundësinë të krijojë një realitet të personalizuar brenda realitetit kolektiv. Sikur pajtohet me maksimën “Turma le të flet, por unë zgjedh të dëgjoj muzikën time, bota le të bën zhurmë, por unë zgjedh tingullin tim, të tjerët të flasin e të komunikojnë, por unë mund të ndërtoj një mur të padukshëm mes tyre dhe meje”.
Kjo ka diçka nga filozofia e Niçes: ideja e individit që përpiqet të mos jetë thjesht pjesë e tufës, por të krijojë veten dhe vlerat e veta. Niçe na paralajmëronte edhe për një tjetër rrezik: të mos ngatërrojmë individualitetin me vetëkënaqësinë, sepse të jesh ndryshe nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh i lirë, mund të jesh thjesht i mbyllur brenda vetes.
Nga rebelimi te egoizmi
Kufjet ushqejnë edhe një lloj të ri rebelimi, jo domosdoshmërisht rebelimin politik apo shoqëror, por rebelimin e përditshëm:
“Mos më shqetëso, unë e zgjedh çfarë dëgjoj, unë e përcaktoj ritmin tim, nuk më intereson zhurma juaj.”
Kjo mund të jetë një shenjë e shëndetshme e individualizmit, por, kur tejkalohet, individualizmi mund të shndërrohet në egoizëm social.
Individi nuk thotë më: “dua të jem vetvetja”, por thotë “vetëm bota ime ka rëndësi.”
Dallimi është i vogël në dukje, por filozofikisht është një humnerë.
Mishel Fuko dhe kontrolli që nuk duket
Këtu paradoksi bëhet edhe më interesant. Mishel Fuko na mësoi të mendojmë për pushtetin jo vetëm si diçka që na ndalon, por edhe si diçka që na formëson.Në shoqërinë moderne nuk është gjithmonë e nevojshme që dikush të na detyrojë. Shpesh ne e kontrollojmë vetë veten. Edhe kufjet në këtë mes mund të lexohen në këtë kontekst.Ato duken si instrument lirie, sepse na lejojnë të zgjedhim çfarë të dëgjojmë, por algoritmet që përcaktojnë muzikën, videot, podkastet dhe zërat që na shoqërojnë mund të ndërtojnë një realitet gjithnjë e më të personalizuar, kështu krijohet një paradoks:
Sa më shumë zgjedhje kemi, aq më i personalizuar bëhet realiteti ynë dhe sa më i personalizuar bëhet realiteti, aq më pak e takojmë realitetin e tjetrit.
Algoritmi si “autoriteti” i ri
Dikur autoriteti na thoshte çfarë duhej të dëgjonim, gjersa sot algoritmi na jep përshtypjen se ne vetë po zgjedhim gjithçka. Algoritmi mëson prej nesh, na sugjeron, na përsërit dhe gradualisht na ndërton një univers që përputhet me atë që tashmë pëlqejmë. Kjo është shumë më elegante se censura, sepse censura të ndalon të dëgjosh, algoritmi mund të bëjë diçka më të sofistikuar:
të bën të mos dëshirosh të dëgjosh asgjë tjetër dhe këtu kufjet bëhen simbolike, nuk janë më vetëm pengesë ndaj zhurmës, mund të bëhen filtri ndaj realitetit.
Vetmia e zgjedhur
Njeriu tradicional shpesh e përjetonte vetminë si mungesë të njerëzve. Njeriu modern mund ta përjetojë vetminë ndryshe: si mungesë të nevojës për njerëzit, kjo është një ndryshim i madh. Kufjet e bëjnë të mundur që të jesh vetëm pa u larguar nga askush. Mund të ecësh në rrugë mes qindra njerëzve, në autobus, në shkollë, në kafene, në aeroport dhe njëkohësisht të jesh i zhytur në një botë krejtësisht private.
Jemi bërë jashtëzakonisht të aftë për të qenë të pranishëm fizikisht dhe mungues psikologjikisht dhe ndoshta kjo është një prej paradokseve më të mëdha të modernitetit, por ndoshta kufjet nuk janë fajtore, megjithatë, do të ishte e padrejtë t’ua atribuojmë kufjeve gjithë këtë transformim, ato janë vetëm simptoma, jo shkaku.
Nëse njeriu modern është më individualist, më i pavarur, më rebel dhe njëkohësisht më i vetmuar, kjo nuk ndodh sepse vendos kufje në vesh. Kufjet thjesht e bëjnë të dukshme këtë gjendje. Ato janë një gjësend i vogël që materializon një ndryshim të madh kulturor:
kalimin nga bota e përbashkët te bota e personalizuar dhe ndoshta pyetja më shqetësuese nuk është:
A na bëjnë kufjet më egoistë?
por:
Çfarë ndodh me një shoqëri ku secili ka mundësinë të jetojë vazhdimisht në versionin e vet të realitetit?
Demokracia, miqësia, dashuria, arsimi dhe shoqëria kërkojnë një aftësi shumë të vjetër: të dëgjosh edhe atë që nuk dëshiron ta dëgjosh, ndoshta kjo është pikërisht ajo që teknologjia jonë po e bën gjithnjë e më të vështirë. Kështu, kufjet mund të jenë njëkohësisht simbol i lirisë dhe simbol i izolimit. Ato sikur i japin individit një zë të vetin, por mund t’ia mbyllin veshin ndaj zërit të tjetrit. E çlirojnë nga zhurma e turmës, por mund ta burgosin në një jehonë personale dhe këtu qëndron paradoksi.
Njeriu modern nuk ka qenë kurrë më i lirë për të zgjedhur çfarë të dëgjojë dhe pikërisht për këtë arsye, nuk ka qenë kurrë më i rrezikuar të mos dëgjojë asgjë tjetër, sepse ndoshta liria e vërtetë nuk është vetëm të zgjedhësh muzikën tënde. Liria është të jesh në gjendje të heqësh kufjet dhe ta dëgjosh botën.
Indiferenca ndaj shoqërisë
Problemi më i thellë nuk është vetëm vetmia, është indiferenca. Mund të jesh i vetëm dhe përsëri të jesh thellësisht i lidhur me botën. Mund të tërhiqesh nga turma, por të vazhdosh të shqetësohesh për të. Vetmia nuk është domosdoshmërisht mungesë e tjetrit; ndonjëherë është mënyra më e thellë për ta kuptuar atë. Indiferenca, përkundrazi, është një tjetër gjë: është momenti kur prania e tjetrit pushon së pasuri rëndësi dhe këtu kufjet marrin një kuptim edhe më të fortë simbolik.
Kur njeriu vendos kufjet për të mos dëgjuar zhurmën, kjo mund të jetë një zgjedhje krejtësisht e kuptueshme. Por çfarë ndodh kur kjo logjikë shndërrohet në një mënyrë jetese?
Nuk dua ta dëgjoj. Nuk dua të përzihem. Nuk është puna ime. Secili le të merret me veten.
Në këtë pikë, individualizmi fillon të kalojë në indiferencë sociale. Njeriu nuk largohet më nga turma sepse kërkon të mendojë, por sepse nuk ndien më nevojën të interesohet për të. Tjetri nuk shihet si bashkëqytetar, bashkëpunëtor, mik apo pjesë e një bashkësie, por si një burim zhurme që mund të çaktivizohet. Kjo është ndoshta një prej formave më të sofistikuara të izolimit modern: jo të jesh i detyruar të jesh vetëm, por të mos të interesojë më nëse je me të tjerët dhe kjo është shumë më e rrezikshme sesa vetmia.
Një shoqëri nuk shkatërrohet vetëm kur njerëzit konfliktohen, mirëpo mund të fillojë të shpërbëhet edhe atëherë kur njerëzit pushojnë së interesuari, kur padrejtësia ndodh pranë nesh dhe ne rrisim volumin e kufjeve, kur dikush kërkon ndihmë dhe ne bëjmë sikur nuk e dëgjojmë, kur një problem i përbashkët na prek, por përgjigjja jonë është: Mua nuk më intereson.
Kjo indiferencë është paradoksalisht shumë moderne, sepse teknologjia na ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme për të komunikuar me mijëra njerëz, ndërkohë që na ka dhënë edhe mundësi të jashtëzakonshme për të mos komunikuar me askënd që nuk na intereson. Kështu, njeriu mund të jetë i lidhur me gjithë botën dhe njëkohësisht të jetë indiferent ndaj njeriut që ndodhet pranë tij.
Nëse Niçe e ngriti pyetjen e individit që duhet të çlirohet nga tufa, moderniteti ynë duket se ka krijuar një problem të ri: çfarë ndodh kur individi çlirohet aq shumë nga tufa, sa nuk ndien më asnjë përgjegjësi ndaj saj?
Të kapërcesh turmën nuk do të thotë ta përbuzësh atë, të mendosh ndryshe nuk do të thotë të mos dëgjosh askënd, të jesh i pavarur nuk do të thotë të jesh indiferent dhe të mbrosh botën tënde të brendshme nuk duhet të nënkuptojë shkatërrimin e çdo ure me botën e jashtme, ndoshta ky është dallimi ndërmjet individualitetit dhe izolimit: individi i lirë e krijon zërin e vet, por ende është në gjendje të dëgjojë zërin e tjetrit; individi indiferent e dëgjon vetëm veten.
Në këtë kuptim, kufjet bëhen një metaforë e fuqishme e kohës sonë. Ato mund të jetë një instrument për të ruajtur veten nga zhurma, por edhe një mjet për t’u shkëputur nga përgjegjësia dhe ndoshta pyetja më e frikshme nuk është nëse kufjet na bëjnë egoistë.
A po mësohemi të jetojmë në një shoqëri ku askush nuk ndihet më përgjegjës për zërin e tjetrit, sepse një ditë mund të zbulojmë se problemi nuk është se kemi shumë zhurmë rreth nesh, por problemi është se kemi humbur dëshirën për ta dëgjuar njëri-tjetrin?!?






