Kuinteti i frymës “Durrësi” u paraqit me një koncert në sallën kryesore të muzeut arkeologjik të qytetit bregdetar.
Koncerti në kuadër të Festivalit të 15-të Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës solli për dëgjuesit një program të pasur me vepra nga nëntë autorë të njohur vendas dhe të huaj.
Jonela Golemi (flaut), Saimir Kalaja (oboe), Sokol Toto (klarinetë), Ilir Kodhima (korno) dhe Pirro Sota (fagot) janë pjesëtarët e kuintetit “Durrësi” që nga viti 2010.
Aktiviteti artistik i secilit prej tyre përbën bashkëpunime në koncerte brenda dhe jashtë vendit.
Të njohur për promovimin e veprave të shkruara në epoka të ndryshme, këtë herë artistët nga Durrësi dhe Tirana interpretuan pjesë nga Johann Straus (biri), Johann Schrammel, J. Haydn, W. A. Mozart, P. I. Tcaykovski, N. Piovani, T. Greaves, M. Penella, si dhe nga Josif Minga.
Megjithëse në një numër të kufizuar për shkak të pandemisë, shikuesit duartrokitën gjatë interpretimin e ansamblit të frymës “Durrësi”./atsh