
Letërsia ka përdorur shpesh zërin e të vdekurit si një mjet rrëfimtar për të vënë në pikëpyetje realitetin e të gjallëve. Nëpërmjet një narratori që flet pas vdekjes, autorët krijojnë një hapësirë unike reflektimi, ku mungesa fizike e personazhit shndërrohet në burim kujtese, ironie dhe ndërgjegjësimi moral.
Nga Teuta Dhima
Ky lloj rrëfimi i jep narratorit një liri të jashtëzakonshme: ai mund të flasë pa frikë, të shikojë pa u gjykuar dhe të gjykojë pa mëdyshje. Zëri i tij është i çliruar nga gjithçka: nga nevoja për t’u pëlqyer, apo për të qenë pjesë e një shoqërie që nuk të përfshin më.
Ky punim synon të trajtojë rrëfimin nga perspektiva e një narratori që tashmë ka ndërruar jetë. Ai është dëshmitar i ceremonisë së vetë-varrimit dhe përmes këtij pozicioni të pazakontë, zbulon jo vetëm hipokrizinë e shoqërisë, por edhe tensionet e heshtura të ndërgjegjes së tij. Rrëfimi bëhet kështu një akt i dyfishtë: dëshmues dhe gjykues, i jashtëm ndaj jetës, por thellësisht i lidhur me të.
Rrëfimi post-mortem nuk është një shpikje moderne. Ai ka rrënjë të thella në historinë e letërsisë, që nga mitologjia e lashtë, ku shpirtrat e të vdekurve ktheheshin për të komunikuar me të gjallët, deri te tekstet klasike si “Komedia Hyjnore” e Dantes, ku zërat e të ndjerëve flasin për jetën dhe gjykimin e tyre të përjetshëm.
Në letërsinë moderne, ky zhanër ka marrë një dimension më introspektiv dhe shpesh ironik.
William Faulkner, në romanin “Duke dhënë shpirt”, përdor një strukturë me narrativë me shumë zëra, ku mes tyre, edhe personazhi i vdekur, Addie Bundren, merr fjalën për të rrëfyer dhe për të thënë të tijën mbi jetën dhe familjen e saj. Kjo ndërfutje përforcon idenë se zëri i të vdekurit nuk është më një zë metafizik, por një mjet për të zbuluar tensionet, problemet e jetës së përditshme.
Tipari më dallues i rrëfimit nga i vdekuri është se ai zhvesh shoqërinë nga shkëlqimi i fasadës dhe formalizmat. Vdekja e “çliron” personazhin nga çdo detyrim për të ruajtur aparencën. Në vend të lavdërimeve, ai ofron një gjykim të kthjellët dhe shpesh të ashpër mbi botën që e rrethon.
Rrëfimi nis me një ton reflektues e filozofik:
“C’est quelque chose de plus fort que la mort, c’est la présence des absents dans la mémoire des vivants.”
Ky citat përmbledh gjithë frymën e rrëfimit, se mungesa fizike nuk është fundi i pranisë, por një formë tjetër e saj, e ngulitur në kujtesën e të gjallëve. Por çfarë ndodh kur kjo kujtesë është selektive, e pavërtetë, madje hipokrite?
Personazhi shikon vëllezërit e tij të shqetësuar jo për humbjen, por për prishjen e planeve të së dielës. Vërejtjet e tij janë të hidhura: “As m’i hodhën sytë.” Një zë i brendshëm i pëshpërit fjalën “Mosmirënjohës,” duke e vendosur rrëfyesin në një përballje të heshtur me ndërgjegjen e vet. Kjo dyzëshmëri mes gjykimit dhe reflektimit personal është një nga elementët më të fuqishëm të strukturës narrative në këtë novelë.
Në ceremoni janë të pranishëm edhe ish-nxënësit e të ndjerit, të cilët ai i kishte ndihmuar për dokumentet e tokave, por që tani, të veshur me kostume të shtrenjta dhe zinxhirë floriri, hedhin zarfe mbi arkëmort për të plotësuar një detyrim formal. Ironia është therëse: ata nuk do të jenë të pranishëm në varrim pasi kanë “shumë punë”. Ndërrimi i arkëmortit për një më të ri dhe më modern, është një tjetër moment grotesk: gjithçka bëhet për sy të botës…
Ai komenton me përbuzje: “Le të vijnë ta shohin!” Një fjali që përmbledh të gjithë sarkazmën e rrëfimit. Pamja ka zëvendësuar përmbajtjen, ndërsa kujtimi i vërtetë mbetet i lënë pas dore.
Kujtimet shpërthejnë si fragmente: përqafime në adoleshencë, histori të mjegullta dashurie, Franceska, një imazh i idealizuar dhe ndjesitë e paqartësisë që shoqërojnë të gjitha këto kujtime. Në vend të përgjigjeve të qarta, rrëfimi shtron pyetje: “A e kalova ndonjëherë pragun e shtëpisë së asaj kushërirës, apo jo?” Kjo e bën narrativën më njerëzore, më të besueshme, më introspektive.
Ndërkohë, banorët e pallatit, ata që kishin ndarë përditshmërinë me të ndjerin, vijnë si një komunitet i heshtur kujtese. Personazhi përshkruhet si i vetmi që nuk kishte humbur asnjë votim, por ai në fletën e votimit nuk shkruante asgjë. Kemi para nesh, një akt simbolik i vetëdijes dhe protestës së heshtur.
Novela në vetvete nuk ka në dispozicion mundësinë që të përhapet në shumë ngjarje apo linja paralele. Ndaj edhe “Kur vdiqa” ka një strukturë të mirëpërcaktuar: çdo episod, çdo fjali, ka një funksion dhe domethënie. Ajo arrin të ndërthurë me mjeshtëri ironinë, ndjeshmërinë, introspeksionin dhe kritikën shoqërore. Struktura e saj është e përqendruar dhe ritmi i përshpejtuar e përforcon tensionin mes kujtesës dhe gjykimit. Rrëfimi i të vdekurit, në këtë rast, nuk është vetëm një zë që flet nga arkmorti, por një zë i ndërgjegjes që kërkon të kuptohet.
Koha e rrëfimit lidhet drejtpërdrejt me mjeshtërinë narrative. Ngjarja zhvillohet përgjatë kohës që i vendoset në dispozicion të ndjerit për t’u respektuar: nata e fundit që kalon në shtëpinë e tij. Personazhi nuk është më i gjallë, por nuk është ende krejtësisht i ikur. Në këtë kufi mes trupit dhe kujtimit, natës dhe dritës, ai vështron, dëgjon, kujton dhe gjykon. Koha narrative është, pra, lineare në dukje, një natë e vetme, por në të vërtetë ajo shpërbëhet në një mori kthimesh në kujtesë dhe reflektime të përqendruara.
Zgjedhja e kohës për rrëfim, nuk është vetëm një vendim estetik, por edhe filozofik: për aq sa trupi qëndron mes të gjallëve, zëri i brendshëm ka kohë të flasë. Është koha e fundit për të kuptuar veten dhe për të parë se çfarë mbetet nga njeriu në përfytyrimin e të tjerëve. Kjo kohë bëhet kështu hapësirë narrative, por edhe hapësirë etike, ku ndriçimi vjen nga ndërgjegjja, jo nga drita që të ndjerit i mungon.
Mjeshtëria e autorit në novelën “Kur vdiqa”, qëndron në mënyrën si ai e ndërton këtë hapësirë të ngushtë kohore dhe fizike, si një arenë të gjerë të reflektimit. Në pak faqe, ai arrin të krijojë një rrëfim shumëplanësh, me ritëm, me ton ironik dhe me një lloj butësie që nuk bie kurrë në sentimentalizëm. Çdo detaj, nga zarfi i hedhur mbi arkëmort, tek zëvendësimi grotesk i tij, tek frazat e heshtura që nuk thuhen por nënkuptohen, është i gjetur me kujdes.
Një pyetje që lind natyrshëm pasi e lexon novelën është: a bie ky personazh në grackën e egocentrizmit? Duke rrëfyer kaq shumë për veten, duke e bërë veten qendër të botës që përshkruan, a shndërrohet ai në një figurë egoiste?
Përgjigjja nuk është e thjeshtë. Nga njëra anë, ai e vendos veten në qendër, jo për të lavdëruar veten, por për të kuptuar. Ai analizon kujtimet, riviziton marrëdhëniet, pranon pasiguritë dhe flet me një zë që shpesh është i dyzuar, i shqetësuar, vetëkritik. Ai nuk kërkon t’u ikë gabimeve të jetës, por të gjejë një kuptim në to.
Megjithatë, ky rrëfim është një akt i vetëm. Ai nuk vjen si një monolog pa përgjigje nga jashtë dhe si i tillë, rrezikon të krijojë një pasqyrë që reflekton vetëm një vetvete. Kur të tjerët flasin me gjeste, me pamje, me hipokrizi ose harresë, rrëfimtari përqendron gjithë vëmendjen te vetja, ndoshta si mbrojtje, ndoshta si nevojë për t’u kuptuar më në fund.
Ironia më e madhe është se ai e sheh veten nga jashtë, por nuk arrin kurrë të ndahet prej saj. Zëri i tij është i lirë nga frika, por jo nga nevoja për të ditur nëse ka lënë gjurmë. Në këtë kuptim, rrëfimi nuk është akt egoizmi, por dëshmi e një vetëdijeje që, edhe në vdekje, kërkon kuptim dhe përulësi. Ai nuk i kërkon lavdatat, por pyet: a do të më kuptojë dikush tani që nuk jam më?
Në thelb, rrëfimi i të ndjerit nuk është vetëm një teknikë narrative, por një akt i thellë komunikimi me lexuesin. Ai i flet atij jo si një personazh që kërkon simpati, por si një vetëdije që kërkon mirëkuptim. Përmes ironisë, zhgënjimit, kujtesës dhe përballjes me vetveten, lexuesi përfshihet në një proces të pandalshëm reflektimi: Po sikur të isha unë ai që fliste nga arkëmorti? Në këtë moment letërsia ndal së qeni thjesht art dhe bëhet përvojë.
Zëri i të vdekurit shkon përtej trupit në arkëmort: ai bëhet zëri i ndërgjegjes, jo vetëm i tij, por edhe i një shoqërie që shpesh shmang të vërtetat, ngarkon me forma ceremonialet dhe I zëvendëson kujtimet me paraqitje. Rrëfimi e zhvesh jetën nga petku i saj i rremë dhe i ofron lexuesit një mundësi për të parë më kthjellët. Për t’u gjykuar pa u pasqyruar.
Emocioni që lind nga ky rrëfim nuk është trishtim i zakonshëm, por ndjesi e zhvendosjes: një ndjesi që le pas një pyetje, jo një përgjigje. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e tij, jo në të dhënat që na sjell, por në pyetjet që ngjall. Ai nuk kërkon që lexuesi të besojë, por që të ndalojë. Të mendojë për ata që janë larguar, por edhe për ata që janë ende aty, në heshtje.
Në këtë kuptim, rrëfimi i të ndjerit tonë, nuk është as një shprehje e fundit, as një mësim moral. Ai arrin të komunikojë me lexuesin pa predikuar, por duke e përballur atë me pyetje thelbësore. Është një zë që nuk shuhet me trupin, por që ndoshta dëgjohet më mirë tani që ai ka heshtur. Dhe kjo heshtje e zëshme është, ndoshta, forma më e vërtetë e kujtesës. Me një narrator të gjallë, që ndoshta mund të shfrynte për trafikun e ngarkuar, apo për të gjitha problematikat e mundshme të së përditshmes, rrëfimi nuk do të sillte këtë emocion.
Autori Doranin Agalliu në novelën “Kur vdiqa” ka ndërthurur me kujdes e finesë introspeksionin, ironinë, kujtesën dhe një gjykim të kthjellët shoqëror duke arritur kështu kulmin e krijimtarisë së tij, por edhe përmbushjen më të plotë të tij si shkrimtar.
Mbyllja e novelës, ashtu si gjithë rrëfimi i saj është mjeshtërore: ironia, vetëreflektimi dhe absurdi njerëzor ndërthuren bukur. Narratori edhe pas vdekjes provon xhelozi për një burrë që e sheh pranë të shoqes. Është një ndjenjë kaq njerëzore, aq e prekshme sa tingëllon njëkohësisht, prekëse, por edhe komike. Nuk rezistova pa buzëqeshur… Dhe pa u shuar akoma buzëqeshja, pasoi një zë që ironizon: “Ai është një fukara që pret të varrosesh ti, që t’i kërkojë gruas rrobat dhe këpucët e tua”. Kjo thënie na çon nga drama në farsë, nga ndjenjat në interesin e ulët material për rrobat e të ndjerit. Dhe në fund ajo që e shqetëson të ndjerin nga arkëmorti është padurimi se kush do të fliste mbi varrin e tij. Sepse në fund më shume se vdekja, na dhemb ideja se kush do të kujtohet për ne dhe për çfarë arsyeje.
ObserverKult
Lexo edhe:






