Shenjat e tragjedisë nga Kujtim M. Shala
Tragjedia Sofonizba, siç del në Autobiografinë e De Radës, është shkruar në vitin 1841 dhe ka pasur për titull Numidët. Së pari është shkruar arbërisht, pastaj është përkthyer e botuar në italishte. Meqë tragjedia s’u prit mirë, De Rada i rikthehet më 1891, tash në muzg të jetës, plot një gjysmë shekulli pas, dhe e ripunon e e boton me titullin Sofonizba. Kur jemi te ripunimi , të thuhet se , De Rada mund t’i jetë kthyer jo veç për shkak të pakënaqësisë së drejtëpërdrejtë, por edhe për shkak të parimit të përhershëm të tij: ai e ka ripunuar (bile jo një herë) edhe Milosaon edhe pse është pritur jashtëzakonisht mirë. Kështu, përpunimi i tekstit për De Radën bëhet një prej kërkesave esenciale të vetëdijes krijuese.
Në radhën e veprave të De Radës ka ngelur nën hijen e poemave edhe përkudnër se është lloj i hershëm në literaturën tonë. Ka mbetur pa ndikim, për shkak se është përkthyer vonë, andaj shumë gjatë ka ngelur jashtë komunikimit të vlerave në letërsinë shqipe. Kështu Sofonizba hyn në botën e letrave shqipe e përkthyer me rreth një shekull vonesë. Andaj, tragjedia e kësaj vepre, përpos si zhanër, del edhe në kuptimin e përgjithshëm kulturologjik. Sofonizba është një mungesë e gjatë në letërsinë shqipe. Është vepër e e studiuar shumë pak.
1. Zhanri
Sofonizba është tragjedi me plot kuptimin e fjalës. Pra, ajo del vepër e konceptuar mirë e saktë në nivelin e zhanrit. Subjekti, që jep tragjedinë, është marrë nga antika, luftërat e Kartagjenës. Tragjika është shumëfishe dhe kulmohet me tragjedinë e Sofonizbës, heroinës së tekstit.
Subjekti i veprës: Është koha e Hanibalit, kur Kartagjena bëhet pjesë e varur nga Roma. Mbreti i numidëve, Sifaçi, mund besnikët e Kartagjenës, Masivën e Masinisën (kushërinjtë e Sofonizbës, djemtë e tezes). Ai si kusht për ta mbrojtur Kartagjenën kërkon dorën e Sofonizbës. Populli ia jep, përkundër dshirës së saj, sepse ajo e do Masinisën. Sifaçi thyhet nga romakët e ndihmuar prej bijve të Galës (Masiva e Msinisa).
Sofonizba nuk pranon t’i kthehet dashurisë së vjetër. Për të mos u dërguar si robinë në Romë, e pi helmin.
Kështu , edhe nga këto që u shkruan si subjekt i tekstit, pas një leximi, shihen shenjat e tragjedisë se shumëfishuar:
-tragjedia e Kartagjenës,
-tragjedia e Masinisës ,
-tragjedia e Sifaçit (shumë specifike),
-tragjedia e Sofonizbës.
Nga subjekti dhe nga ndarja në akte (pesë akte), shihet se De Rada pretendon të shkruajë në shembullin e tragjikëve të lashtë.
Shtrohet pyetja se: a ka shkruar në shembullin antik? Jo, sepse autori romantik s’mund të dalë nga lëkura e tij; edhe pse e then normën e shkrimit nga vargu në prozë, shenjat e rrëfimit të tipit të poemave të tij duken qartas, andaj meqë dialogët e dalë nga situatat e veprimi nuk janë të shumtë, ligjërimi i personazheve (në tipin e rëfimit) bëhet esencëe tekstit. Edhe uniteti i vendit e veprimit s’është përfillur. Kështu, De Rada, duke dashur të shkruajë tragjedi sipas shenjave të teksteve antike, antik e ka ruajtur veçse subjektin e disa emra personazhesh, por ka shkruar dramë të rrëfyer, pra vepër që i afrohet tekstit pa dramatizim.
2. Për strukturën
Në shkencën për letërsinë, sot nocionit strukturë i jepen kuptime të ndryshme; këtu më strukturë perkufizohet ndërtimi i tekstit nëpër shenjat themelore.
Drama është shkruar në prozë, stili i së cilës ka ngjyrime të poezisë së hershme të De Radës, ku veçohet elementi retorik, stili madhështor, pompoz. Esencë e tekstit është rrëfimi i personazheve. Ky tip rrëfimi aplikohet në procesin e dialogimit. Pra, teksti ka dialogun, por edhe monologun që del si natyrë lirike në shkrim, diçka si e barabartë me përshkrimin në epikë. Monologu del ndërmjet dialogut, pra dy personazhe dialogojnë, ndërsa një i tretë monologun:
Kleoni-Tani që, si besoj unë, të gjithë e kanë kuptuar se bota do të jetë e të shumtëve,na mbetet të merremi vesh.
Sameha- (Me vete ) Përse të merren vesh?
Çufa-Në fillim të merremi vesh si t’ua nxjerrim nga zemra popullit tempujt e idhujve dhe si të zhdukim fantazmat që shihen si ligje të vëna nga perenditë: E vërteta, besa etj…
Tragjedia ka pesë akte. Aktet ndahen në skena. Skenat s’janë të gjata dhe po të mos ishte ngjyrimi lirik i shumë pjesëve, mund të bënim fjalë për tekst të dendur dramatik. Didaskalitë e personazheve janë elementare, ndërsa ato të hyrjes së akteve rrëfehen dhe kanë funksion informues:
Ndodhemi në Kartagjenë. Senati, me në krye Asdrubalin, është mbledhur në tempullin e Junës. Statuja e perendeshës është zbuluar; mbi alltar nxjerr tym temjani.
Nga kjo del edhe natyra e raportit me lexuesin, pra një pozitë e përafruar autor-lexues, që edhe njërin edhe tjetrin i vë përbrenda ngjarjes: ndodhemi në Kartagjenë.
Dihet se tragjedia rrjedh nga konflikti e zhvillohet përbrenda tij. Konflikti te Sofonizba është më tepër i brendshëm, sepse trekëndëshi në dashuri thyhet me humbjen e Sifaçit dhe Sofonizba mund të bëhet e Masinisës, i cili i kthehet, por ajo s’vepron kështu, meqë brendia e saj tashmë nuk udhëhiqet nga ndjenja e dashurisë , por nga ndjenja e detyrimit ndaj të shoqit (Sifaçit), pra nga ndjenja etike. Andaj, Sofonizba është tragjedi e brendisë. Kur vihet në pah brendia, një tekst i tillë ka nuanca të shkrimit psikologjik, që në dramën e De Radës del si një lirizëm i rrëfyer përgjatë strukturës dramatike. Sofonizba, si tip shkrimi, është lirikë, ndërsa si formë është epikë, e kam fjalën për formën e strukturimit të ligjërimit. Drama del nga struktura skematike, por më shumë pritet të zhvillohet në skenë –në fund të fundit, çdo tekst dramatik shkruhet për t’u luajtur në skenë.
Njësitë kompozicionale janë të plota. Ndërkaq , kori mungon. Elementet kompozicionale janë proporcionale, me përjashtim të hyrjes paksa më të gjatë.
Personazhet janë gjithfare, në kuptimin e strukturës sociale dhe dyfarësh në kuptimin gjinor. Bile , Sofonizba (grua) është heroinë e veprës. Nga kjo edhe drama merr titullin, me çka ndiqet parimi romantik i titullimit, përkundër titullimit të hershëm në shembullin antik: Numidët.
Personazhet nuk zhvillohen si karaktere në veprim, por karakteret e tyre rrëfehen. Në fund të fundit, Sofonizba është dramë e përjetimit (që del në kohë të tashme) dhe e situatës (që rrëfehet). Pra, dallohen dy rrafshe: rrafshi i brendisë, rrafshi i jashtësisë. I dyti, që duhej të ishte kryesori për gjininë dramatike, meqë do ta prodhonte veprimin, është zhvendosur në një kohë jo të zakonshme për dramën, në të shkuarën që rrëfehet, ndërsa i pari bëhet esencial dhe teksti del shkrim romantik.
Kështu, Sofonizba, si ndërtim e si ligjshmëri në ndërtim, është tekst romantik që i përmbys shenjat gjinore ose, thënë ndryshe, i sintetizon ato, duke e ruajtur konceptimin e natyrën e shkrimit në strukturë të re.
3. Lexim
a. Dashuria/Detyra
Dashuria është vija fabulative e tekstit. Ç’është e vërteta, dashuria është vija e tragjedisë së De Radës. Në subjektin e tekstit ndërthuret me çështjen e atdheut , prej së cilës edhe kushtëzohet. Kushtëzimi është faktik, ndërsa dashuria nuk kalon në rrafshin veprues të dramës, por mbetet gjendje e përhershme e brendisë. Kështu, ajo kushtëzohet nga fati i atdheut (në kuptimin e prerjes faktike të saj ), ndërsa si natyrë e brendshme mbulohet e pritet veç nga nga ndjenja etike:
Sofonizba –(…) Po të ikja nga burri-dhe vetëm ky mendim, nëse na shkoi në mendje duhet të na ketë shuar pishtarin qiellor, s’e s’patëm faj tjetër-po të ikja dhe të ndiqja të dashurin në një vend kënaqësie, kur shtëpia dhe atdheu janë në zi e në lot, shpirti im do të mallkonte përjetë.
Kështu, Sofonizba do ta ndjekë fatin e të shoq, pa marrë parasysh se nuk e ka dashur kurrë.
Në skemën e dashurisë: Sifaçi –Sofonizba-Masinisa del një element i përfituar nga tekstet antike, çështja e incestit ndërmjet Sofonizbës e Masinisës; ata janë kushërinj. Pra, në këtë vepër dalin shtresimi antik e romantik i formimit kulturologjik të autorit.
Po çfarë është dashuria? Ajo konceptohet nëpërmjet personazhit –autorial, Sofonizbës. Ajo është personash autorial, kundër faktit se Sofonizba është dramë, për shkak të shkrimit si rrëfim e për shkak të mbështetjes së ideve autoriale te Sofonizba. Ja se si del në vepër:
Sofonizba –(…) Sifaçin s’e njoh edhe as ai s’më njeh dhe s’më ka dashur më parë; nuk di të ketë pasur dashuri apo mirësi për mua që t’ia dorëzoi fatin tim. D.m.th mund ta duash veç njeriun që e njeh, që të do e që është i mirë ndaj teje.
Besimi i Sofonizbës në dashuri është shumë i madh . Ajo ngritet kundër të gjithëve , për ta mbrojtur të dashurin e zemrës, atëherë kur ai del i urryer për të tërë:
Kadela –(…) Sot në mëngjes, e zbehtë, u ngrit e u tha disa grave që akuzonin Masinisën:
Pushoni. Në rast se ai është fajtor, dhe nuk do ta shoh më; edhe mua do të ma mbylli driten e dritës varri.
Megjithatë, gjithë kjo dashuri braktiset faktikisht përballë detyrës ndaj atdheut e prindërve, por ruhet shpirtërisht , për të vdekur me atë të ruajtur. Detyra e dashuria ose, thënë më mirë, detyra a dashuria është dilemë konstante e tërë veprës poetike të De Radës. Te Sofonizba detyra ngadhënjen faktikisht-dhe s;ka si të bëhet ndryshe edhe për shkak se subjekti që e kërkon këtë gjë është i dyfishuar : prindër, atdhe:
Kadela-Zonjë, s’jua thashë, po ajo e zgjodhi burrin prej kohe.
Ana-Vërtet thua? Po t’et i takonte ta urdhërojë.
E i ati është prijës i popullit të Kartagjenës.
Sofonizba bën vetëvrasje në skenën e parafundit të aktit të fundit, por shpirtërisht ajo vdes qyshkur e japin te Sifaçi-ja çfarë thotë Vedanta në lidhje me këtë:
(…)Në pallatin e saj më thoshte se kur i ati vendosi ta martonte ajo ia paratha: “Ti më dhe jetën , zot e atë, dhe tani ma merr sërish. Duke më dërguar atje më dërgon në varr!
Kështu, në ndjekjen e dashurisë në tekst, Sofonizba është tragjedi dashurie.
b. Farët e ideve
Idetë e De Radë dalin nëpërmjet ligjërimit të personazheve të dramës, por normë e shprehjes së tyre bëhet veç Sofonizba. Pra, Sofonizba është tekst ku projektohen idetë e autorit, tekst me heroinë të projektuar.
Idetë përnga farët janë politike e shoqërore. Janë ide të njeriut që s’e pranon absolutizmin. Zhvillohen si ide e luftë kundër alteritetit-jodrejtëpërdrejtshmëria është esencë e eksplikimit të ideve në literaturë, vlerë e shtresimit artistik të saj.
Teksti kap një kohë konfuze të historisë antike të njerëzimit. Në tërë këtë bazohet ngjyrimi i thellë etik i tragjedisë, pra nëpërmjet prekjes së rrafshit moral përkufizohet situata:
Hanoni –(…)Aleanca e re me të cilën po lidhemi sot me ndërgjegje të pastër do të zhduket me frymën e perëndive dhe me që ishim mbështetur tek ajo, do të biem pas saj me fytyrë për toke.
Rrafshi moral mbështetet edhe nga ai mitologjik antik e i krishterë, kështu ndërtimit kulturologjik të autorit i shtohet edhe niveli i tretë: De Rada besimtar i krishterë.
Idetë personale të autorit dalin më së miri në testamentin e Sofonizbës, fjalën e fundit, që , në të vërtetë, është testament i autorit:
Sofonizba- (…) “ Të ketë mëshirë për vuajtjet e Kartagjenës, po të mos luftoj kundër Romës. Të mos ngrejë kundër saj besnikërinë që mund të kenë për të Masilja dhe Numidia. Le të kënaqen të huajt me atë që kërkojnë nga Afrika, veç të mos qëndrojnë më në gjirin e saj. Fatet duke u shtjelluar ndryshojnë, vendi u mbetet bijve të tij që të rriten”.
Pra, është sintezë e angazhimit të De Radës.
Përfundmisht, idetë në këtë vepër të De Radës janë morale, shoqërore e politike.
4. Përmbyllje
Sofonizba mbeti gjatë jashtë rendit të vlerave në letërsinë shqipe, përkundër faktit se është lloj i hershëm ( në kuptim të zhanrit) . Është vepër e hershme edhe si gjini. Kjo do të mund të ndikonte në zhvillimin e zhanrit të tragjedisë, së paku duke u bërë pikënisje në rrugën e shkrimit të saj, në literaturën shqipe. Sido që të jetë, Sofonizba tash e sa kohë ndodhet në duar të lexuesve e specialistëve letrarë, andaj me të drejtë pritet përcaktimi i vendit të saj në letërsi, duke pasur për kriter vlerat letrare e idetë në të.
(Shkëputur nga libri “Shenjat e tekstit” të autorit Kujtim M.Shala, botuar nga SH. B. “Faik Konica”)
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: