Kujtim Prodani: Në vitin tremijë (teksti dhe kënga)

Teksti: Petrit Ruka

Në vitin tremijë deklarojnë futurologët
Do të ketë ndryshime kolosale,
Njeriu do të rrojë njëqind e pesëdhjete vjet
Dhe kokën do ta ketë shumë më të madhe.

Japin shifra të tjera të bujshme, tunduese,
Për gjërat e vockla nuk shkruajnë asnjë rresht,
Që në vitin tremijë do ketë prapë njerëz me borxhe
Që pleqve do tu therin prapë kockat në vjeshtë.

Nuk flasin për sherret me gruan, dashurinë,
“Dashuria do të bëhet me partnerë-robotë,”
Dhe harrojnë përshembull gjëra të imta “banale”
Që njeriu do ketë sy, domethenë edhe lotë.

Nuk flasin për partitë dhe supat e tyre,
Se si do ti hamë me dhëmbët shrënguar,
Për librat e poetëve në mëshirë të tregtarëve
Që vdesin në trurin e tyre të bekuar.

Në vitin tremijë bërtasin futurologët…
Ç’ngazëllim i shëndetshëm që nuk di të ndalet,
Por unë kam frikë se dhe po na u rrit koka
Më shumë se nga dija, kjo do ndodh nga hallet.